nga Genci Hoti
(një përgjigje e detyruar mbi mësimin e Historisë)
Ky 550 vjetor i Kalorësit epirot të Krishtit paska qenë një halë në sy për armiqtë dhe trashëgimtarët e tyre këtu në Shqipëri. Kohët e fundit janë shpalosur në FB disa teori sa të vjetra aq dhe të mërzitshme në përmbajtjen e tyre, por që shërbëjnë për të përcaktuar se kush kanë qenë levat e diktaturës bolshevike këtu tek ne përgjat periudhës 1945-1992. Këto teori të shpëlara, ndoshta përfundimisht, por të huazuara nga shkolla serbe, nxorrën në pah dy pikëpamje:
1-Katolicizmi hyri në masë në Shqipëri pas vitit 1550.
2-Familja e Gjergj Kastriotit ishte e ritit ortodoks dhe është e varrosur në Hilandarin ortodoks serb.
Në parim edhe mund të jenë të sakta nëqoftëse nuk do të kishin lidhje me shkollën serbe, sidomos pika e dytë, por pika e parë është fund e krye e gënjeshtërt për shumë e shumë arësye. Me sa duket autorët e këtyre tezave nuk e kanë njohur historinë e Krishtërimit në asnjë gërme, le pastaj atë të Katolicizmit në Shqipëri; megjithatë ka zëra që thonë se në Kosovë serbët e quanin Fenë Katolike fe të shqiptarëve. E sqaroj Pirro Priftin fillimisht për pikën e parë, meqënëse e konsideroj viktimë të politikës antishqiptare.
Në territorin e sotëm shqipfolës katolicizmi ka pasur dy faza zhvillimi të ndara midis tyre nga epoka e Gjergj Kastriotit, pa pasur asnjë lidhje të drejtëpërdrejtë me të, ku etapa e parë përben Lindjen europiane të epirotëve dhe etapa e dytë rilindjen europiane të shqiptarëve, pasardhësve të drejtëpërdrejtë të epirotëve duke pasur si emërues të përbashkët Kishën e nderuar Katolike Epirote dhe atë Shqiptare. Shqiptarët akoma nuk e kanë mësuar se Papa i parë i Krishterimit Institucional në qytetin e Përbotshëm të Romës ka qenë i Trembëdhjeti Papë i Kishës së Shenjtë Epiroti Shën Eleuteri (175 -189).
-Gjurmën e parë të Katolicizmit në popullatën shqipfolëse e kemi të saktësuar me Koncilin e Tivarit me 1199 kur u vendos të ndalohej martesa brenda rrethit të shtatë në familjet katolike shqiptare.
-Gjurmën e dytë të Katolicizmit në popullatën shqipfolëse e gjejmë në Statutet e Shkodrës (gjysma e parë e shek. të XIV deri me 1469) ku në artikullin e Oliver Jens Schmitt: “Një monument i Shqipërisë Mesjetare Statutet e Shkodrës” gjejmë të shkruar: “Në asnjë tekst tjetër nuk vërehet kaq qartë karakteri neolatin i botës qytetare të Shqipërisë së Veriut dhe vitaliteti dalmat i pjesës së parë të shek. XIV”.
-Gjurmen e tretë të Katolicizmit në popullatën shqipfolëse e gjejmë në Statutet dhe Urdhëresat e Kapitullit të Kishës Katedrale të Drishtit (1456) nga ku rezulton se Drishti ka qenë seli ipeshkvnore e Varoshit 1359-1397.
-Gjurmën e katërt të Katolicizmit në popullatën shqipfolëse e gjejmë tek Formula e Pagëzimit (1462) e Imzot Pal Engjëllit (1416-1470), Ipeshkëv i Durrësit.
-Gjurmën e pestë të Katolicizmit në popullatën shqipfolëse e gjejmë në Kanunin e Skënderbeut (në pjesën e shtatë) ku në 14 artikuj flitet për Kishën e Krishtenë (Katolike) të veçuar nga Kisha Ortodokse. Në nenin 3427, ka një shënim ku, midis të tjerave, shkruhet: “Me ndamjen e perandorisë Romake edhe tokat Ilire u ndanë dysh, jugu me perandorinë e lindjes, kurse pjesa veriore me atë të Romës, kështu edhe mbas ndamjes së kishës në shekullin e XI. Kisha e krishtenë në lulëzim të plotë që në fillim, mbrriti gati në të shuem me islamizimin e mbarë vendit të pushtuem prej turqve aq sa mbërriti në 62 (1462, GH) me 38%. Tokat Ilire që nga jugu në veri janë të mbushura me rrënoja kishash, gjurmët e të cilave shihen kudo dhe në ditët tona. Njehen mbi 33 djecze (dioqeza, GH) e janë: djeczet ma në shej në Iliri, tue fillue nga jugu në veri, si: 1)Gllavinica, Akroreceraunja; 2)Butrinti; 3)Aulona; 4)Pojani; 5)Bilida; 6)Amancja; 7)Pilkerjopulli (Berati); 8)Ohri; 9)Skampa; 10)Kunavia; 11)Vregu; 12)Durresi; 13)Albanopuli ose Arbni; 14)Euba ase Kruja; 15)Bena; 16)Lisi (Mat); 17)Shtjefni (Dibër); të gjitha këto sufragane të Durrësit; 18)Lezha; 19)Sapa; 20)Deja; 21)Sarda; 22)Pulti; dy djeceza; 23)Shasi; 24)Ulqini; 25)Tivari; 26)Kraja; 27)Shkodra; 28)Budua; 29)Raguza; 30)Djoklea, (Ma e randësishmja në Dalmaci); 31)Shkupi; 32)Peja; 33)Prishtina”.
I përmenda të gjitha këto për të treguar se Kisha e Nderuar Katolike Epirote ishte e shtrirë në të gjithë territorin e popullatës shqipfolëse deri në vitin 1462, dmth 6 vjet përpara se Heroi ynë Kombëtar të shkonte tek Idhulli i vet, Jezu Krishti, për të cilin luftoi gjithë jetën dhe për këtë Europa e futi në histori.
-Gjurmën e gjashtë të Katolicizmit në popullatën shqipfolëse e gjejmë në Kanunin e Lek Dukagjinit, ku në Librin e parë kemi titullin: Kisha dhe në artikullin e parë bëhet fjalë për pjesën qytetnore.
Të gjashta këto gjurmë të Katolicizmit Institucional janë përpara vitit 1468, dhe janë të lidhura me Historine e Katolicizmit ndër shqiptarë. Pas 1478, të gjithë institucionet Katolike epirote u larguan nga territori i sotëm i Shqipërisë, por bërthama e saj ndenji në Kosove dhe kjo është arsyeja përse Kosova është Djepi i shqiptarisë së sotme. Por në këtë kuadër ne gjejmë një gjurmë të re të shtrirjes së Katolicizmit institucional përpara vitit 1478.
-Gjurmën e shtatë e gjejmë tek prejardhja e Gjon Françesk Albanit (1649-1721), Papa i 243 i Kishës së Shenjtë Katolike Klementi XI (1700-1721) me origjine nga Kurbini. Dmth në parim epirotët të ritit Ortodoks u vendosën në Kalabri, por pati edhe epirotë të veriut (Kurbin) që u vendosën në Itali dhe që ishin të besimit Katolik.