Zgjedhja e Senatit dhe e Qeverisë, e përpjekja e Ahmet Zogut, Ministrit të Brendshëm të sapozgjedhur, për zbatimin e vendimeve të asaj mbledhjeje historike
Në gusht të vitit 1918-të, ushtria austro-hungareze që asokohe kishte nën administrim pothuaj të gjitha territoret e Shqipërisë, filloi të tregojë shenja dobësie, çka bëri që ky rast të shfrytëzohej nga ana e shqiptarëve duke ndërrmarë një ofensivë të përgjithëshme. Nisur nga kjo ofensivë e shqiptarëve, austro-hungarezët u detyruan që të nënshkruanin me ta një marveshje armëpushimi, më 11 nëntor të vitit 1918-të.
Në atë marveshje u vendos që ushtria aleate austro-hungareze, të mbetej në Shqipëri deri sa fati i saj të përcaktohej nga Konferenca e Paqes që ishte mbledhur në Paris. Ndërsa ishte mbledhur Konferenca e Paqes në Paris, ushtritë aleate që ishin në Shqipëri, me veprimet e tyre po tregonin se ato ishin të interesuara që të zbatonin Paktin e fshehtë të Londrë të 1915-ës, me një fjalë kërkonin që të realizonin coptimin e Shqipërisë. Në këtë periudhë shqiptarët ishin të ndarë dhe të përçarë, si rezultat i intrigave të vendeve të huaja që kishin interesa në Shqipëri. Kështu disa politikanë ndiqnin politikën italiane, kurse disa të tjerë atë serbe dhe greke. Asokohe vetëm një grusht i vogël njerzish të ndërgjegjshëm për fatet e vendit, ndiqnin një politikë thellësisht kombëtare. Si rezultat i kësaj, në atë vorbull anarkie, ata patriotë vendosën dhe u mblodhën në dy takime: një në Tiranë më 19 dhjetor 1918-të, nën kryesinë e Abdi Bej Toptanit dhe një tjetër në qytetin e Durrësit më 25 dhjetor, të po atij viti. Në këto dy takime u theksua organizimi i mbrojtjes së integritetit toksor të Shqipërisë dhe i pavarsisë së saj. Nga këtë dy mbledhje doli dhe qeveria e përkohshme e Durrësit, e cila emëroi dhe një delegacion për në Konferencën e Paqes në Paris, e cila duhet të mbronte të drejtat e Kombit shqiptar. Mbledhjet e Tiranës dhe Durrësit i paraprinë Kongresit të Lushnjes, që do të mbahej afro një vit më vonë.
Shqiptarët të përçarë në Paris
Në Konferencën e Paqes që do të mbahej në Paris në dhjetor të vitit 1919-të, ndërsa ishte dërguar një delegacion nga qeveria e Durrësit, një gjë e tillë ishte bërë dhe nga kolonitë shqiptare jashtë vendit, të cilët kishin dërguar një delegacion atje, së bashku me atë të Korçës. Këtyre delegacioneve ju shtohej dhe një delegacion tjetër i kryesuar nga Esat Pashë Toptani dhe dy persona të tjerë. Këtyre tre delegacioneve u shtoheshin dhe dy delegacione të tjera të cilët pretendonon se dhe ata përfaqsonin interesat dhe të drejtat e shqiptarëve në atë Konferencë. Të gjithë këto delegacione që kishin shkuar në Paris, për çdo problem që diskutohej në lidhje me Shqiprinë, paraqisnin secili mendime të ndryshme nga njeri-tjetri. Nisur nga këto përçarje që ekzistonin në mes tyre, asokohe delegati italian në atë Konferencë, pyeste me ironi:” Cilin nga këto tre dokumente të shqiptarëve duhet të marri parasysh kjo Konferencë?”
