PROF.DR.HAJRI SHEHU/ Prof. dr. sc. Murat Meha, ka lindur më 3 dhjetor 1956 në Prekaz të Poshtëm, Skënderaj, Kosovë. Shkollimi: Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në Prekaz dhe Skënderaj. Në Universitetin e Zagrebit kreu Fakultetin e Gjeodezisë dhe magjistraturën. Doktoratën e mbrojti në Universitetin Politeknik, Tiranë. Është doktori i parë shqiptar i shkencave të gjeodezisë jashtë Shqipërisë. Nga viti 1988 është pedagog në Universitetin e Prishtinës. Aty ka marrë edhe titullin akademik “profesor”. Ka qenë bashkëpunëtor i jashtëm në Universitetet: Tetovë, Shkup, Tiranë dhe hulumtues në Universitetin Teknik – Vjenë dhe në Universitetin Perëndimor të Hungarisë – UWH. Në vitin 2009, ka qenë për vizitë në njësinë hartografike në Departamentin Amerikan të Shtetit, në Washington DC. Në vitin 2015 ka qenë për hulumtime në Spatial Data Infrasctruture – SDI, në Tokio për përpilimin e parë në gjuhë shqipe të hartës topografike 1:25 000 për territorin e Republikës së Kosovës. Është anëtar i Shoqatës së Gjeodetëve të Kosovës, i Shoqatës së Gjeodetëve të Shqipërisë, i Federatës Ndërkombëtare FIG dhe EuroGeographic.
Në vitin 1980 ka filluar punë në NSH “Ferronikeli”. Nga viti 1999-2005 e deri në privatizimin e tij ka qenë drejtor i këtij gjiganti. Më pas, kryeshef ekzekutiv në Agjencinë Kadastrore të Kosovës (2003-2006 dhe 2010-2018). Në vitet 2008-2012 ka qenë anëtar bordi në N.P., “Ibër-Lepenc”, Prishtinë. Nga viti 2008-2017, fillimisht ka qenë anëtar e më pas, kryetar i Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror të Kosovës me Maqedoni, Mal të Zi dhe Serbi. Po ashtu, ka qenë anëtar i delegacionit shtetëror në takimet ndërkombëtare në Bruksel (2011-2015) për kthimin e dokumentacionit kadastror, grabitur nga Serbia në vitin 1998 dhe për kufirin e integruar IBM.
Menaxhim i projekteve shtetërore të Kosovës: Në vitin 2004, për herë të parë stabilizohet kadastra digjitale për gjithë territorin, sipas modelit FIG “Kadastra 2014”. Nga viti 2011- 2018, për herë të parë vendosen sistemi satelitor GNSS-KOPOS, sistemi i unifikuar i adresave, gjeoportali shtetëror me të dhëna të hapura, rivelimet aerofotogrametrike.
Publikime: Ka publikuar mbi 150 punime dhe ka bërë mbi 200 prezantime në revista profesionale, simpoziume, konferenca, kongrese, uorkshope. Shumica e tyre janë në www. të FIG, ICC, Euro Geographics, WPLA, CELKCenter, FAO, GIM International, si dhe në konferencat vjetore të Bankës Botërore në Washington DC etj. Ka udhëhequr sesione shkencore ndërkombëtare në Tiranë, Shkup, Stamboll, Zagreb, Sofje, KU Leuven, Athinë, Uashington, Kuala Lumpur. Është autor e bashkautor në punime profesionale: 2 doracakë, 15 libra, 4 përkthime. Njëri prej tyre, libri “Kadastra 2014” është përkthyer në 24 gjuhë të botës. Është autor i 4 atlaseve gjeografike, një harte topografike 1:25 000 dhe 8 hartave tematike të Kosovës.
Autor i librit është prof. dr. sc. Murat Meha. Libri titullohet “Kufiri i shtetit të Kosovës (Studim dhe dokumente)”. Libri është paraqitur më 10 qershor (2025) në Institutin Albanologjik të Prishtinës, në një auditor të spikatur. Tematika e librit është shteti i Kosovës dhe kufijtë e tij. Është temë madhore. E, mu për këtë, profesor Meha i ka kushtuar vite pune e studimi.
Nuk ka shtet pa territor. Dhe nuk ka shtet që të mos e kufizojë territorin e vet, mbi të cilin ushtron sovranitetin e vet e integritetin e vet. Edhe Kosova jonë ka, më në fund shtetin e vet. Është shteti që na vjen bashkë me historinë e shkëlqyer të luftës për çlirim kombëtar.
