
Shqipëria dhe Serbia do të bashkë-organizojnë Kampionatin Evropian të Futbollit për grupmoshën nën 21 vjeç në vitin 2027.
Më 4 shkurt, UEFA konfirmoi zyrtarisht se ky turne do të mbahet në këto dy shtete të Ballkanit Perëndimor.
Vendimi për këtë bashkëpunim, i shpallur nga Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) në maj të vitit të kaluar, u prit me reagime të forta, veçanërisht në Kosovë, ku ky hap u konsiderua i diskutueshëm dhe u kritikua gjerësisht.
A është sporti rruga e daljes nga shpella e politikës konfliktuale
Serbia, përveç marrëdhënieve të saj të tensionuara me Kosovën dhe Shqipërinë, prej dekadash është e ndaluar të organizojë evente të mëdha sportive ka dhjetra penalizime dhe pezullime arenash sportive. Ky ndalim buron kryesisht nga dy arsye kryesore: mungesa e stadiumeve të përshtatshme dhe dhuna e vazhdueshme e tifozëve, e cila ka sjellë pasoja të rënda në dhjetëra ndeshje ndërkombëtare. Për këtë arsye, Serbia po përdor Shqipërinë si një mbështetje për të kapërcyer këtë hendek.
Ndërkohë, si Shqipëria, ashtu edhe Kosova, kanë ndërtuar stadiume të reja me kapacitete të denja për organizimin e eventeve të nivelit ndërkombëtar. Përse nuk u synua një organizim i përbashkët Shqipëri-Kosovë, në vend që të shërbehej si trampolinë për Serbinë? Kjo nuk është thjesht një çështje sportive, por një përpjekje për t’i dhënë Serbisë një “notë kaluese” në provimin për organizimin e eventeve madhore në Europë. Pas gjithë këtyre zhvillimeve, është e qartë se kjo është një marrëveshje që sjell përfitime financiare për Duken dhe Ramën. Hipokrizia është e pështirë.
Për çështjen e stadiumeve në Serbi janë shprehur një rresht i madh specialistësh por që edhe janë sulmuar publikisht vetëm pse kanë mbajtur një qëndrim ndryshe. Serbia është e njollosur keq në këtë aspekt. Le të shohim sa të aftë do të jenë në organizim, por një gjë është e qartë: Serbia kurrë nuk do të vepronte njësoj për Shqipërinë.
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka po ndjek modelin e Kryeministrit Rama dhe duke luajtur rolin e liberalit dhe duke thënë se “sporti nuk përzihet me politikën”. Por e vërteta është ndryshe—gjithçka është politikë, sidomos në marrëdhëniet ndër-shtetërore dhe akoma më tepër në Ballkan, ku intriga dhe përçarja kanë qenë gjithnjë të pranishme.
Sporti bisht i politikës apo leckë që s’mund të fashojë asnjë plagë
Jugosllavia (’18 – ’90) mbolli përçarje mes shqiptarëve, ndau Kosovën dhe Maqedoninë nga trungu kombëtar nën pretekstin e “bashkëjetesës vëllazërore” dhe më pas e përdori komunizmin si mjet për të ndikuar dhe sunduar permes të tretëve në Shqipëri. Masakra e Tivarit është një nga dëshmitë më të rënda të këtij trajtimi. Serbia dëboi shqiptarët nga Novi Pazari, Nishi, dhe vazhdon ta bëjë këtë në Preshevë, Bujanoc, Medvegjë e tashmë edhe në Mitrovicë, të cilën e ka ndarë artificialisht duke krijuar një toponim të ri, “Mitrovica e Veriut”.
Gjatë regjimit jugosllav, u përdor çdo mjet për të manipuluar mendjen e shqiptarëve—nga kisha te muzika e sporti, nga librat te figurat publike. Nga viti 1990 deri në 1998, Kosova u mbush me gjak shqiptarësh, dhe sot Serbia vazhdon të mbrojë kriminelët e luftës, duke refuzuar t’i dorëzojë ata. Ndërkohë, Kosova u detyrua të krijojë Gjykatën Speciale për të gjykuar gjoja “krimet” e UÇK-së, si pasojë e një mashtrimi nga Serbia, e cila kurrë nuk mbajti fjalën për të dorëzuar kriminelët e saj të luftës.
Kjo histori nuk i përket vetëm kohëve moderne.
Më 3 nëntor 1944, Vaso Çubrilloviçi paraqiti një plan të ri me prapavijë antishqiptare, të titulluar “Problemi i pakicave në Jugosllavinë e re”. Ky dokument parashikonte një fushatë të gjerë të spastrimit etnik në Kosovë, Rrafshin e Dukagjinit, Fushën e Pollogut dhe territore të tjera shqiptare, duke synuar zhdukjen ose shpërnguljen masive të shqiptarëve dhe serbizimin e këtyre zonave.
Përmes kësaj strategjie, autoritetet jugosllave synonin të transformonin përbërjen demografike të trojeve shqiptare brenda Jugosllavisë. Për këtë qëllim, Çubrilloviçi i propozoi udhëheqjes së LNÇJ-së që largimi i shqiptarëve të ishte i menjëhershëm dhe i pakthyeshëm, duke deklaruar se “e vetmja dhe më e drejta zgjidhje për këtë çështje është shpërngulja e këtyre pakicave”.
Nga shumkush ky organizim shihet si një hap i pajustifikueshëm drejt “normalizimit” të marrëdhënieve pa një kërkimfalje zyrtare apo drejtësi për krimet e kryera.
Përse Kroacia, Sllovenia, Bosnja apo Mali i Zi nuk kanë bërë një organizim të tillë me Serbinë? Sepse ata e kanë përjetuar dhunën dhe nuk i japin asnjë favor një shteti që i ka shkaktuar tragjedi. Kurse ne kemi në vendimmarrje njerëz pa dinjitet, që pranojnë çdo gjë për interesa personale. Përpiqen të fashojnë me lecka të ndotura politikisht, plagë ende të përgjakura.
Ne duhet të jemi për falje, por jo për harresë. Mund të besohet në fuqinë e sportit si mjet emancipimi kur të shohim Serbinë të organizojë një event që sjell përfitime për Shqipërinë dhe Kosovën. Deri atëherë, është e qartë se Serbia synon destabilizimin, siç u pa me sulmin terrorist në Banjskë, i cili ishte pjesë e një plani më të gjerë për të hapur një front lufte në Perëndim në shërbim të Putinit.
Unë mbështetem në një qasje objektiviste ndaj realitetit. Jam shqiptar dhe kërkoj e mbroj të drejtat e mia si i tillë. Nëse kjo më bën një ballkanas (konfliktual) tipik, atëherë le të jetë kështu—nuk mund të heq dorë nga parimi i së drejtës vetëm sepse dikush mendon se kështu duhet për t’u integruar në BE, apo për të tingelluar korrekt politikisht.
Historia ka shumë aspekte që duhen njohur, ruajtur dhe shpallur, sepse pa drejtësi të vërtetë, paqja nuk mund të jetë asgjë më shumë se një iluzion i shpartallueshëm. /Përgatiti Elis Buba/usalbanianmediagroup.com
