Nga Elis Buba
Tre dekada që paguajmë me para gjaku krizat e politikës shqiptare
Qëkurse mbaj mend, në fëmijëri e deri më sot, që jam 37 vjeç, shqetësim konstant në mendjen dhe zemrat e shqiptarëve të ndershëm e punëtorë ka qenë mbijetesa, buka e gojës, sigurimi i jetës. Por po kaq stresues ka qenë edhe padrejtësia sociale, kaq konstante, pedante, dërrmuese e dëbuese. Pasi edhe ata pak shqiptarë që siguronin bukën e gojës, jetesën e bollëk për vete e të tyret, e bënin dhe e bëjnë të pamundur për të tjerët që të jetojnë me dinjitet njerëzor. Ata, duke përfituar nga indiferenca e një politike sociale pasive, kanë bërë të mundur sendërtimin e një populli në kufijtë e skllavërisë, të revoltës e neverisë ndaj vendlindjes. Po ashtu, duke përfituar nga mungesat e një plani të gjerë e vizionar nga ana e shtetit, për Shqipërinë e shqiptarët, është bërë i mundur një realitet paradoksal ku një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve të zgjedhin të bëhen sipërmarrës, duke qenë e pamundur mbijetesa si nënpunës, funksionarë e rrogëtarë me rroga mbijetese. Të tillë individë, shkarkojnë frustrimin e tyre personal ndaj sistemit, vet ia hedhin, duke u bërë pronarë, por sakaq duke u shkaktuar frustrim të tjerëve poshtë vetes. Pasi të tillë individë, arrogancën, abuzivizmin dhe cinizmin që s’e duronin vetë duke qënë nënpunës, ua shkaktojnë, si tendencë a-sociale, të tjerëve që rrjedhimisht punësojnë në sipërmarrjet e tyre, duke mos ndërruar, në thelb asgjë. Kjo është vijueshmëri e ligjit të xhunglës. Ose kështu siç them unë ose në rrugë të madhe! Ndaj supozohet, edhe arsyeja pse shohim të çelen e kyçen me dhjetra biznese dita-ditës. Por Shqipëria jonë s’ka pse të jetë një arenë e përjetshme mbijetese. Ligji duhet të jetë i njëjtë për gjithë dhe kush nuk mbërrin dot që të garantojë këtë njëjtësim në ligjzbatim, të vihet para përgjegjësisë serioze.
Sa e thjeshtë është të jesh popull?!
Nuk bën kurrfarë sensi që një shtet i tërë të vidhet për vite me rradhë e askush të mos mbajë përgjegjësinë më minimale. Nuk bën sens që të njoftohemi paraprakisht për një krizë që do na prekë në të ardhmen e afërt. Ngjan më shumë si një plan sesa si një gjithsej analizash të frytshme, mbi të cilat pushtetarët tanë u këputën e ranë përmbys duke i bërë! Nëse do të qe e vërtetë e kundërta, prap nuk bën sens të njoftosh popullin që të ka dhënë, ose mund t’i kesh marrë votën, se një hall i madh na pret e nuk kemi asnjë zgjidhje tjetër veç shtimit të taksave.
Është kaq e volitshme për qeverinë aktuale që t’i shtyjë mandatet mes tërmetesh, pandemive dhe së fundmi krizave energjitike, pa bërë në thelb asgjë substanciale, në përmirësimin e jetesës së shqiptarëve. Por akoma më keq, duke e përkeqësuar atë, përmes thellimit skandaloz të borxheve të vendit, përmes pamundësimit fizik të jetës mes kolosëve të betonit që ndrihen dita-ditës, duke na zënë sytë e frymën të gjithëve e duke e bërë me pagesë ç’do hap që hidhet jashtë shtëpisë.
Është kaq e volitshme për këtë opozitën e sotme, që të shfletojë vitet në po të njëjtin pasivitet dhe frikë. Në po të njëjtat replika dhe kërcënime në bosh. Në mos qofshin vërtet të tilla, do kishin kalbur në burg njëra pal tjetrën prej kohësh. Por fakt është që në urtësinë e gjumit të popullit “foshnjë”, gjejnë sheshin e volitshëm për përsheshin e tyre të përbashkët.
Le të analizojmë konkretisht, mbi fakte të bëra publike!
