Albert Vataj
“Kanë ardhur dhe kanë ikur pa e kthyer kokën pas. Kanë parë e kanë thënë, çfarë kanë dashur dhe si u ka ardhur. Kanë sjellë ç’kanë patur dhe kanë marrë ç’kanë dëshiruar.
Të shumtë ishin ata të huaj, të cilëve u ra udha këndej nga viset e shqiptarëve, por ajo, Meri Edith Durham, erdhi për të mbetur përgjithmonë, ”Krajlica e Malësorëve“. Sepse gjithçka që përbën veprën e saj është një gurthemel në mirënjohjen e kahmotshme të shqiptarëve. Më shumë se një marrëdhënie e njerëzishme, ajo dëshmoi për një parathënie fati. Kapërcyelli historik, të qënit e shqiptarëve në qendër të ciklonit të kohës dhe absurdit të politikave asgjesuese, një zë i zëshëm si i saj do të mund të bëhej i dëgjueshëm për kancelaritë e botës, e cila qëllimisht e kishte hedhur fatin e këtij populli nën dhëmbët jargavitës së babzisë së egërsirave që ishin gati ta shqyenin si një pré e zezume. Ajo bëri gjithçka mundi, por mbeti zemërthyer sepse ëndrra e saj do të fikej dhe shqiptarët do të vijonin të përpëliteshin në vërshimin e përbinshëm të kohës”
Prej gjithë udhëtarëve britanikë që erdhën ose kaluan në Shqipëri, Mary Edith Durham ishte padyshim më e spikatura dhe mbeti më e lidhura me Shqipërinë, shqiptarët dhe çështjen e tyre. Ndërsa vizitorë të tjerë të huaj që kaluan nëpër Shqipëri e përshkruan atë së bashku me vendet e tjera ballkanike, Miss Durhami gjithnjë e më tepër u mor me problemet shqiptare.
Ajo erdhi për herë të parë në vendin tonë në vitin 1901 si vizitore dhe jetoi këtu në vitet më të vështira të historisë, në një kohë kur Shqipëria ende konsiderohej veçse një nocion gjeografik.
Ajo jo vetëm shkroi, por bëri përpjekje të vazhdueshme kolosale për t’i siguruar këtij vendi përkrahje politike e ndihma humanitare, duke punuar dhe vetë në kushte tejet të vështira.
Edhe më vonë kur nuk kishte mundësi të udhëtonte nuk pushoi së shkruari për të gjetur mbështetje të gjerë për çështjen shqiptare si nga Fuqitë e Mëdha ashtu dhe nga qeveria e vendit të saj. Për këto Mit’hat Frashëri shkruante në “Liri e Shqipërisë”, 1914 se: “Miss Durhamit shkrimtares angleze duhet ti shprehim mirënjohjen më të madhe dhe t’i blejmë një penë të florinjtë për të mirat që ka bërë ndaj Shqipërisë”.
Me një varg studimesh etnografike e publicistike ajo i dëshmoi opinionit publik europian e botëror vlerën jetësore të këtij kombi në kërkim të lirisë dhe identitetit të munguar.
Në këto udhëtime, Mary Edith Durham u mor me studime historike, etnografike, antropologjike, të traditës, folklorit e të zakoneve tona, dhe shkroi disa libra për to, midis të cilëve mund të përmendim “Lufta për Shkodrën”, “Origjina e disa fiseve”, “20 vjet ngatërresa Ballkanike”, “Kulti i Diellit dhe Hënës në Ballkan”, “Shqipëria e sipërme”, “Brenga e Ballkanit” etj.
Miss Edith Durham jo vetëm admiroi trimërinë, atdhedashurinë dhe bujarinë e shqiptarëve, por ajo u interesua me devotshmëri për fatin tragjik të Shqipërisë dhe popullit shqiptar, që kërcënohej në ato vite nga synimet dhe pazaret të shumta të Fuqive të Mëdha, që vinin në pikëpyetje vetë ekzistencën tonë si komb.
Me veprimtarinë e saj si publiciste, gazetare, autore librash, piktore, ajo u bë në opinionin përparimtar e politik të kohës përkrahëse aktive e çështjes së lirisë së Shqipërisë (luftës së shqiptarëve për liri).