Në këtë kushte dhe qeveria e Durrësit, nuk bëri ndonjë përpjekje për të zhdukur intrigat e huaja që bëheshin në kurriz të shqiptarëve dhe të siguronte një bashkim Kombëtar. Duke filluar nga qyteti i Durrësit, ku kishte selinë e saj qeveria e përkohëshme dhe në të gjitha prefekturat e vendit, çdo gjë ishte nën ndikimin e të huajve që kishin interesa direkte në Shqipëri. Nisur nga kjo situatë, u krijua një gjendje pasigurie, gjë e cila çoi në humbjen e besimit në qeverinë e Durrësit. Ndërkaq asokohe në atë situatë, pati një reagim të madh në rrethet e shqiptarëve patriotë, moslargimi i italianëve nga qyteti i Vlorës dhe synimet e Greqisë për marrjen e Vlorës dhe Gjirokastrës. Po kështu asokohe shumë patriotë kërkuan që të mbrohej me çdo kusht qyteti i Shkodrës e gjithë Veriu i Shqipërisë nga synimet grabiqare të serbëve. dhe kërkonin krijimin e shtetit të pavarur shqiptar, veprim që asokohe ishte bërë dhe nga disa shtete të tjera të robëruara si Çekosllavakia, Finlanda, Polonia dhe Lituania.
Mbajtja e Kongresit
Në atë situatë dhe në ato rrethana, u përgatit mbajtja e një kongresi Kombëtar, i cili u realizua duke u bërë realitet në qytetin e Lushnjes, më 27 janar të vitit 1920-të.
Ky kongres, u mbajt në shtëpinë e patriotit lushnjar Kaso Fuga dhe aty morën pjesë delegatë të zgjedhur nga e gjithë Shqipëria. Qëllimi i të cilëve ishte studimi i situatës së brendëshme e të jashtëme të vendit dhe masat që duhet të merreshin për shpëtimin e Shqipërisë. Këtë mbledhje e hapi Ferit Vokopola që ishte përfaqsues i Prefekturës së Beratit, Lushnjes dhe Skraparit, i cili i uroi delegatët për ardhgjen e tyre në atë kongres. Pas Vokopolës, fjalën e mori Aqif Pashë Elbasani, që asokohe nga të gjithë shqiptarët konsiderohej si një nga patriotët më të mëdhej. Aqif Pasha ju përgjigj me një fjalë të shkurtër të gjitha pyetjeve të bëra nga delegatët dhe pas kësaj mori fund ceremonia e hapjes së kongresit. Mbas ceremonisë së hapjes, u bë ndarja e deputetëve nëpër grupe (komisjone) të ndryshme, të cilat filluan nga puna menjëherë. Në mbledhjen e dytë të kongresit, e cila u mbajt më datën 28 janar, u zgjodh si Kryetar i Kongresit Aqif Pashë Elbasani. Po atë ditë nga ana e delegatëve u mbajtën fjalime të ndryshme mbi vrasjen e patriotit Abdyl Ypi, i cili kishte qenë një nga inisiatorët e mbajtjes së atij kongresi. Abdyl Ypin e kishin vrarë njerzit e qeverisë së Durrësit, pak ditë përpara mbajtjes së asaj mbledhje, me qëllim që të friksonin delegatët për të mos marrë pjesë në Kongresin e Lushnjes.
Mbas këtyre fjalimeve, me vendim unanim nga të gjithë delegatët u vendos që t` i dërgohej një telegram ngushëllimi familjes së Abdyl Ypit dhe pas formulimit të atij telegrami, u mbyllën punimet e asaj dite për të filluar të nesërmen më 30 janar. Mbledhja e tretë që u mbajt atë ditë, vendosi mbas shumë diskutimesh që të bëheshin protestat më të ashpëra, kundër vendimit të Fuqive të Aleatëve, për zbatimin e Paktit të fshehtë të Londrës, i cili ishte mbajtur më 26 prill të vitit 1915-të, pakt i cili sanksiononte coptimin e Shqipërisë. Pas këtij vendimi, mbledhja analizoi qëndrimin e qeverisë së Durrësit, si në situatën e brendëshme, ashtu dhe në atë të jashtëme. Nga kjo analizë u nxuarr si konkluzion se ajo qeveri kishte dalë dhe kishte vepruar jashtë programit të dhënë prej Kongresit të Durrësit, që ishte mbajtur në 25 dhjetor të vitit 1918-të. Po ashtu ajo qeveri kishte penguar mbledhjen e Senatit që ishte vendosur në Durrës dhe me administrimin e saj të keq, e kishte futur vendin në një anarki të madhe e kishte çuar në krijimin e një situate të acaruar politike. Nisur nga këto, ajo qeveri ishte përpjekur me çdo kusht për ta penguar mbajtjen e Kongresit të Lushnjes.
