Nga Elis Buba
Kemi dëgjuar të flitet për hemoragjinë e trurit, atë që konceptualizon në pak fjalë ikjen e mendjeve të mençura nga Shqipëria. Kemi dëgjuar për hemoragjinë e krahut të punës, e forcës punëtore, e gjakut që bën të mundur vitalitetin dhe funksionalitetin në përditshmërinë tonë. Por hemoragjia e burrërisë…?!
Hemoragjia e burrërisë në vendin tonë, është edhe arsyeja konkrete pse ndodhin dy hemoragjitë e para të përmendura më lartë. Kjo lloj hemoragjie, pra ajo e burrërisë, është arsyeja pse realisht mund të duhet më shumë se një jetë për të revolucionarizuar për mirë e për mbarë e përparuar me qëndrueshmëri Shqipëria. Dhe sigurisht askush nuk ka më shumë se një jetë. Ndaj edhe sot për shumë nga bashkatdhetarët tanë, revolucioni fillon me vetën e parë njëjës. Unë! Të gjithë tashmë e perceptojnë revolucionarizimin e jetës së tyre, të shkëputur nga vendi po i tyre. Kësisoj revolucion bëhet ikja. Pra të ikësh sjell ndryshimin. Por ikja është dorëzim, desertim e braktisje, është shpërfaqje e shitjes së mishit dhe shpirtit për bukën e gojës. Në rastin e shitjes së mishit e kuptojmë më thjeshtë ndërsa shitja e shpirtit arsyetohet me ndërrimin e fesë, e emrave të përveçëm, e gjuhës, kulturës, zakoneve dhe të gjitha këto kalbëzime të detyruara karakteriale vijnë nga zhgënjimi i skajshëm me atdheun. Po si mund të bësh përgjegjës atdheun, një koncept retorik e filozofik, për mbrapshtësinë në jetët tona. Aq më pak të drejtë kanë për të gjykuar, ata që nuk jetojnë më këtu. Çfarë bëtë ju për të mirën e këtij vendi, kur e patë që u morrë tatëpjeta. Ndejtët urtë ose mbushët torbat dhe ikët. Shkuat drejt vëndeve të kulturuara, të qytetëruara, të emancipuara e të lexuara e shkruara. Diferencën pikërisht ajo kulturë e ai qytetërim, shkrim e këndim e bën. Një popull syçelët e ka të qartë se s’ka pse ikën nga sytë këmbët, nga problemet e tij, por duhet të përballet me këto probleme. Është absurde që fëmijët e vegjël, ende pa mësuar shqipen të angazhohen për të mësuar gjuhë të huaja, anglisht, italisht e gjermanisht, që të jenë të përgatitur sepse numërimi sëprapthi, për largimin nga vendi, ka filluar që me daljen nga barku i nënës.
Çfarë përfaqëson burrëria në fondin e vlerave sociale dhe në vetëdijen individuale të shqiptarëve?
Së pari mendoj se përfaqëson forcën fizike shpirtërore dhe krakteriale për të vënë vullnetin në zbatim dhe të shndërojë dëshirat në realitet të prekshëm. Burrëria tek individi përfaqëson në nivel simbolik nderin, besën, besueshmërinë, fisnikërinë, lartësinë e figurës, trimërinë, urtësinë, mençurinë, maturinë, diplomacinë, sublimen dhe sakrificën. Kjo burrëri nuk ka kahje gjinore, kushdo me fare pak dëshirë dhe guxim të mjaftueshëm mund ta shtyjë veten në përvetësimin e kësaj vetije.
Do ju lutesha që të ushtronit pak më shumë vëmendje, herën tjetër që do u dëgjoni zërin këtyre burrave të sotëm, që i mbajmë si më të parët e vendit, për hir të karrigeve që u kemi lejuar të uzurpojnë. Ja keni dëgjuar zërin këtyre…?! A keni mundur të shkundni arrogancën nga ligjërata e lodhshme?! A keni mundur të shkundni teatralitetin, sharlatanizmin, interesaxhiun, oportunistin, nga portreti i shtirjes pa kurrfarë shprehije të përcaktuar?! A keni mundur të shquani burrin, që gjendet pas mashkullit?!