Në Britaninë e Madhe, Mary Edith Durham, veprimtarinë e saj politike e në favor të Shqipërisë e konkretizoi me formimin e Komitetit Anglo-Shqiptar në vitin 1912 ku merrnin pjesë deputetë të Parlamentit britanik dhe personalitete të shumtë që u interesuan dhe kontribuuan për çështjen shqiptare. Miss Durham ka mbrojtur çështjen e independencës shqiptare për më tepër se 30 vjet. Dervish Duma diplomat në Londër shkruan: “Zonjusha M. Edith Durham me shkrimet e saj e Koloneli Herbert (MP- K.F) me influencën e tij e me anën e miqve të shumtë që kishte në Parlament, në qeverinë Ingleze dhe ndër pronarë fletoresh, qenë ata që u përpoqën më së shumti në Angli për ringjalljen e vetëqeverimit tonë mbas Luftës Botërore”. Gjithashtu ajo ishte anëtare e Institutit Mbretëror për Çështje Ndërkombëtare (Royal Institute of International Affairs), London.
Ajo punoi shumë për Institutin Antropologjik (Royal Antropological Institute), Londër dhe ishte një anëtare e tij për një kohë të gjatë. Koleksioni i saj i paçmueshëm i përbërë prej tekstileve ballkanike gjendet edhe sot i ruajtur në Bankfield Museum Halifax, Angli.
Edith Durham me letra e kërkesa ju drejtua shumë institucioneve; qeverisë së vendit të vet, Konferencës së Ambasadorëve në Paris, organizatave humanitare, organeve dhe redaksive prestigjioze të shtypit dhe personave me influencë në opinionin publik të kohës, ku kërkonte njohjen e pavarësisë së Shqipërisë në të drejtën e vet historike, etnike e jetësore, në pranimin e saj në Lidhjen e Kombeve. Me një varg librash dhe artikujsh të ndryshëm në gazetat periodike të kohës si: “Times”, “The Manchester Guardian”, “The Adriatik Rewiev”,”Near East”, “The Nations”, “Man”, “The Observer”, “New Times and Ethiopia News” etj., Edith Durham i paraqiti opinionit europian e botëror padrejtësitë dhe vuajtjet e shumta që i bëheshin këtij vendi.
Në vitet e Luftës së II-të Botërore, edhe pse në moshë të thyer dhe e sëmurë, ajo s’pushoi së punuari. Xhesti i Mary Edith Durhamit, megjithëse 76-të vjeçare, e cila doli nëpër rrugët dhe Parlamentin e Londrës me pankartë në duar ku shkruhej: “Larg duart nga Shqipëria” në kohën kur Italia fashiste sulmoi e pushtoi Shqipërinë, nuk do të harrohet kurrë. Fan Noli shkruante për të: “Zonja e nderuar Angleze nuk ditka të tregojë vetëm simpatinë e saj për racën shqiptare, vetëm me libra të bukur. Puna që bëri në Podgoricë për refugjatët e urtë dhe kryengritësit e plagosur është aq fisnike, aq e lartë…”.
Edith Durham i shpalosi vlerat e kombit tonë në mënyrën më të drejtë dhe shkencërisht pa marrë parasysh kërcënimet, provokimet, joshjet etj., madje ajo në mënyrë publike i ktheu mbrapsht dekoratat e akorduara mbretit të Malit të Zi, Nicholas I, si protestë ndaj masakrave që malazezët ndërmorën kundër popullsisë shqiptare të pambrojtur.
Me peshën e 80 viteve në shpinë dhe e dërmuar nga sëmundjet, M. E. Durham shkroi pa pushim në shtypin e kohës e atë britanik. Për probleme të ndryshme ajo shpesh ju drejtua dhe ‘Foreign Office’ (Ministrisë së Jashtme të Anglisë) për mbrojtjen e integritetit dhe tërësisë tokësore të Shqipërisë.
Për herë të fundit ajo erdhi në vendin tonë në vitin 1921, ku u njoh dhe u takua me Fan Nolin. Është interesante të thuhet se me gjithë rrethanat e vështira të kohës, E.Durhami njohu nga afër dhe pati bashkëpunim me një sërë personalitetesh të shquar të vendit tonë si: Ismail Qemali, Kristo Dako, Dervish Hima, Mit’hat Frashëri, Pandeli Evangjeli, Faik Konica, Lef Nosi, Mehmet Konica, Motrat Qiriazi, Aqif Pashë Elbasanin, Hil Mosin, Hoxha Kadri, Bajram Curi etj. Ajo në vitet që pasuan e vazhdoi miqësinë dhe korrespodencën me Fan Nolin që jetonte në Amerikë dhe i shërbente me përkushtim Kishës Orthodokse Autoqefale dhe çështjes shqiptare në tërësi. Miqësia e tyre vazhdoi, derisa mbylli sytë dhe u nda nga jeta më 15 nëntor 1944.