Zgjidhet Senati e qeveria
Për këtë arsye, kongresi vendosi unanimisht rrëzimin e qeverisë së Durrësit, e njëkohësisht zgjodhi imzot Luigj Bumçin, Mehmet Konicën dhe Dr. Turtullin, si përfaqsues legjitimë të popullit shqiptar, në delegacionin e Konferencës së Paqes në Paris. Në mbledhjen e katërt që u mbajt më 30 janar, kongresi zgjodhi si antarë të Këshillit të Lartë, imzot Bumçin, Aqif Pashë Elbasanin, Abdi Toptanin dhe Dr. Turtullin. Pas kësaj u zgjodh dhe përbërja e qeverisë së re, e dalë nga ai kongres e cila kryesohej nga kryeministri Sulejman Delvina. Pas Delvinës, në atë qevri u zgjodhën dhe Ahmet Zogu, Ministër i Brendshëm, Mehmet Konica, Ministër i Punëve të Jashtëme, Hoxhë Kadria, Ministër i Drejtësisë, Ndoc Çoba, Ministër i Financave, Sotir Peci, Ministër i Arsimit, Ali Riza Kolonja, Ministër i Luftës, Eshref Frashëri, Drejtor i Përgjithshëm i Punëve Botore dhe Idhomene Kosturi, Drejtori Përgjithshëm i Postë-telegrafave. Në mbledhjen e pestë që u mbajt më 31 janar pasdite, kongresi zgjodhi antarët e Senatit dhe u vendos që delegatët të mos shpërndaheshin derisa qeveria të merrte në dorë frenat e shtetit. Pas kësaj mbledhje, atë pasdreke të 31 janarit të vitit 1920-të, kongresi u dha fund punimeve të tija, duke vendosur Tiranën, për kryeqytet të Shqipërisë.
Qeveria e Durrësit, kundër Kongresit
Menjëherë pas përfundimit të kongresit në Lushnje, po atë pasdreke të 31 janarit, Ahmet Zogu që u zgjodh Ministër i Punëve të Brendëshme, u dërgoi të gjitha prefekturave një qarkore nga qyteti i Lushnjes, me anë të së cilës i bënte të ditur popullit shqiptar arsyet për mbajtjen e Kongresit Kombëtar të Lushnjes dhe u shpjegonte atyre vendimet që mori ajo mbledhje historike, për shpëtimin e Shqipërisë nga rreziqet që e kërcënonin. Gjatë gjithë punimeve të kongresit, ra në sy temperamenti i ndezur i Ahmet Zogut, që i bëri të gjithë delegatët të fitonin një admirim ndaj tij dhe ta zgjidhnin me votim unanim në postin delikat të Ministrit të Brendshëm, ndonëse ai nuk i kishte mbushur akoma 25 vjeç. Gjatë kohës që mbahej Kongresi i Lushnjes, qeveria e Durrësit u përpoq me të gjitha mënyrat dhe mjetet për të ndaluar zbatimin e vendimeve të kongresit, duke u mbështetur dhe në forcën e ushtrise italiane që ishin akoma në Shqipëri.
Po kështu, mbajtja e Kongresit të Lushnjes, konsiderohej prej tyre si një lëvizje aventurierësh dhe ajo u përgatit që të sulmonte forcat qeveritare dhe delegatët që do të vendoseshin me seli në Tiranë, e cila ishte caktuar nga kongresi si kryeqytet i Shqipërisë. Nisur nga presionet e qeverisë së Durrësit, e cila po bënte çmos për mosnjohjen e vendimeve të atij kongresi, shumë nga delegatët Tiranës, Elbasanit, Kavajës e Shijakut, duke kuptuar se do të sulmoheshin me armë nga forcat italiane të nxitura nga qeveria e Durrësit, shfaqën mendimin që të qëndronin dhe për disa kohë në qytetin e Lushnjes.
