Atje mbretëronte vetëm errësina e lagështina… Një rreze drite mezi hynte nga një përzore në fund të një tuneli prej tre e ma shumë metrash, sa ç’ishte trashësia e murit…Njerëzit ishin dobësuar nga mungesa e ushqimit. Gjysma e të dënuemve u verbuan.. Ndue Doshi, Mark Doshi, Tomorr Dine, Kujtim Velmishi etj., ecnin këmba doras e duheshin mbajtur për krahu. U sëmur për vdekje i riu Musa Sina. Kur e pa rreshter Qaniu: Merreni dhe hidheni në det këtë kërmë!
Ishte viti 1950 kur regjimi komunist ishte në kulmin e luftës së ashpër kundër atyre që ishin etiketuar si “Armiq të Popullit”. Pjesa më e madhe e intelektualëve të Shqipërisë bashkë me familjet e tyre u syrgjynosën nëpër burgjet dhe kampet e internimeve të përgatitura me kushte çnjerëzore. Kampi i Portopalermos ishte një prej tyre, atje ku u mblodhën familjarët e disa prej emrave më të famshëm të caktuar nga regjimi si “armiq të popullit”. Lekë Pervizi e rrëfen me detaje kampin e Porto Palermos dhe tmerret që ai pa me sy në atë kamp.
Kur na çuan në kalanë-burg të Porto Palermos, aty gjetëm të mbylluna në atë kala mesjetare, disa nga familjet ma të randësishme të Veriut, si Gjomarkaj, Pervizi, Bajraktari, Dine, Dema, Ndreaj, Topalli, Mirakaj, Kolaj, Spahia, Sinaj, Shehaj, e të tjera familje bajraktarësh nga Mirdita, Malsia e Madhe, Puka, Lezha etj., krejt gra e fëmijë, pleq e plaka. Aty gjetëm mamën tonë dhe kushrinën Bardha Gjomarkaj, e cila ishte njohun me Valentinin po atë ditë kur ai kishte mbrritë nga Italia në Shkodër. Nuk kaloi një javë dhe të gjithë familjet i larguen e i çuen në kampin e Tepelenës. Kalaja e Porto Palermos u kthye në burg vetëm për burra. Jo me dënime nga ndonjë gjykatë por të përplasun brenda saj nga Sigurimi. Aty mbretëronte vetëm errësina e lagështina.
Mue me Valentinin na kishin caktue në një kthinë të madhe, 10 x 5 metra dhe e lartë 6 metra. Drita mezi hynte nga një përzore në fund të një tuneli prej tre e ma shumë metrash, sa ç’ishte trashësia e murit. Në atë kthinë si shpellë e ciklopit Polifem, na caktuen vendin në fund të saj nga ana e lindjes, drejt mbi rrasa guri. Aty ishin shtri nga të dy anët me një shteg kalim në mes 20 vetë rresht njeni pas tjetrit me kokë nga muri dhe kambët karshi. U njohëm menjëherë me ta. Përballë kishin Vasil Kokalin, një djal i ri nga Saranda, e Shpend Sherifin, ishte toger nga Tropoja, që kishte qenë në burgun e Shkodrës me Valentinin. Pastaj vinin me radhë, Luigj Marku, Luigi Hila, Avni Agolli, dy vllaznit Çullhaj, Bajram Xhaferri, Sherif Tafani, e të tjerë që nuk me kujtohen, e kam fjalën për dhomën tonë. Nga të tjerë më kujtohen, Haziz Kurjani, Kujtim Velmishi, Piro Mavromati, Xhevit Matjani, Bexhet e Haziz Ndreu, Zef Gjoka, Seit Ukaj, Cen Golja, vllaznit Dushi, ku ma i madhi Deda ishte bukëpjeksi ynë, sepse buka piqej në furrën e kalasë. Ne ishim në kushte të një izolimi të plotë.
A kalonte a s’kalonte një kamion në muej në rrugën Vlorë-Sarandë. Mue dhe Valentin kur na sollën këndej, makina na la në Himarë te posta e policisë, ku fjetëm atë natë nën yjet. Të nesërmen, dengun e teshave mbi kurriz e në kambë deri të Kalaja të shoqnuem nga një oficer i sigurimit i armatosun. Me mbylljen në kalanë e Porto Palermos, Valentinit iu pre çdo lidhje me të shoqen. Jo vetëm kaq por dhe me dashtë me shkrue nuk kishte as letër as zarf as kartolina, fjala vjen. Pa asnjë t’ardhun e ndihmë tjetër ne jetonim vetëm me spirilangun e kazanit që na ndahej një lugicë në ditë dhe copën e bukës të qulltë prej thekni. Sa që u ba problem dhe u vendos që ta zbrisnin racionin nga 650 në 400 gram, por të pjekun në tullë. Së pakut të hanim buk dhe jo pelte.
Njerëzit ishin dobësue nga mungesa e ushqimit. Gjysma e të dënuemve ishin verbue nga mungesa e vitaminave, si Ndue Doshi, Mark Doshi, Tomorr Dine, Kujtim Velmishi etj., që ecnin këmba-doras e duheshin mbajtur për krahu. U sëmur për vdekje i riu Musa Sina. Kur e pa rreshter Qaniu që zëvendësoi komandantin, kapter Ahmetin, u tha atyre që e ruenin: Merreni dhe hidheni në det këtë kërmë! Përmendëm kapter Ahmetin nga Kuçi i Kurveleshit, i cili kishte qenë roje në burgun e kalasë së Gjirokastrës që mbahej i tmerrshëm. Kur e sollën komandant në Porto Palermo mbeti pa mend nga kushtet tepër të këqija dhe u shpreh haptas, se kalasë së Gjirokastrës i paskej dalë nami për keq kot, sepse kjo e Palermos qenka për t’i qa hallin!
