Një deklaratë me video e thënë nga kryeministri Edi Rama disa vite më parë është kthyer dhe po diskutohet në rrjet. Në të Rama thotë se “Hebrenjtë kanë ardhur disa herë në Shqipëri, në shekullin e II, XVI, XVII. Ata kanë krijuar këtu vendqëndrimet e tyre, kanë krijuar edhe një qytet, Orikumin, i cili në origjinën e tij është “Xheriko”. Kanë pasur në këtë vend një respekt dhe një trajtim të posaçëm edhe para ngjarjes tragjike të Luftës së Dytë Botërore”.
Veç saj, Rama komentonte edhe disa raporte të Hebrenjve që janë bërë nga të dërguar të posaçëm nga komunitetet e hebrenjve. Kryeministri thotë se në ato raporte shkruhej “se Shqipëria është streha ideale për të qenë toka rezervë e hebrenjve. Dhe kjo shkruhet nga të dërguarit e këtyre komuniteteve”.
“Lidhja e shqiptarëve me Hebrenjtë është shumë e posaçme për të pasur një pikë referimi dhe një adresë, sa i takon historisë së kësaj lidhje. Hebrenjtë kanë ardhur disa herë në Shqipëri, në shekullin e II, XVI, XVII. Ata kanë krijuar këtu vendqëndrimet e tyre, kanë krijuar edhe një qytet, Orikumin, i cili në origjinën e tij është “Xheriko”. Kanë pasur në këtë vend një respekt dhe një trajtim të posaçëm edhe para ngjarjes tragjike të Luftës së Dytë Botërore.
Shqipëria ka qenë ndoshta i vetmi vend në Evropë, që në vitet 1920 ka miratuar në Kuvend një ligj për Sabatin, duke i detyruar të gjithë punëdhënësit që të mos i penalizonin financiarisht hebrenjtë që nuk shkonin në punë ditën e premte.
Ashtu si kundër ka shumë dokumenta dhe raporte të shkruara, nga të dërguar të posaçëm nga komunitete të ndryshme hebreje, si përshembull ai i SHBA-së, ku dëshmohet për një vend që ka një gatishmëri të posaçme për t’i mirëpritur, për t’i dhënë atyre strehë, për t’i dhënë tokë dhe për t’iu krijuar mundësinë që të krijojnë vendbanime.
Në më shumë se një rast në këto raporte, shkruhet se Shqipëria është streha ideale për të qenë toka rezervë e hebrenjve. Dhe kjo shkruhet nga të dërguarit e këtyre komuniteteve”, thoshte Rama vite më parë.
Ndërkohë, Auron Tare, në një reagim në kanalet e tij të komunikimit thotë se shembja e Tempullit të Jerusalemit ndodhi në vitet 70-të pas Krishtit, ndërsa qytete si ai i Orikumit dhe i Finiqit datojnë shumë vite më parë duke luajtur një rol të rëndësishëm ushtarak në Adriatik.
Sipas Tares, nuk do të thotë se Hebrenjtë nuk kanë jetuar në këto zona, por ata kanë ardhur pas krijimit të qyteteve. “Një komunitet mund të vendoset në një qytet ekzistues. Mund të krijojë një lagje, një sinagogë, një varrezë, të zhvillojë tregtinë dhe të ketë ndikim ekonomik dhe kulturor. Por prej kësaj nuk mund të nxirret automatikisht përfundimi se ai komunitet ka themeluar qytetin”, shkruan Tare mes të tjerash.
