Zogu: Të njihet Kongresi
Mendimet që shfaqën disa delegatë, për të qëndruar në qytetin e Lushnjes deri sa të stabilizohej disi situata anarkike e krijuar nga qeveria e Durrësit, i kundërshtoi hapur Ministri i Brendshëm Ahmet Zogu. Mes të tjerash ai ju tha delegatëve:” Vendimet e Kongresit do të zbatohen domosdo dhe pa vonesë, kjo gjë lyp guxim dhe punë, prandaj unë po nisem për në Tiranë, ju po të doni rrini këtu”. Kështu, siç dhe ishte parashikuar, gjatë udhëtimit të tij për në Tiranë, Ahmet Zogut dhe njerëzve që e shoqëronin, ju pre rruga në Kavajë nga ana e forcave italiane që ishin të armatosura me topa e mitroloza. Një oficer italian ju doli përpara Zogut e njerëzve të tij dhe ju dha urdhër atyre që të ndërprisnin marshimin. Ahmet Zogu e kundërshtoi hapur oficerin italian duke i thënë:” Unë nuk njoh tjetër autoritet, përveç Kongresit të Lushnjes”. Pas një debati të ashpër që desh kaloi në konflikt të armatosur, oficeri italian u tërhoq së bashku me gjithë forcat që kishte nën komandë dhe i hapi rrugën Ahmet Zogut që të hynte në qytetin e Kavajës.
Në atë qytet, Ministri i Brendshëm Ahmet Zogu, qëndroi për disa ditë, duke emëruar nënprefektin dhe disa nëpunës të vegjël administratës vendore. Hyrja e Ahmet Zogut në Kavajë, e shqetësojë shumë qeverinë e Durrësit, e cila duke e kuptuar që me anë të forcës nuk mund që ta ndalonte dot Zogun, filloi që të përdorte dredhitë, duke i dërguar atij një delegacion për të hyrë në bisedime. Delegacioni që u dërgua nga ana e qeverisë së Durrësit, i propozoi Ahmet Zogut, që të transferohej kryeqyteti për në Vlorë dhe të thërritej një kongres tjetër Kombëtar atje, për të biseduar lidhur me situatën në vend e masat që duhet të merreshin për stabilizimin e situatës në Shqipëri. Mbi këtë propozim, që ju servir Zogut, qeveria e Durrësit, vinte kusht dhe kërkonte anullimin e të gjitha vendimeve të Kongresit të Lushnjes. Pas pak orësh nga vajtja e delegacionit të Durrësit për bisedime me Ahmet Zogun, ai delegacion u kthye shpejt në qytet, pasi Zogu refuzoi kategorikisht, që të bisedonte rreth atyre propozimeve.
Shqipëria nën kaosin e anarkisë pas Kongresit të Lushnjes
Lëvizja esadiste e kryesuar nga Osman Bali për rrëzimin e qeverisë, bisedimet me Tiranën zyrtare dhe përpjekjet e tij për rikthimin e Pashait Toptanas në Shqipëri
Pas largimit të delegacionit të Durrësit, Zogu u nis për në Shijak dhe në të hyrë të tij, ai u gjend përsëri nën grykat e topave dhe mitrolozave të ushtrisë italiane. Por dhe aty oficeri italian që komandonte ato forca, u detyrua që t` i lëshonte rrugën Zogut për të hyrë në Shijak. Pas kësaj, qeveria e Durrësit përsëri i dërgoi një delegacion Zogut, që ai të hynte në bisedime me të, por ai nuk pranoi megjithë kërcënimet se mund të derdhej gjak.
Pas Shijakut, Zogu me gjithë njerzit që e shoqëronin mori rrugën dhe hyri në Tiranë. Në kryeqytetin e saposhpallur, Zogu u kujdes për vendosjen dhe emërimin e administratës së re dhe menjëherë lajmëroi kongresistët që ishin fshehur në Çermë, për kalimin e peripecitë e rrugës për në Tiranë. Ashtu si në Kavajë dhe Shijak, edhe në qytetin e Tiranës, ushtria italiane u përpoq që ta ndalonte Zogun, por nuk ja arriti asaj dhe populli i Tiranës e priti me nderime të mëdha hyrjen e tij në kryeqytet.
Anarkia e vendit pas Kongresit
Kur qeveria që doli nga Kongresi i Lushnjes, u vendos me seli në Tiranë, ajo mori nën zotërim një territor fare të ngushtë që shtrihej nga lumi i Matit në Veri dhe deri në lumin Vjosa në Jug. Pjesët e tjera të Shqipërisë asokohe ishin nën administrimin e huaj. Kështu Korça, Pogradeci, Vërça dhe Shkodra ishin nën zotërimin ushtarak të Francës. Viset që ndodheshin në dy anët e lumit të Drinit, gjenerali francez Franchet d`Espery, ua kishte dorzuar forcave serbe, sapo u tërhoq ushtria austriake nga këto vise.
