Në vitin 1919, një gazetar 27-vjeçar amerikan shkroi në një rresht se Pirro ishte shqiptar. Njëqind vjet më vonë, ky rresht ende përdoret si armë nga të gjitha palët.
Një rresht në një libër të shkruar për tavolinën e paqes
The Resurrected Nations (New York, Frederick A. Stokes, 1919) i Isaac Don Levine-it nuk është monografi historike. Titulli i plotë e tregon qëllimin: short histories of the peoples freed by the great war and statements of their national claims. Është libër lobimi i shkruar kur Konferenca e Paqes në Paris po vizatonte hartat e Evropës. Në kapitullin mbi Shqipërinë, Levine mbështetet te zërat shqiptarë të kohës: Fan Noli, Mehmet Konica dhe Federata Pan-Shqiptare “Vatra”.
Në faqen 69, mes vargjeve të Longfellow-t për Skënderbeun, shfaqet pohimi: Skënderbeu nuk ishte lideri i parë i madh ushtarak i Shqipërisë. Që në vitin 1225 p.e.s. shqiptarët kishin një “mbret luftëtar” me emrin Hyllus. Aleksandri i Madh, thotë, “mendohet nga disa” se ishte shqiptar. Dhe Pirro, “ushtari më i madh i kohës së tij”, ishte shqiptar.
Si e argumenton Levine
Zinxhiri i tij retorik ka katër hallka:
- Vazhdimësia. Shqiptarët janë “pasardhës të drejtpërdrejtë të ilirëve”, pra “evropianë të vërtetë” që mbijetuan valët e pushtuesve (f. 66).
- Rezistenca. Një histori tremijëvjeçare “luftërash epike” për ruajtjen e racës dhe gjuhës (f. 67).
- Galeria e heronjve. Hyllus, Pirro, Aleksandri, Skënderbeu: shqiptarët kanë prodhuar prej kohësh udhëheqës të mëdhenj, pra janë të aftë për shtet.
- Emri. “Shqiptar” shpjegohet si “bir i shqiponjës malësore”.
Logjika është sa historike dhe politike. Sepse Shqipëria rrezikonte të përpihej territorialisht nga fqinjët, me pretendime historike edhe më trashamane. Kombet kërkojnë të drejtën për shtet, ndaj duhet treguar se kanë gjenealogji heroike. Ky ishte zhanri i kohës dhe e përdornin të gjitha palët në Paris.
Debati mbetet i hapur. Vetë Hylli është figurë mitike, bir i Herakliut, dhe data 1225 p.e.s. vjen nga kronologjia e “miteve greke”, jo nga burime për “shqiptarë”. Etimologjia me shqiponjën është popullore. Shumica e gjuhëtarëve shqiptarë (Çabej e të tjerë) e lidhin shqiptar me shqip, “të folurit qartë”.
Këtu duhet saktësi.
Pirro (319–272 p.e.s.) ishte mbret i molosëve të Epirit, nga dinastia Aiakide, që e vinte prejardhjen nga Akili. Burimet antike (Plutarku) dhe pjesa më e madhe e shkencës moderne e shohin Epirin e lashtë si botë me mbizotërim të folësve të një dialekti paragrek, që prodhoi mbishkrimet e Dodonës. Ky është konsensusi. Thukididi i quan molosët, thesprotët e haonët “barbarë”, që tregon një periferi jo të përzier, por homogjene, kulturalisht dhe gjuhësisht.
Nga ana tjetër, lidhjet ilire të Pirros janë të dokumentuara: si fëmijë e strehoi dhe e ktheu në fron Glauku, mbret i taulantëve ilirë, dhe ai u martua me Birkenën, bijën e mbretit ilir Bardhyl. Epiri qëndronte në kryqëzimin e botës ilire dhe asaj Helene, por i vinte kufi të qartë kësaj të fundit.
Aleksandri (356–323 p.e.s.) ishte maqedonas, nga dinastia Argeade, me nënën Olimpia nga Epiri molos, pra me lidhje gjaku me familjen e Pirros. Gjithashtu, gruaja e parë ilire e babait të tij, Filipit II, ishte Audata. Një gjysmë-motër e Aleksandrit, Kinana, ishte pra me gjak ilir. Por këto fakte nuk e penguan Aleksandrin të ishte në konflikt me Iliret. Burimet e dinë që ai luftoi me ta (Klitin dhe Glaukian, 335 p.e.s.).
Si e kaloi politika nacionaliste këtë pohim
Teza e kujdesshme e Levine-it nuk mbijetoi, sepse u përplas me nacionalizma të tjera që kishin nevojë për të kundërtën.
Nga ana greke, historiografia e shek. XIX (Paparrigopulos) ndërtoi vazhdimësinë e pandërprerë helenike dhe Megali Idean. Epiri, Maqedonia dhe Aleksandri u shpallën thelbësisht grekë. Pas 1913, kjo u bë argument për “Epirin Verior” kundër Shqipërisë, pikërisht pyetja që Levine e prek në f. 70.
Nga ana shqiptare, Rilindja dhe më pas shteti i Zogut e nxorën lashtësinë si mburojë ndaj fqinjëve që e mohonin kombin. Gjatë regjimit komunist, vazhdimësia ilire-shqiptare u bë doktrinë shtetërore, e institucionalizuar edhe në konferencën e Tiranës të vitit 1972. Në atë klimë, Pirro dhe Skënderbeu u rimodeluan si figura kombëtare, ndonjëherë përtej asaj që u pëlqente fqinjëve.
Në rajon, Aleksandri u kthye në simbol në sherrin Greqi–Maqedoni për emrin, i qetësuar vetëm me Marrëveshjen e Prespës (2018).
Rezultati është ironik. Hipoteza e Levine-it u shtyp nga nacionalizmat e të gjitha ngjyrave, sepse secili kërkonte vazhdimësi të pastër. Prandaj shkenca modern perendimore e shmang dilemën “grek apo shqiptar” për Epirin e lashtë. Sepse u duhen të përballen me një plagë që ende kullon gjak, e që është çeshtja Çame.
Shqipëria e sotme është shtëpia e trashëgimisë ilire dhe e shumë qyteteve epirote (Bylisi, Foinike, Butrinti), dhe kjo trashëgimi u përket vendasve, por tashmë e ndajnë me të gjithë botën si trashëgimi kulturore universale. Shqiptarët e kanë çdo të drejtë ta studiojnë dhe ta tregojnë pa ndërmjetës dhe interpretues me filtra politike. Historia e ndershme është më e fortë se miti, sepse nuk shembet kur vjen dikush me burimet në dorë. Përgatiti Elis Buba / usalbanianmediagroup.com
Burimi: “The resurrected nations”
Short histories of the peoples freed by
the great war and statements of
their national claims – ISAAC DON LEVINE

nations”
Short histories of the peoples freed by
the great war and statements of
their national claims
by
ISAAC DON LEVINE