Së fundmi është bërë e ditur se një fuçi naftë është shitur 80 dollarë në tregjet ndërkombëtare, çmim ky që nuk ishte parë që nga tetori i vitit 2018. Ekspertët parashikojnë rritje të mëtejshme këtë dimër, ndërsa efektet e shtrenjtimit kanë prekur edhe gazin, qymyrin e karbonin.
Çmimi i naftës bruto ka arritur në 80 dollarë për fuçi këtë javë në Europë. Kjo rritje e shpejtë, që pas krizës së pandemisë, nuk ishte parë që prej tetorit të vitit të 2018.
Shqipëria është vend i pasur me naftë, por sipas kreut të qeverisë:
“Shqipëria nuk e prodhon sasinë e naftës që përdor, ajo që prodhon është e cilësisë së naftës së rëndë që shkon kryesisht në tregun ndërkombëtarë për tu përdorur në industrinë e bitumit. Rreth 600 mijë ton që përdoren në vendin tonë janë nënprodukte që vijnë nga importi.”
Shqipëria është vend që prodhon energji eletrike, por sipas kreut të qeverisë:
“Ne prodhojmë vetë vetëm një pjesë të energjisë që prodhojmë dhe kjo bën që të kemi një çmim të rregulluar dhe jo të liberalizuar. Edhe sot që flasim çmimi i energjisë për familjarët është nën koston reale, falë subvencionimin nga shteti dhe për familjarët dhe biznesin e vogël çmimi është nën koston reale”
Në këta dy sektorë nevralgjikë të industrisë, përse një vend i pasur si Shqipëria, nuk ka mundur të krijojë në mos pavarsi, të paktën autonomi ndaj tregut botëror, në këto 3 dekadat e fundit?
Kjo ndodh për të njëjtën arsye pse realisht nuk ka asnjë zhvillim të njëmendët në politikat e vlerësimit të punëmarrësve, në nivelin e rrogave dhe pensioneve. Kësisoj konsolidohet përditë e më shumë shkatërrimi i tregut financiar dhe qarkullimi i drejtë/i kënaqshëm i parasë. Askujt nuk i intereson mirëqenia e masave. Masat, populli janë një kosto, nëse vëzhgohen nën optikën e shtypësit. Për të mbajtur këtë masë, e sakaq të përfitohet në kurriz të saj, sa më shumë që të mundet, duhet siguruar statusi i dremitjes kolektive, në një mënyrë a në një tjetër. Kjo duke i përçarë politikisht e duke i mbajtur me rroga mbijetese deri në një moment të papërcaktuar. Pra ky është një problem “sui generis” politik.
Shqipëria është vend i pasur e ku qarkullon shumë para, madje s’mungojnë raste kur krerë të klerit fetar kryejnë publikisht transaksione financiare milionëshe, kemi raste kur ngrihen kulla me para cash, 20 vjeçarë që figurojnë befas me “biznese VIP” etj. Ky vend është haptazi një parajsë jo vetëm natyrore ose xhehnet siç kanë qejf këta filoarabët indoktrinues. Xhehnet financiar! Lekun nuk e ndjek askush nga vjen e ku shkon. E sipas kreut të qeverisë:
“Rrogat rriten kur bëhen buxhetet, do të rriten vit pas viti që deri vitin tjetër do të shkojë në 320 mijë lekë dhe do të bëjmë çmos që deri në përfundimin e mandatit tonë të shkojnë në 400 mijë lekë.”
Një shifër më e lartë se ky 320 mijë lekësh, që do qarkullojë përmes bankave, janë detyrime ndaj shtetit në çdo familje. Lekët shtesë mbi taksat merrjani atyre që i kanë vjedhur e i vjedhin dita ditës nga xhepat e qytetarëve!
Ka një çështje ose më saktë dilemë thuajse ekzistenciale të cilën na e vënë para sysh këta trimat bujarë e të kollarisur që na drejtojnë me kaq fisnikëri prej kaq kohësh. Ne jemi një popull njerëzish të ndërgjegjshëm e të qytetëruar apo një kope delesh të urta që blegërin hera-herës nëpër rrjetet sociale? Këta “kollaret” që s’e qepin sqepin, duken të bindur për të dytën. Tashmë le të flasë koha!/usalvision