Prefekturat e tjera, ishin të gjitha nën sundimin e Italisë dhe një pjesë fare e vogël në Jug, ishte në dorën e grekëve. Gjatë kësaj kohe, intrigat dhe propaganda e fuqive të huaja e kishte përçarë popullin shqiptar si kurrë ndonjëherë. Në të gjithë vendin nga Jugu në Veri, dëgjoheshin fjalët: gegë, toskë, turkoman, grekoman, italofil, serbofil, esadist, muhamedan, katolik, ortodoks, etj. Administrata e vendit asokohe, kishte një karakter heterogjen. Në Korçë ishte në fuqi dhe vepronte modeli francez, në Veri duke pasur si kryeqëndër Shkodrën , vepronte sistemi austriak dhe në Jug ai italian. Përveç kësaj shumë nënpunësve të vendit ju mungonte përvoja e duhur në administratën shtetërore dhe shumica e tyre punonin më shumë për t` ju shërbyer interesave të huaja, sesa atyre të vendit.
Shumë muhaxhirë që lëviznin në të gjitha anët e vendit prej trazirave të luftës, gjenin vdekjen nga mungesa e ilaçeve që ishin bërë shumë të rralla. Ushtria dhe xhandarmëria pothuaj nuk ekzistonin fare dhe vendit i mungonin krejtësisht ndërlidhja dhe financat. Qeveria e Durrësit, duke pasur parasysh masat që mund të merrte karshi saj. Qeveria që doli nga Kongresi i Lushnjes, vendosi dorzimin e zyrave dhe arkivit të asaj qeverie në shkurt të 1920-ës. Më 6 mars 1920, Shtetet e Bashkuara të Anmerikës ju dërguan Fuqive të Mëdha një notë proteste, në favor të Shqipërisë. Nota në fjalë citonte midis të tjerash:” Presidenti amerikan Uillson, ripohon se nuk është e mundur të aprovojë asnjë plan që i jep Jugosllavisë shpërblime toksore nga krahinat e Shqipërisë në Veri, përçka ajo humbet në një vend tjetër”. Për të theksuar sa më mirë qëndrimin e saj, qeveria amerikane njoftoi zyrtarisht edhe përfaqsuesin shqiptar në Uashington.
Largimi i ushtrive të huaja
Sundimi ndëraleat i Shkodrës mori fund më 11 mars 1920, kur gjenerali De Fortou u tërhoq bashkë me fuqinë ndëraleate. Në këtë kohë serbët kishin bërë përpjekje që të zinin vendin e fuqive ndëraleate, mirpo kjo u bë e pamundur se Ahmet Zogu i kishte marrë masat dhe hyri në Shkodër në krye të fuqisë Kombëtare ku u prit me nderime nga populli. Më 27 mars 1920, filloi jeta parlamentare në Shqipëri dhe me këtë rast , Këshilli i Lartë lexoi një mesazh, të cilin jua dërgonte përfasuesëve të popullit, në të cilin thuhej:” 1) Dëshira që ti jepej edhe popullit shqiptar të rronte në harmoni me fqinjët e tij. 2) Shpresa se Italia do të hiqte dorë nga politika e mëparëshme dhe do të bëhej kampion i indipendencës së Shqipërisë. 3) Një mirnjohje të përzemërt kundrejt Presidentit amerikan Uillson, për përkrahjen e dhënë Shqipërisë me kaq bujari. 4) Ti drejtojë Botës mbarë një thirrje për drejtësi ndaj Shqipërisë”. Nisur nga situata e krijuar, forcat esadiste filluan lëvizjen e tyre duke organizuar e mbajtur mbledhje me forca të armatosura. Kështu, më 13 prill 1920, qeveria e Tiranës i drejtojë një thirrje popullit dhe i cilësonte të dëmshme këto lëvizje, të cilat mund të cënonin qëllimin Kombëtar dhe të linin shkak për ndërhyrjen e Fuqive Ndëraleate për coptimin e Shqipërisë.