Për përcaktimin e kufijve të shtetit të Kosovës janë shfrytëzuar, – thotë autori, – dokumente origjinale – vendore dhe ndërkombëtare, tekstuale e hartografike me gjeoinformacionin përkatës. Interpretimi ka qenë ligjor, matematik e gjeometrik, në pajtim me të drejtën ndërkombëtare. Dhe dokumentacioni për kufijtë dhe territorin e Kosovës është arkivuar edhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Një zgjuarsi më vete edhe kjo.
Komisioni i parë qeveritar për kufijtë e shtetit të Kosovës është themeluar më 27 mars 2008, me vendimin nr. 6/13. Komisioni kishte 5 anëtarë. Autori, prof. Murat Meha ka qenë një ndër anëtarët. Komisioni kishte për detyrë të zbatonte dokumentacionin, mbi të cilin ishte shpallur Pavarësia, në pajtim me të drejtën ndërkombëtare, domethënë, Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ligjin për kufijtë dhe Deklaratën e Pavarësisë. Dhe kështu është vepruar. Dhe profesori ka qenë me tërë qenien e vet e me tërë përkushtimin e vet në të gjitha zgjidhjet shtetërore. Në libër pasqyrohet mjaft mirë veprimtaria e këtij komisioni.
LIBRI I PROFESOR MURATIT KA 7 KAPITUJ. NJËRI MË I SPIKATUR SE TJETRI.
Përpara se të vijë te shteti i sotëm i Kosovës, autori na çon te historia e Kosovës. Është historia e kolonizimit të Kosovës nga Serbia. Dhe kjo histori është trajtuar me vërtetësi. Dhe, sigurisht me dhembje e rrëqethje. Ajo nis me vitin 1912- 1913, kur Fuqitë e Mëdha e ndanë dhe e copëtuan Shqipërinë me Konferencën e Ambasadorëve në Londër. As Konferenca e Paqes në Paris (1919-1920) nuk solli asgjë për Shqipërinë. Ndërkohë, Italia mbante Vlorën, derisa kryengritja shqiptare (më 1920) e bëri të tërhiqej. Qëndresa shqiptare për trojet e veta stërgjyshore nuk reshti. Por, megjithatë shumë territore shqiptare mbetën jashtë kufijve të Shqipërisë. Mbetën në Mbretërinë Serbo-Kroato-Sllovene (më pas – Jugosllavi) e në Greqi. Në këtë kontekst, autori bën me të drejtë paralelizmin: Pse e la Shqipëria Kosovën më 1912 jashtë territorit të saj ? Pse i la Kosova jashtë vetes më 2008 tri komunat shqiptare në Serbi (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë) dhe komunat shqiptare në Maqedoni (Kumanovë e deri në Ohër e Manastir), edhe pse kanë vazhdimësi territoriale me Kosovën ? Historia e Kosovës vijon derisa ajo çlirohet. Por jo të gjitha trojet shqiptare janë çliruar.
Autori vijon edhe më tej me historinë. Më 1926, domethënë, 14 vjet pas shpalljes së Pavarësisë, ishin përmbyllur kufijtë e Shqipërisë me fqinjët. Brenda territorit të Mbretërisë SerboKroato-Sllovene kishin mbetur territoret shqiptare – Kosova e sotme e pjesët e tjetra përgjatë kufirit – në Mal të Zi, Serbi e Maqedoni. Çamëria i kishte mbetur Greqisë. 85 000 km2 ka qenë territori i banuar nga shqiptarët. Ndërkohë, ndarje të tjera pati në Mbretërinë Serbe: Një pjesë e Kosovës, përvetësuar nga Mali i Zi, ishte në banovinën e Zetës. Pjesa tjetër – nën Serbi e Maqedoni – në banovinën e Moravës e të Vardarit. Që nga viti 1912 e deri në qershor të vitit 1999, – thotë autori, – territori i Kosovës ka qenë i pushtuar nga Serbia. Por Serbia e ka humbur Kosovën për jetë e mot sepse ajo e ka fituar tashmë pavarësinë. Me Kushtetutën e RSFJ të vitit 1974, Serbia e ka humbur edhe mundësinë e ndryshimit të kufirit të Kosovës: Kufiri i krahinave nuk mund të ndryshohet pa pëlqimin e krahinës përkatëse” (neni 5).