Në mbyllje të letrave të saj drejtuar Nolit të cilat datojnë 6 prill, 25 qershor, 23 tetor 1943, ajo ndër të tjera shkruante: “Zoti e bekoftë Shqipërinë”, Urimet më të mira për ju dhe me shpresë se Shqipëria do të shpëtojë”, “… dhe tani shpirti im është i gatshëm, por trupi është i dobët”.
Mary Edith Durham, kjo grua e mençur, fisnike, trime dhe kurajoze, për një jetë të tërë punoi e luftoi që vendi ynë t’i shpëtonte copëtimit e të merrte përparimin dhe zhvillimin social-ekonomik. Ja si e përshkruan misionin e kësaj gruaje trime dhe kurajoze një gazetë angleze dhe e botuar nga “Dielli” 1917: “Një udhëtim për liri ndaj përpjekjeve të grekëve për të helenizuar Korçën. Mundimi i Znj. Durham për shpëtimin e atij qyteti. Çau malet nga Korça në Berat për një telegraf në Londër”.
Për meritat e saj tërësisht të merituara populli shqiptar, e veçanërisht ai i krahinave të Veriut, asaj i dha emrin duke e quajtur “Mbretëresha e Malësorëve”. Për punën dhe veprimtarinë e saj në dobi të njohjes së çështjes shqiptare dhe në shërbim të Shqipërisë, Edith Durham në vitin 1928 me dekret të posaçëm vetë Mbreti Zog I, i akordoi asaj dekoratën e lartë “Oficeri i madh i Urdhrit të Skënderbeut”. Me gjithë këto merita, emri, veprimtaria dhe puna e saj mbetën në hije gjatë gjithë kohës së regjimit të diktaturës komuniste.
Vetëm në vitet e ndryshimit dhe demokracisë Presidenti i Republikës së Shqipërisë z. Sali Berisha i akordoi asaj dekoratën e lartë “Urdhrin e Flamurit Kombëtar” të Kl. I-rë me motivacion “Ju kushtua me devotshmëri çështjes së kombit dhe shtetit shqiptar, veprimtaria e saj është një himn, një përmendore e popullit shqiptar”. Po ashtu, me hapjen e kufijve të komunikimit në nderim të veprimtarisë së saj janë botuar libri bibliografik “Mary Edith Durham- Një Zonjë e Madhe për Shqipërinë” (2004), si dhe “Albania and the Albanians: Selected Articles and Letters 1903-1944” by M. E. Durham. Në vitin 2004, me rastin e 60-vjetorit të vdekjes së saj, Presidenti i Republikës z.Alfred Moisiu, e ka nderuar atë me titullin e lartë urdhrin “Gjergj Kastriot Skënderbeu”.
Populli shqiptar në historinë e tij, ka treguar dhe tregon, se është mirënjohës dhe miqtë e vet si Edith Durham, Aubrey e Mary Herbert, Robert Cecil, Charles R. Crane, T. Erikson, Sir Robert Hodgson, Justin Godard, Lordin Robert Cecill, Presidentët Willson, Bill Klinton dhe George W Bush, Hillary Clinton, Madalene Ollbrajt, Tony Bler, Wesly Klark etj., etj., Kurrë nuk i harron, por i kujton dhe i nderon me respekt për te gjithë atë çfarë kanë bërë për të, në ditët e tyre të vështira e për të ardhmen e tyre. Ata do të mbeten përherë në memorien kombëtare të paharruar dhe të respektuar.
Mary Edith Durham do të mbetet përgjithmonë një kujtim i bukur për shqiptarët, një personalitet i nderuar dhe i dashur, një frymëzuese e sinqertë e qytetërimit të tyre; sepse ajo nga dita që vuri këmbën në tokën shqiptare, u mrekullua jo vetëm nga natyra, por edhe nga shpirti e vlerat e shqiptarëve, u tregua shqiptare me zemër e me shpirt. Kjo është arsyeja pse ne e ndjejmë atë si bijën tonë dhe i dhamë titullin e lartë “Mbretëresha e Maleve”. Ajo bën pjesë me të drejta të plota në historinë e Shqipërisë.