Lëvizja e sadiste
Në këtë thirrje, qeveria i këshillonte me të mirë rebelet, që ata të shpërndaheshin. Kjo thirrje e qeverisë as nuk u muar fare në konsideratë nga ana e rebelëve dhe lëvizja esadiste u zgjerua më shumë. Nisur nga kjo situatë, qeveria e pa të arsyeshme të mblidhte në çdo prefekturë nga një fuqi të vogël, të gatëshme për çdo eventualitet dhe të themelonte në Tiranë një gjykatore të vogël, me një ligj të posaçëm e cila të gjykonte dhe të dënonte të gjithë ata që konsideroheshin se kishin kryer faje politike, duke dëmtuar ionteresat e vendit. Më 24 prill 1920, qeveria e Tiranës, nisi një fuqi për në Jug, e cila mori në dorëzim sundimin e prefekturës e Gjirokastrës, bashkë me Këlcyrën e Përmetin. Bashkimi i prefekturës së Gjirokstrës me Tiranën u festua me entuziazëm prej popullit. Ky gëzim nuk zgjati shumë, për arsye se u përhapën lajme jo të mira, që flisinin për përgatitjen e një ushtrie greke në Follorinë, e cila do të merrte Korçën, pas tërheqjes prej andej të ushtrisë franceze.
Këto lajme shkaktuan një alarm të madh që u shoqërua me dërgimin e shumë vullnetarëve në qytetin e Korçës për ndihmë. Më 26 maj u mbajt përpara Bashkisë së Korçës një miting i madh ku u ngrit flamuri Kombëtar dhe u shpërnda dhe një shpallje ku thuhej:” Populli i qytetit dhe i Qarkut të Korçës, duke marrë vesh në një anë se ushtria franceze do të largohet së shpejti dhe nga ana tjetër, se grekërit, duke e pandehur vendin pa qeveri e pa flamur, të cilat sigurojnë qetësinë e vendit, po përgatiten për të ardhur këtu kundra dëshirës së popullit tonë dhe kundra parimeve të Kombësisë. Në mbledhjen Kombëtare që u mbajt sot, më 26 maj 1920, para Bashkisë, vendosi dhe proklamoi bashkimin e plotë me qeverinë e Tiranës”. Mbasi përfunduan festimet për këtë ngjarje historike, që u cilësua si e tillë nga vetë populli, u dërgua në Follorinë një komisjon për t`ju kërkuar autoriteteve greke, që të lironin nga sundimi dhe ato pak katunde që kishin mbetur ende nën sundimin e tyre, sipas vendimeve të Konferencës së Londrës të vitit 1913-të.
Kur u kthye ky komisjon nga Follorina, Këshilli e gjeti të arsyeshme që me autoritetet greke të bëhej një marveshje e plotë formale për lirimin e fshatrave në fjalë. Për këtë qëllim, Këshilli zgjodhi dhe dërgoi një komisjon të përbërë nga Esheref Frashëri, Jorgaq Raci, Nikollaq Zoi, Pandeli Cale, Qani Dishnica, dhe Sabahudin Blloshmi, të cilët morën me vete dhe Dhespotin Jakov, e u nisën për në Brezincë. Në këtë vend u përgatit protokolli i përkohshëm i Kapshticës, i cili do të kishte një fuqi deri sa të jepte një vendim Konferenca e Paqes mbi çështjen greko-shqiptare. Mbi këtë marveshje, që ndonëse ishte e përkohëshme, Korça kapërceu rrezikun e një lufte tjetër, e cila mundi të sillte një okupim të ri. Pas pak kohësh, u bashkua dhe Pogradeci me qeverinë e Tiranës. Në fund të majit 1920-të, ushtria italiane la Shëngjinin, Tiranën e Durrësin dhe u tërhoq për në Vlorë.
Kur Tirana bashkë me gjithë prefektuart e tjera, po festonte këto fitore që konsideroheshibn si historike për bashkimin Kombëtar, në prefekturën e Durrësit, lëvizja esadiste po vazhdonte. Kryengritësit prenë telat e telegrafës, ndaluan funksionimin e postës dhe në shumë vende bënë bllokimin e rrugës nacionale. Qeveria Kombëtare duke parë se anarkia rrezikonte një përhapje të gjërë, mori masat e duhura dhe filloi një operacion ushtarak, kundër këtëij rebelimi. Pas kësaj, shumica e kryengritësve u shtypën apo u shpërndanë, por një pjesë e tyre ikën dhe u bashkuan me Osman Balin, i cili konsiderohej si mbështetësi kryesor i Esat Pashë Toptanit dhe formuan një fuqi të re. Kjo fuqi duke pasur si udhëheqës Osman Balin, ju vërsul qytetit të Tiranës, duke zënë vende në afërsi të sajë, me qëllim që ta sulmonte natën në befasi.