Është përcaktuar kufiri ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, si dy shtete të pavarura, sikurse edhe për shtetet e tjera, të formuara nga shpërbërja e RSFJ. Vija kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është mbështetur në Kushtetutën e RSFJ, 1974 për kufijtë e republikave dhe të krahinave, në Kushtetutën e KSA të Kosovës, në dokumentacionin dhe metodologjinë kadastrore të rilevimit të kufirit komunal, sipas parimit universal “uti possidetis”* (sipas pronësisë, sipas gjendjes së kufijve – H.Sh.) në momentin e shpalljes së Pavarësisë dhe në parimet e komisionit “Badinter” / 1991-1993. Është zbatuar, gjithashtu “Propozimi gjithëpërfshirës për statusin e Kosovës” nga pakoja e M. Ahtisaarit (2007). Autori e thekson me forcë se kufijtë e brendshëm të Republikës Federative të Jugosllavisë, të republikave dhe të krahinave u njohën si kufij ndërkombëtarë sipas parimit (ndërkombëtar) uti possidetis. Parimi uti possidetis, kushtetutat e Jugosllavisë për kufijtë e brendshëm, baza kadastrore, Deklarata e Pavarësisë së Kosovës dhe e drejta ndërkombëtare garantojnë se nuk mund të preket kufiri i Republikës së Kosovës. Argumentet dhe faktet që përmend autori në libër janë krejt të mjaftueshme. Dokumentet zyrtare për kufirin dhe territorin e Kosovës së sotme janë arkivuar në arkivin e Kosovës, të Serbisë dhe të Republikës Federative. Kosova ka kufijtë që kishte si Krahina Socialiste Autonome e Kosovës – të pandryshuar. Dhe pastaj vjen fjala e mençur e autorit, prof. Muratit: Nëse do të ishte fjala për kufij të rinj, ata do të trajtoheshin nëpërmjet shumë komponentësh të tjerë, sidomos, të lidhur me trojet historike të shqiptarëve.
Moment solemn për shtetin e Kosovës ka qenë Deklarata e Pavarësisë së Kosovës, me 12 pika, e shpallur nga Kryeministri i Kosovës, zoti Hashim Thaçi dhe e miratuar nga Kuvendi i Kosovës. Ajo e trajton drejtpërdrejt çështjen e kufirit. Në librin e profesor Mehës citohen të plota 12 pikat e Deklaratës.
Në kapitullin e shtatë, “Baza ligjore dhe standardet e kufijve dhe llogaritja e sipërfaqes së Kosovës”, autori përveçon tre komponentë: 1. Komponenti tekstual përshkrues; 2. Harta, si paraqitje grafike e territorit, ku shtrihet kufiri; 3. Baza digjitale e të dhënave, që kanë të bëjnë edhe me vizualizimin e dy komponentëve të parë. Harta kadastrore është paraqitja zyrtare më e saktë e vijës kufitare shtetërore. Autori u tregon tavolinave të gjykatave ndërkombëtare dokumentet e pranueshme ligjore: gjeoinformacionin, hartat me saktësi centrimetike, të dhënat kadastrore pronësore juridike etj. Fatmirësisht, – thotë autori, – të dyja shtetet (Kosova dhe Serbia – H.Sh.) kanë të njëjtin dokumentacion. Gjithçka sipas standardeve gjeodezike-kadastrore dhe hartografike të shtetit. Institucioni kryesor që përcakton e përgatit standardet është Agjencia Kadastrore e Kosovës. Para tavolinave të gjykatave ndërkombëtare është edhe dokumentacioni ndërkombëtar për kufirin e Kosovës (1999- 2008): komisioni “Badinter” / 1991-1993; Marrëveshja tekniko-ushtarake / 9 qershor 1999 (harta e Kosovës me kufijtë e vitit 1974); Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit / 1999; Harta topografike e NATO-s; Deklarata e Pavarësisë së Kosovës / 17.2.2008 etj. S
Lexuesi gjen në libër të gjitha të dhënat për sipërfaqen e shtetit të Kosovës. Kosova ka sistemin unik kadastror. Dhe për të vërtetësuar sipërfaqen e Kosovës janë llogaritur sipërfaqet e të gjitha parcelave në vend. Dhe në libër na vijnë këto të dhëna: mbi 2.23 milionë parcela, me rreth 607 000 pronarë e 1 305 zona kadastrore në 38 komuna. Por, ndërkohë, – thotë autori, – dinamika e ndarjes dhe e bashkimit të parcelave i ndryshon këta parametra. Prandaj sipërfaqja e Kosovës mund të llogaritet vetëm nga shuma e sipërfaqeve të parcelave ose vetëm nga shuma e sipërfaqeve të 1305 zonave kadastrore, ose nga shuma e sipërfaqeve të 38 komunave, ose nga llogaritja e sipërfaqes së kufizuar me vijën e kufirit të Kosovës. Autori na jep edhe interpretimin matematik me një formulë të thjeshtë. Çdo komunë ka kodin, sipas të cilit njëjtësohet (identifikohet) zona e saj kadastrore. Ka dokumentacionin vendor gjeodezik, kadastror, hartografik për të gjitha pronat e paluajtshme.