Edith Durham “Shqipëria e epërme”
Lumi i madh i jetës s’rrjedh njëlloj për të gjithë. Vende-vende ai zvarritet i mefshtë nëpër ca rrafshina të mërzitshme, të mbushura me monumente të një të shkuare të mugullt të cilët ngrihen brigjeve, aty ku ai s’ka forcë t’i përmbysë. Në të tjera vende, ai vërshon rrëmbyeshëm, duke latuar shtretër të rinj, teksa fshin të vjetrit. Ose shpërthen nëpër moçalishtet e krijuara përtej rrjedhës së tij dhe derdhet tej, i mbushur plot rrëzalla dhe hedhurina nga të gjitha kohët.
Moçalishte të tilla të jetës njerëzore gjen në shumë qoshe të Europës, por sidomos në Lindjen e Afërt. Për njerëzit që banojnë në këto vise koha thuajse s’ka lëvizur. Kur vjen mes tyre, udhëtari nga Perëndimi ndjen brenda vetes një si drojë, sepse i mbushur plot kujtime të vagullta nga agimi i racës së vet, i thotë vetes: “Kështu thua të sillesha dhe unë mijëra vjet të shkuara; kështu i zija dhe unë pritë armikut; kështu vallë të kem menduar e të jem sjellë dhe unë në agim të Kohës!”
Shqipëria e Epërme përbën pikërisht një nga këto qoshe. Them Shqipëria e Epërme, sepse për nga kushtet që ekzistojnë aty, ajo ndryshon shumë nga Shqipëria e Jugut, ndërsa në fakt ky libër merret vetëm me pjesët me të egra të Shqipërisë së Epërme.
Sado e habitshme që mund të duket, historia e Shqipërisë, një rrëfenjë e komplikuar me mjaft interes, mbetet ende për t’u shkruar. Tashmë dihet mirë se cilat janë pretendimet e grekëve, bullgarëve dhe serbëve në gadishullin ballkanik, njëlloj si ajo që dëshiron Austria, Rusia dhe Italia. Por gjithnjë ka qenë e modës që të drejtat dhe pretendimet e banorëve më të vjetër të këtyre viseve, shqiptarëve, të shpërfillen, ndaj dhe çdo plan i deri më sotëm për të reformuar dhe rindërtuar Lindjen e Afërt ka dështuar.
“Kostandinopoja, – të thotë shqiptari, “është çelësi i Lindjes së Afërt, dhe Shqipëria është çelësi i Kostandinopojës.”
Historia e çdo populli është një epikë e madhe, që për ta shkruar kërkon një punë që shkon përtej mundësive të mia. Skica e shkurtër e mëposhtme tregon vetëm kalimthi peripecitë që kanë ndikuar në fatin e popullsisë së Shqipërisë së Veriut, por megjithatë, s’ia kanë dalë të nënshtrojnë individualitetin e saj kokëfortë.
Periudha ilire (që nga rreth vitit 700 p.k. deri në 230 p.k.) – Në viset që tashmë njihen si Mali i Zi, Shqipëria e Epërme, Hercegovina dhe Bosnja dihet se banonte një popull i rreptë fisnor që njihej me emrin ilirët. Rreth vitit 300 p.e.r ata u pushtuan nga keltët, të cilët ka mundësi të kenë lënë gjurmë të thella tek njerëzit e sotëm, duke e ua përzierë gjakun me atë kelt.