Qeveria bisedon me Osman Balin
Qeveria e Tiranës, duke marrë parasysh fuqinë e saj ushtarake të pakët dhe rrezikun që mund ti vinte gjithë vendit nga një përpjekje e armatosur, me forcat rebele të Osman Balit dhe për të fituar kohë, pranoi të hynte në bisedime me këto forca dhe si përfundim të tyre doli kjo marveshje:” Të dërgohej një komisjon në Paris që të merrte vesh programin e Esat Pashës (Osman Bali ngulte këmbë që Esat Pasha të thirrej në Shqipëri dhe të merrte pjesë në qeveri). 2) Populli i armatosur të shpërndahej sapo të nënshkruhej dhe të shpallej kjo marveshje. 3) Qeveria të angazhohej që të jepte një fjalë për të gjithë ata persona që kishin marrë pjesë në atë lëvizje. 4) Ata që nuk do të bindeshin, do të ndiqeshin dhe do të dënoheshin prej gjykatores për faje politike”. Mbas kësaj marveshje u zgjodh një komisjon i përbërë prej Z. Bajram Fevziu, Imzot Kolecit, Fuat Toptanit dhe Ymer Deliallisit, me porosi që të niseshin për në Paris, për të marr vesh programin e Esat Pashës, si ishte caktuar në pikën e parë të marveshjes së bërë. Natyrisht qeveria e Tiranës, nuk priste ndonjë përfundim nga ai delegacion i nisur për në Paris dhe nisur nga kjo gjë, ajo mori masat e duhura dhe sapo gjeti çastin e duhur, përdori forcën e vet ushtarake duke e shtypur dhe e shpërndarë forcat e Osman Balit. Pak kohë më vonë mbërriti në Shqipëri, lajmi i vrasjes së Esat Pashës në Paris nga Avni Rustemi dhe kjo gjë bëri të mundur fundin e lëvizjes esadiste, më 13 qershor të vitit 1920-të.
Shtypja e Kryengritjes
Shtypja e kësaj kryengritje dhe vrasja e Esat Pashës në Paris, për qeverinë e Tiranës përbënte një sukses të madh dhe i shtonte asaj premisat për një stabilitet në të gjitha prefektrurat e vendit dhe një qeverisje më të mirë për zbatimin e vendimeve që kishte marrë Kongresi i Lushnjes. Një rol të madh në shtypjen e kësaj kryengritje, pa dyshim pati Ministri i Brendshëm Ahmet Zogu, i cili diti të manovronte në situatat tepër delikate që u krijuan, ndonëse ishte një nga Ministrat më të rinj (“25 vjeç) të kabinetit të Sulejman Delvinës, i dalë nga Kongresi i Lushnjes. Po kështu në shtypjen e rebelimeve dhe vendosjen e rendit në vend, pati dhe major Preng Jaku, një ndër njerzit më besnik të Zogut i cili u caktua prej tij si komandant i Forcave Speciale, ose siç quhej asokohe, Batalioni shëtitës, që bëri të mundur, shtypjen e kryengritjes esadiste në të gjitha rrethinat e Tiranës dhe më gjerë. Nga ana e Ahmet Zogut në atë kohë, kur anarkia e plotë kishte pllakosur gjithë vendin, zgjidhja e situatave me anë të ndërhyrjeve ushtarake, u pa si i vetmi mjet që mund të sillte dobi dhe stabilitetin e duhur të vendit, për të mos u dhënë shkas fuqive të ndryshme të huaja për të ndërhyrë ushtarakisht dhe për të vënë në jetë synimet e tyre për coptimin e Shqipërisë. Por ky stabilitet nuk zgjati shumë. Në Vlorë, forcat e ushtrisë italiane, që ishin mbledhur aty pas tërheqjes nga Shqipëria e Mesme, nuk ju përgjigjën kërkesës në formë memorandumi që u bënë forcat ushtarake shqiptare që ato të largoheshin për në Itali dhe pas kësaj nisi ajo që në historinë e Shqipërisë njihet ndryshe si Lufta e Vlorës.