Nuk vonoi dhe filluen të sjellin ish-të burgosun që kishin plotësue dënimin pesëvjeçar, si Viktor Dostin, Fatbardh Kupin, një farë Kalenja, nga Mallakastra ish-shok i Mehmet Shehut, që na tregonte për krimet e tij. Pastaj kalaja u mbush me nja 20 vetë nga Devolli e Korça të familjeve Bylykbashi, Kollçinaku, Merolli, Kadiu, Barolli, Kulla etj. Sollën disa nga Mirdita e Puka që ishin arrestue për vrasjen e Bardhok Bibës. Kështu u pa se ajo kala do të mbushej mirë me të burgosun politikë me një qëllim shumë djallëzor e pervers. Atë të zhdukjes fizike me anë të mungesës ushqimore, me një trajtim tepër të keq. Përveç të tjerave, nuk kishte asnjë strukturë higjienike. As ilaçe e mjekime. Për mjek as që flitej. Siç thamë nga dobësia njerëzit filluen të verbohen nga sytë. Filloj të shfaqej dizanteria. Policia na çoi disave në Himarë për të marrë disa pako që kishin ardhë aty, nga familjet e të dënuemve.
Mue më kishte zanë dhimbja e një dhëmballe dhe kishte disa net qe nuk flija. Me atë rast ma hoqi dhëmballën berberi që kryente edhe detyrën e dentistit për të shkul dhambë e dhëmballë, pa asnjë mjekim, me një palë dana të zeza sterr. Se si m’u dha me kërkue një mjek, dhe polici më lejoi. Mjekut puro himariot i besova dhe i tregova për verbimin, dizanterinë, ushqimin e keq dhe mungesën e ilaçeve. Njeri i mirë siç ishte më tha troç: E keni pisk punën, në ato kondita pa shpresë. Ç’të thoshte tjetër, i kishte thanë të gjitha.
Fatmirësisht qëndrimi në ketë kala nuk shkoi gjatë se do të kishim vdekur të gjithë. Doktori himariot u shpreh qartas, … pa shpresë. Kishte plotësisht të drejtë. Ushqimi ditor ishte mizerabël, 400 gram bukë thekri e një lugë lëng groshe ose makaronash. Në kala rrezja e diellit nuk depërtonte asnjëherë në ato mure tre metra të trasha. Dritaret ishin shumë të vogla, ambjenti ishte gjithmonë në terr. Lagështia ishte një gjendje e mjerueshme. Për të fjetur si dyshek kishim rrasat e gurit. Ujë të kripur e me krimba pinim nga pusi që ishte në hyrje të kalasë, para zyrave. Ajo dobësi kishte përfshi edhe Valentinin.
Unë dhe të tjerë po e shihnim se ishte zverdhë në fytyrë, dhe mezi lëvizte. Pse? Ç’kishte? Unë insistova të tregonte. Atëherë ai më mori e më çoi te një ndërtesë e rënueme, në një qoshe, dhe zbuloi dy sqetullat e krahëve. Ç’me pa?? Dy lunga të mëdha, plot qelb e gjak. Po pse nuk na ke thanë Valentin? Duhen shpue urgjentisht. Si me ia ba? Unë shkova dhe mora një gjemb të madh drize, s’kishim mjet tjetër. Ia shpova e çava, me atë gjemb e kështu shpërtheu i gjithë qelbi. Në ato çaste sikur po і binte të fikët dhe u bana gati me thirr ndihmë. Për fat e mori veten, dhe gjithçka kaloi. Eh mor Valentin, ku ti e ku Gori? Ajo në Parajsë e të në Ferr. E ku mund ta përfytyrojë ajo si jemi degdisë? Valentini shpëtoi kot, se lungat janë shumë të rrezikshme, jo si të thatët. Ato shkaktojnë helmimin e gjakut.
Skicë e kalasë së Porto Palermos (1950) që unë kisha vizatue në një copë letër dosido. Operacioni primitiv me një gjemb drize, i paimagjinueshëm nga mjekësia, ia shpëtoi jetën Valentinit. Por po të vazhdonim në ato kondita të mjerueshme, zor të shpëtonim të gjithë sa ishim nga që po shkriheshim dita-ditës, dhe ishim të vetëdishëm për një mbarim tragjik tonin.
Papritmas gjendja ndryshoi. Ata kriminelë që kishin vendosë të na vdisnin aty, u detyruen të na heqin urgjentisht. Transferimi nga Porto Palermo u bë i befasishëm me nxitim të madh. Kur na nxorën nga kalaja, pamë se aty ngjit me bregun ishte një motobarkë e madhe ngarkue me dërrasa. Plot oficerë e policë. Nxorën nga barka të prangosur pesë vetë dhe і ngarkuen në një gaz Molotov me drejtim nga Vlora shoqëruar me dy xhipsa. Në anën tjetër me turi nga Saranda, ishin katër kamionë të mbuluem.
Ne të tjerëve na hypën në ata kamionë me gjithë plaçkat. Udhëtuem gjithë kohën si duket me drejtim nga Delvina, dhe sosëm në Tepelenë natën, ku na stivosën në kazermat ciklopike duke na bashkue me të internuemit e tjerë. Ishte nëntori 1950. Qysh të nesërmen na nisën në mal në punën e detyrueme për të ngarkue në kurriz barrë drush e shtylla për miniera, bashkë me të internuemit e tjerë, gra e burra, dhe kjo punë bahej çdo ditë, nga agimi deri kur binte nata.