Më 28 nëntor 1912 janë shkruar me një tekst orgjinal dy ekzemplarë të deklaratës. Një u vendos në arkivin e Qeverisë së Vlorës dhe tjetra ju dha vëllait tim, Lef Nosi, për ta ruajtur. Pas ngritjes së flamurit në Elbasan, më 25 nëntor 1912, Lefi ka qenë një nga delegatët e zgjedhur dhe mori pjesë në Kuvendin e Vlorës, në nënshkrimin e Deklaratës së Pavarësisë.
Si u dërgua në gusht të vitit 1959 Deklarata e Pavarësisë së Shqipërisë në Tiranë, rruga derisa mbërriti në Arkivin e Shteti
Lef Nosi njihet si politikan, atdhetar, intelektual, dhe studiues i kohës. Ai ishte i deleguar nga Elbasani, si dhe një nga përfaqësuesit e popullit në Kuvendin e Vlorës, një nga firmëtarët e deklaratës së shpalljes së pavarësisë, më 28 nëntor 1912. U zgjodh ministër në Qeverinë e Përkohëshme me kryeministër Ismail Qemalin. Lef Nosi, ka qenë i ngarkuar nga vetë Qeveria e Vlorës, për ruajtjen e dokumentit te Pavarësisë së Shqipërisë. Në kushtet e asaj kohe, ai ka treguar kujdes edhe për njohjen sa më të gjerë të mundëshme të këtij dokumenti themeltar.
Në Kongresin e Lushnjes, në vitin 1937, me rastin e 25- vjetorit te Pavarësisë, Lefi e fotografoi dokumentin orgjinal që kishte në ruajtje, e botoi dhe u dhuroi nga një kopje familjeve të të gjithë nënshkruesve. Me këtë akt, ai u bë edhe publikuesi e shpërndarësi i dokumentit.
Fotografimi dhe shpërndarja e dokumentit të pavarësisë, kanë vlerën e tyre edhe në ndihmë të ruajtjes së orgjinalitetit të dokumentit themeltar, të krijimit të më shumë burimeve për të ruajtur përmbajtjen, si dhe moslejimit të fallsifikimit e manipulimit të mundshëm.
NJOHJA ME DOKUMENTIN ORIGJINAL TË PAVARËSISË SË SHQIPËRISË
Në nëntor të vitit 1958, kur isha nxënës në klasën e katërt, në shkollën “Kostandin Kristoforidhi” në Elbasan, morëm si detyrë nga mësuesja e gjuhës shqipe, njëherësh edhe kujdestare e klasës, Veronika Santo, që të bënim një hartim për ditën e pavarësisë, më 28 nëntor, dhe do të lexohej nga secili para nxënësve të shkollës.
Pasi bëra detyrat për ditën e nesërme, përgatita tekstin e referatit. Pastaj shkova për të ndihmuar si përherë, Grigorin (Gigi i thërrisnin në shtëpi dhe shokët), djalin e Stiliano Nosit, siç njihej gjerësisht në qytet me emrin doktor Nosi. Mësuesja e klasës Veronika dhe drejtoresha, Vule Starova, më kishin caktuar për ta ndihmuar atë në mësime. Njëkohësisht kisha edhe detyrimin familjar, pasi babai kishte miqësi me doktor Nosin.
Njohja me Deklaratën e Mëvetësisë.
Duke bërë mësimet, erdhi në dhomën e ndenjies, doktor Nosi. U interesua për detyrat që kishte bërë djali i tij. I thashë, se po e ndihmoj për referatin për ditën e Pavarësisë.
Doktor Nosi na vështroi dhe qeshi.
-Përse qeshni e pyeta?
-Po ta mbani të fshehtë, do t’u tregoj një sekret! Më premtoni?!
Të dy u çuditëm. Pamë njeri-tjetrin në sy dhe natyrshëm thamë:
-Të premtojmë! Nuk do të tregojmë!
Doktor Nosi u largua për disa çaste, me një çelës në dorë.
Erdhi, na mori përdore dhe shkuam sëbashku në dhomën tjetër të miqve që përdorej si dhomë pune dhe studimi nga ai. Hapi një sirtar, në pjesën e ulët të raftit të bibliotekës. Në mur ishte një kasafortë metalike. Hapi kasafortën me çelësin që mori nga një dhomë tjetër më parë dhe nxori një kuti metalike. Pasi e hapi, nxorri një zarf dhe prej tij, nxori një dokument.
I vetmi dokument orgjinal që zbulohet është i Lef Nosit . Dokumenti tjetër nuk gjendet në arkivin e shtetit. U bëra DËSHMITAR(Qemal Lame) i njohjes me dokumentin themelor të shtetit shqiptar dhe të dorëzimit të tij tek një zyrtar i lartë, për ta dorëzuar për ruajtje në arkivin e shtetit.
PASHË DHE LEXOVA DOKUMENTIN E PAVARËSISË
Doktor Nosi ngriti dokumentin që ta shihnim dhe na tha:
-Ky është dokumenti orgjinal i Mëvetësisë së Shqipërisë! Kjo është Deklarata e Mëvetësisë së Shqipërisë!