E dhënë tjetër e rëndësishme është vija kufitare e Kosovës me shtetet fqinje. Vija kufitare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut është 173 km e gjatë. Ka 434 piramida dhe 5678 pika. Pikat janë, b.f., mesi i një rruge, mesi i një lumi, bregu i lumit, kufiri i parcelës, një shkëmb i gdhendur etj. Piramidat kryesore dhe ato ndihmëse quhen me një emër të përgjithshëm – monumente. Për çdo piramidë në vijën kufitare janë bërë matjet gjeodezike.
Më 21 mars 2018, Parlamenti i Kosovës ka ratifikuar marrëveshjen për kufirin me Malin e Zi (Ligji 06/1 L – 060, neni 1). Raporti përfundimtar i Komisionit ndërkombëtar ka konfirmuar se Republika e Kosovës nuk ka humbur territor me shënjimin e kufirit me Malin e Zi. Për këtë, në libër pasqyrohen gjetjet dhe ligjshmëria.
Me shumë respekt dhe dashuri kam lexuar atë që shkruan profesori për qytetarinë shqiptare: Intelektualë, shkrimtarë, qytetarë kanë mbledhur informacione dhe të dhëna për kufirin dhe raportet shqiptare me malazezët e sidomos, në pjesën e parë të shek. XX. Me shumë dhembje kam lexuar rrëfime të dëshmitarëve të gjallë për kufirin dhe ngjarjet tragjike që kanë ndodhur më herët. Autori citon edhe veprën e Osman Shalës, nga fshati Drelaj i Rugovës, “Aromë bjeshke”, Pejë, 2022.
Fatmirësisht, vija kufitare ndërmjet Republikës Socialiste të Serbisë dhe Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës ka qenë e matur në terren dhe e paraqitur me gjeoinformacion në hartë – gjithnjë, bazuar në Kushtetutë, ligje dhe standarde të njëjta. Autori i lë fletë të tëra demarkimit të gjashtë pikave kufitare në kufirin Kosovë-Serbi (në vendkalime të caktuara kufitare): Bërnjak, Jarinjë, Merdarë, Mutivodë, Dheu i Bardhë, Muçibabë. Jepen përshkrime të hollësishme. Për këdo që do ta bëjë veten sikur të jetë në ato vise.
Në pikëpamje juridike-teknike, si vetë dokumentet (vjetarët statistikorë etj.), janë edhe shtjellimet e profesorit me analizat krahasuese me hartat kadastrore për territoret ndërmjet Kosovës e Maqedonisë së Veriut, Kosovës e Malit të Zi, Kosovës e Serbisë. Gjithçka përshkruhet me hollësi.
Me Shqipërinë amë vendosja e kufirit ka qenë e lehtë,- thotë autori. Dhe jep arsyet. Një ndër arsyet është edhe kjo: Kufiri shtetëror Shqipëri – Mbretëri Serbo-Kroate-Sllovene është vendosur gjatë viteve 1922-1925 dhe është konfirmuar në Protokollin e Firences, të datës 25 korrik 1926. Por në punë të kufirit Kosovë-Shqipëri, profesori bën me të drejtë një koment kritik: Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë ende nuk i kanë ndryshuar shkrimet në piramidat kufitare ndërmjet dy shteteve. Dhe: Kufiri ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë ruan ende (viti 2024) shenjat me mbishkrim nga periudha para vitit 1999.
Në libër dokumentohen hollësisht bisedimet ndërmjet Kosovës e Serbisë (2011-2015) në Bruksel për kufirin etj. brenda marrëveshjeve teknike. Në Bruksel janë nënshkruar mbi 30 marrëveshje, – thotë autori, – por shumica nuk janë zbatuar. Sigurisht, nga pala serbe. Synimi i marrëveshjeve teknike në Bruksel ka qenë, – thotë, ndër të tjera autori, – menaxhimi i integruar i kufirit Kosovë-Serbi, bashkëpunimi rajonal, kthimi i dokumentacionit kadastror dhe i dokumentacionit të gjendjes civile, grabitur nga Serbia gjatë luftës 1998-1999, si edhe njohja e ndërsjellë e diplomave universitare. Pala serbe, – thotë autori, – (autori ka qenë pjesë e ekipit diplomatik dhe profesionist, kryesuar nga zonja Edita Tahiri, zëvendëskryeministre / më pas -ministre), – në asnjë mënyrë e me asnjë dokument nuk arriti ta kundërshtonte vijën kufitare, por kundërshtonte emërtimin e saj (e quante vijë administrative), kurse pala kosovare e quante me të drejtë me emrin e saj të vërtetë – kufi.