Mungon ajo burrëri me përgjegjshmëri dhe dinjitet e si pasojë nuk ka më burra e gra, që të garantojnë një ligjzbatueshmëri rigoroze, barazi para ligjit dhe rrjedhimisht siguri jete në këtë vend të begatë.
Si është e mundur që pronën private ta mbrojmë me kaq ngulm e me kaq vetmohim e revolt, sakaq që këtë vend, vendin tonë të mos e mbrojmë e nderojmë me pokaq këmbëngulje?! Përse ndodh ky distancim i vendasit nga vendi? A jeni të ndërgjegjshëm se këtë vend e ka mbajtur të fortë me aq sa është e mundur, vetem burrëria e disave dhe e ka rrënuar kurvëria e shumicës. Ju ku e shihni veten?!
Shqipërisë i kanë ardhur “ato”
Për momentin mendoj se Shqipërisë i kanë ardhur “ato”, po ndodh një hemoragji e paprecedentë burrërie mes të tjerash. Po shumohen hajdutët, mashtruesit e kriminelët. Po shumëfishohen me horrllëk mënyrat e hajdutërisë, mashtrimit dhe kriminalitetit. Kemi kaq pak respekt për vendin tonë, rrjedhimisht për veten. Kjo edhe sepse edukimi i të rinjve sot është një mbetje llumbore në sallatën mendore, me rrënjët tek amalgami i kotë e alarmant i informacionit që vjen nga rrjetet sociale dhe interneti në përgjithësi.
Kemi dalë në dritë në një periudhë kohe kur injoranca të merr jetën e të bën të vdekur. Kur mileti adhurojnë më shumë se çdo gjë, të shohin jetën e të tjerëve nëpër rrjetet sociale. Adhurojnë të shohin bythë e gjokse lartë e poshtë, pa e menduar që ato gjokse e bythë, ia kanë zënë sytë e vetëdijen njerëzore asaj që i ka. E pengojnë që të kërkojë në vete të tjera vlera përveç atyre mishtore. Ato hire i përdor si instrument, si armë e shkatërrimit në masë të ndërgjegjies së miliona ndjekësje. Si armë e shkatërrimit në masë të asaj që secili kërkon vërtet në jetë, përpos masturbimit dhe mashtrimit të vetes përmes fasadës së brishtë të mirëqënies së shtirur. Zhburrërim!
Është shpërfytyrues fakti se ka mbi një shekull që gjuha shqipe (e ristrukturuar) shkruhet e botohet, dhe prap shqiptarët në masë të gjerë, kane lexuar e njohin vetëm emrat e autorëve dhe titujt e veprave, në rastin më fatlum. Ky është edhe shembulli më flagrant se pse përjetohet një miopi sociale, mbi vlerat amtare.
Ne ndoshta nuk e ndryshojmë dot realitetin shqiptar me një të kërcitur të gishtërinjve, sepse janë betonuar njëmendësisht shëmtitë reale, virtuale dhe psikologjike. Mund të duhen më shumë se dy jetë njerëzore për ta sjellë përfundimisht në shina këtë lokomotivë lëshuar në tym e mjegull, e askush s’i ka dy jetë. Ama bashkë i kemi 10 milion jetë. Bashkë, dashamirësia dhe vlerësimi i drejtë ndaj vendit tonë mund të bëjë mrekullira. Kjo dashamirësi na u la amanet nga të parët dhe do përcillet ndër breza.
Gjurmët që lëmë në këtë botë, janë e vetmja gjë që jeton në përjetësi, secili të gjejë burrërinë brenda vetes, që këto gjurmë t’i lërë në vendin e tij./usalvision