Periudha romake – Luftëtarë të rreptë dhe piratë të regjur, ilirët bënë që mbi ta të sulej (në vitin 230 p.e.r) një ekspeditë ndëshkuese romake dhe pas një lufte të gjatë, më në fund Iliria u kthye në një provincë të Romës. Genti, i fundmi mbret i ilirëve, u mund dhe u zu rob në Shkodër në vitin 169 p.e.r. Vendi duhet të ketë patur një popullsi të dendur, sepse romakëve iu desh shumë kohë për ta pushtuar. Anë e mbanë Bosnjës dhe Hercegovinës gjenden me mijëra varre parahistorikë nëpër ca varreza të mëdha – të ngjashme me to janë gjetur në Serbi, në Mal të Zi, si dhe në Shqipërinë e Epërme. Në to kanë gjetur shumë sende bronzi dhe hekuri që paraqesin mjaft interes, sepse zbukurimet e gjendura në to vazhdojnë të përdoren, ose janë përdorur deri tash vonë nga fshatarët e Bosnjës, të Serbisë, Shqipërisë, madje dhe të Bullgarisë
(Fragment nga kapitulli i parë “Shqipëria e Epërme”)
Një udhëtare angleze që në vitin e trazuar 1908 përshkon gjithë Shqipërinë e Veriut, duke nisur nga Shkodra, nëpër gjithë malësinë, deri në Prizren, Gjakovë, Prishtinë e Mitrovicë. “Shqipëria e epërme” rivjen në përkthimin e Piro Mishës, botimet IDK, një rrëfim magjepsës, tronditës, pse jo dhe dramatik, që sjell të gjallë një botë sa epike e heroike, aq dhe të prapambetur, primitive e të pamëshirshme, ku asgjë s’është ashtu siç duket e, ç’është kryesorja, shpesh mjaft të ndryshme nga shëmbëllimet romantike që kemi për historinë. Të kuptosh sa shumë fije të dukshme e të padukshme vazhdojnë të na lidhin me të shkuarën tonë, pa të cilat në fakt, është e pamundur të shpjegohet ajo që është Shqipëria e sotme me gjithë kundërthëniet e sfidat e saj dramatike. Ja çfarë shkruan Edit Durham në parathënie të librit:
“Nëse një libër s’flet dot vetë, është e kotë të flasësh ti për të. Ndaj dhe s’do çoj kot veçse pak fjalë për një Parathënie. Në dy librat e mi të mëparshëm për Ballkanin, u përpoqa të tregoja se cilat qenë pikëpamjet kombëtare, qëllimet e aspiratat, si dhe cila qe mënyra e sjelljes apo zakonet e serbëve, si dhe të popullsisë të përzierë të Maqedonisë. Të njëjtën gjë po bëj tani për popullsinë e Shqipërisë së Epërme. E pata të vështirë të përzgjidhja nga grumbulli i materialit të mbledhur gjatë udhëtimit tim tetëmujor, së bashku me ato që kisha mbledhur gjatë vizitave të mia të mëparshme në Shqipëri, ndërsa nga ana tjetër, për shkak të mungesës së vendit qesh i shtrënguar të heq pothuajse po aq material përsa i takon folklorit, zakoneve dhe traditave, sa dhe ç’kam përfshirë në libër. Ky është një vend që njihet aq pak nga udhëtarët anglezë sa që e pashë të udhës të jap më parë një vështrim gjithëpërfshirës të tërësisë së vendit, pa u ndalur shumë në hollësi të fushave të veçanta të studimit, duke preferuar më mirë të sjell ç’më kanë thënë njerëzit, sesa të parashtroj pikëpamjet e mia. Sa për pikëpamjet e të huajve për Ballkanin, tashmë besoj se pjesa më e madhe prej nesh tashmë janë lodhur me to.
Çdo sukses që mund të kem arritur, ia kushtoj vetëm ndihmës bujare dhe dashamirëse që gjeta gjatë gjithë udhëtimit nga të gjithë pa përjashtim, por në mënyrë të veçantë nga françeskanët dhe priftërinjtë misionarë të malësisë dhe udhërrëfyesi im Marko; por po ashtu, mikpritësve dhe udhërrëfyesve nga të gjitha racat dhe fetë që unë pata. Njerëz besnikë, kurajozë, e mikpritës, të cilët ndoshta është e shkruar në Librin e Fatit të mos i shoh më, por “Kur njeriu tregohet i njerëzishëm e i mëshirshëm me të huajin, kjo dëshmon se është Qytetar i Botës; e se Zemra e tij s’është një ishull i ndarë nga Tokat e tjera, por një Kontinent që me to bashkohet.” Por takimi me ta s’do jetë i kotë, nëse nga kjo dëshmi e shkurtër disa nga lexuesit e këtij libri do kenë mundësi të mësojnë diç më shumë për karakterin e fiseve të malësisë.
Dhe më në fund, do thoja se megjithëse kreva hetime mjaft të kujdesshme në shumë vende, përpara nqaqë s’mbaja shënim një zakon të caktuar, s’ka dyshim që mund të ketë dhe gabime, për të cilët përgjegjësi mbaj vetëm unë.” – M.E.D, shtator 1909