Në Bruksel u konfirmua kufiri ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë si dy shtete fqinje. U rivërtetësua dhe u zyrtarizua ish-kufiri ndërmjet Krahinës Autonome të Kosovës dhe Republikës së Serbisë (brenda ish-Jugosllavisë) – të transformuar tashmë në kufij shtetesh. Dhe sot ekziston për këtë dokumentacioni juridik, administrativ, teknik e kadastror. Praktika, – thotë autori, – vjen nga Gjykata e Arbitrazhit Ndërkombëtar, më 29 qershor 2017, për zgjidhjen e kundërshtimeve Slloveni-Kroaci.
Një syth interesant është ai me titull: Konventa dhe teori për kufirin shtetëror. Ka disa: Në libër ka edhe modele zgjidhjesh për probleme ndërkufitare, p.sh., Kosta Rika-Panama; KinëNepal; Eritré-Etiopi; Burkina Faso-Mali etj. Koncepti uti possidetis i shmang problemet territoriale kufitare. Sythi është për çdo shtetar, studiues, politikan, jurist, ekonomist, topograf, gjeodezist, gjeograf, hartograf, student etj.
Në libër gjithçka është e qartë e konkrete. Dhe mbushamendëse. Jo vetëm me mënyrën e të thënit, shtjellimet e interpretimet, hartat, statistikat e citimet, por edhe me pasqyrat e të dhënave ligjore dhe teknike kadastrore. Shih, p.sh., pasqyrat për gjatësinë e kufirit të Republikës së Kosovës me 4 shtetet fqinje. Janë hulumtime të vetë autorit gjatë punës së tij në Komisionin Shtetëror për Kufijtë (2008-2017). Gjatësia e kufirit Kosovë-Shqipëri është 113.63 km. Një pasqyrë tjetër (7/4) paraqet gjatësinë e vijës së përbashkët kufitare të çdo zone kadastrore të Kosovës me shtetin fqinj. Vjetarët statistikorë (1921-1929; 1953-2008; 1955-2024; etj.) janë një tjetër konkretizim i vyer në libër.
Ka ende shumë për të thënë për studimin e prof. Mehës. Por, si më në fund, dua të përveçoj një korrigjim të autorit: Periudha 2000-2024 përfshin sipërfaqen e Kosovës sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës. Dhe autori na vërteton se sipërfaqja e Kosovës është 10 908 km2 dhe jo 10 887 km2 . Është korrigjim edhe për librat shkollorë të gjeografisë. Dhe kjo e dhënë dhe të dhëna të tjera vijnë nga matjet gjeodezike në terren të pikave në vijën kufitare dhe në hartë me metoda dhe instrumente gjeodezike.
Libri, – siç thotë autori në Parathënien e tij, – është edhe për lexuesit profesionistë, edhe për lexuesit publikë. Dhe atëherë, libri është edhe për të më të diturit, edhe për më pak të diturit. Është për të gjithë ata që duan të dinë më shumë për kufijtë e Republikës së Kosovës dhe duan ta njohin me pëllëmbë truallin shtetëror dhe kufirin shtetëror të Kosovës, mbi të cilin është shpallur Pavarësia.
Dhe në përmbyllje, dua të përmend edhe vlerën që ka librin në punë të pasurimit të leksikut e të terminologjisë së kësaj fushe dhe të fushave të tjera, që lidhen me të (tipi gjeodet, gjeohapësinor, gjeoinformacion, zonë kadastrore, brez kufitar, vendkalim kufitar, shikueshmëri, hartë tematike, pikë poligonale, rilevim gjeodezik, uti possidetis etj.) Në një rishtypje a ribotim, libri mund të ketë edhe një si fjalorth me shpjegime për të tilla fjalë e terma.
* Ky parim (ardhur nga e Drejta Romake) është zbatuar edhe për pavarësimet e shteteve të tjera të ish-Jugosllavisë, ish-Bashkimit Sovjetik, ish-Çekosllovakisë etj. Kështu, nuk rrezikohet pavarësia dhe stabiliteti i një shteti të ri.
