Me rastin e Ditës së Pestë Botërore kushtuar të varfërve, me temë “Të varfërit i keni gjithmonë me ju”, Ipeshkvijtë e Kishës Katolike në Shqipëri, kanë shprehur shqetësimin e tyre, nisur nga ndikimet shumë negative të krizës ekonomike botërore e cila ndërthuret edhe me veçantitë e situatës kritike që ka përfshirë rajonin prej kohësh, prandaj i bёjnё ftesë politikës shqiptare për të marrë masa konkrete e për t’i kthyer sytë nga të varfërit.
Në deklaratën e ipeshkvijve katolikë të Shqipërisë thuhet se radhët që shtohen e bëhen më të gjata në qendrat për të varfërit, kërkesa e vazhdueshme, sidomos e familjeve të reja dhe e të rinjve, për emigrim, janë shenjë e prekshme e përkeqësimit të ekonomisë dhe mundësive për nevojtarët, duke treguar rritjen e numrit të tyre.
Prandaj, ky mesazh deklarojnë ata është një thirrje e fortë për ata të cilëve populli iu ka besuar administrimin e të mirës së përbashkët, për politikën, për qeverinë, që të mos e humbasin mundësinë për ta bërë të mirën, sepse “Zoti i do ata që dhurojnë me gëzim”.
DEKLARATA E PLOTË
Me rastin e Ditës së Pestë Botërore për të Varfrit, që kremtohet të dielën me 14 Nëntor 2021, me temë “Të varfrit i keni gjithmonë me ju” (Mk14.7) ne, Ipeshkvijtë e Kishës Katolike në Shqipëri, shprehim shqetësimin tonë, duke vënë re ndikimet shumë negative të krizës ekonomike botërore e cila ndërthuret edhe me veçantitë e situatës kritike që ka përfshirë vendin tonë prej kohësh.