(dhe Drit` e Diturisë, Përpara do na shpjerë`- N.Frashëri) Për të zbardhur historinë e ndërlikuar të shqiptarëve, e ashtuquajtur Kutia e Pandorës është hapur tashmë për të mos u mbyllur më derisa të zbulohet e vërteta. Që nga pushtimi i Shqipërisë nga perandoria turke më 1478 dhe deri rreth viteve 1660-1703, përveç pushtimit ushtarak dhe politik, filloi të ravijëzohen disa shtresa të reja në popullatën e atëhershme, shtresa popullate që flisnin shqip ose shqipfolës, sepse ishin kolonë të ardhur nga viset e perandorisë turke, por myslimanë, vendas të konvertuar në islamë me pozita ushtarako-politike dhe pas tyre u konvertuan në masë dhe bujkrobërit, por mbetën dhe vendas shumica me fe ortodokse, qoftë në veri të trojeve shqiptare qoftë në trojet e mesme, e qoftë në jug. Kështu, nën presionin turk, i cili zbatoi strategjinë e posaçme anti-arbëresho-epirote, në fund të shek XVII- fillim shek të XVIII, ndodhi dhe ndarja tragjike shpirtërore e fetare e popullsisë që fliste shqip me të gjitha pasojat që ndihen e dhe sot për shkak të dyzimit fetar dhe tradiconal. Pra, problem i bashkimit të trojeve shqiptare dhe në përgjithësi i popullit shqiptar nuk është aq i lehtë, por në radhë të parë kërkon disa parakushte dhe zbardhje e së vërtetës sado e rëndë apo e lehtë të duket. Ky fakt mund të shpjegohet edhe me frazën e Faik Konicës që tregonte; “Kur nisa luftën për çlirimin e Shqipërisë njëzet e pesë vjet më parë, kujtoja si shumë i ri që isha se problem ish vetëm një problem kombësie, d.m.th., se po të arrinte të zgjohej plotësisht ndjenja e kombësisë në zemër të shqiptarëve, themelimi i një Shqipërie të lirë, ish një punë e mbaruar posa të vinte rasti. Kur mu poq mendja më tepër, që pesëmbëdhjetë vjet e tëhu, kuptova se problem i Shqipërisë më tepër se kombëtar ish një problem moral.. Në fjalë të tjera ky popull që të shpëtojë, ka nevojë më parë se çdo gjë tjetër, t`i stërvitet e t`i lartësohet karakteri, t`i zbutet e t`i spastrohet zemra..` Shumëkush sidomos ata të tipit Koço Danaj, apo të AK shqiptare, ose të Vetvendosja kosovare, radikalistë që kërkojnë me pathos e mllef kthimin e të kaluarës të `Jasha Padishah`, e kërkojnë bashkimin e trojeve shqiptare sikur ajo të ishte thjesht një copë kristali e thyer që mund të ngjitet lehtësisht. Asnjëherë nuk mund të ndodhë ky fenomen nëpërmjet ngritjes artificiale të nacionalizmit, apo nëpërmjet sheriatit qe të kujton Kahrarnamenë e Lidhjes së Prizrenit e cila çoi përfundimisht në ndarjen e trojeve shqiptare ndërmjet fqinjëve. Nuk duhet harruar që në këtë ndarje të trojeve, pas 1878 morën pjesë dhe shqiptarët jo-myslimanë pra të krishterët që kishin gjetur strehë dhe mbështetje tek kishat përkatëse sllave, siç ishin shqiptarët ortodoksë të trojeve shqiptare të veriut ose shkiet, dhe shqiptarët ortodoksë të trojeve të jugut ose arvanitasit. Arsyeja? Arsyeja sipas tyre qëndronte se Arbëria dhe Epiri tashmë nuk mund të bëhen shtet më vehte, sepse janë të pushtuar nga turqit dhe se shqiptarët e fesë islame nuk janë shqiptarë! Këtu kanë ndikuar dhe kishat përkatëse, koha e gjatë nën pushtim, mundësia e artë e fituar pas humbjes së Turqisë më 1878 nga rusët. Po përse ndodhi kjo ndarje kaq e fortë ndërmjet shqiptarëve e të dy feve kryesore, sepse të dy komunitetet ishin të sunduara nga turqit osmanllinj? Historia e është e dhimbshme dhe nëse duhet zbuluar e vërteta ajo nuk duhet të na kushtëzojë për të ardhmen e popullatës shqiptare dhe të trojeve shqiptare, por thjesht për të gjetur zgjidhjen më të mirë të mundshme në këtë realitet të ri ballkanik dhe Europian, sigurisht nëpërmjet integrimit. Me tre rreshta (që në fakt kërkojnë qindra faqe shpjegime), problemet kryesore në trojet shqiptare dhe popullatën shqiptare të cilat kanë shkaktuar ndarjen jo vetëm të trojeve shqiptare por një ndikim edhe të popullatës shqiptare qoftë ajo myslimane ashtu dhe ajo e krishterë, qëndron kështu: – Pushtimi turk dëmtoi formimin e një shteti shqiptar të mirëfilltë i cili nëse historia do të ishte ndryshe nuk do të quhej Shqipëri por Arbëri dhe Epir, sepse në radhë të parë dëmtoi binomin Fe+ Atdhe= Shtet, duke dëmtuar fenë. Disa mund të thonë se.. po para pushtimit turk? Gjasat ishin për të formuar një shtet Arbëror të fortë që do të dominonte në Ballkan. – Arsyet se përse sundimi turk pati pasoja më të rënda në trojet shqiptare se sa në trojet e tjera ballkanike janë: Kokëfortësia e krerëve shqiptare (arbërorë dhe epirotë) për të mos u nënshtruar; Resurse njerëzore dhe ekonomike me të pakta se Perandoria turke, Ndihma evropianë e vogël – Arsyet se përse turqit shkatërruan totalisht principatat arbërore, trojet, kështjellat, dhe dëbuan njerëzit ishin: pengesa e ashpër dhe e armatosur me armë, që i bënë shqiptarët kundër përhapjes së islamit, mos pranimi i vasalitetit për një kohë të gjatë, nxitja perëndimore, – Arsyet se përse turqit morën shumë shqiptarë të atëhershëm dhe i vunë në poste ekzekutive dhe ushtarake, ishte se raca arbërore dhe epirote një racë e lashtë, e bukur, trime, dhe e zgjuar, përbënte në fakt edhe strategjinë turke; pushto dhe lufto me komandantë dhe ushtarë jeniçerë (jo turq, por pengje të konvertuar), – Argumenti se përse popullata shqiptare nuk u asimilua tërësisht me gjithë presionin e dhunën ishte: survivanca e popullatës nëpërmjet emigrimit (për të mos u dorëzuar dhe u konvertuar- ikën të pasurit e të mesmit), +nëpërmjet konvertimit në islam (për favore dhe pushtet, e kështu edhe një survivancë me efekte negative), +nëpërmjet ruajtjes së fesë duke kërkuar mbështetje tek Kishat Ortodokse që kishin lejen e Turqisë por që shkaktoi humbjen e gjuhës, ose tek Kisha Katolike e cila gjithashtu pati të njëjtin efekt tek popullata që kërkoi strehim e mbështetje). – Strategjia turke e islamizimit për trojet dhe popullatën shqiptare që nuk emigroi mund të paraqitet nëpërmjet gjashtë taktikave: vrasje për ata që nuk kthehen, pengje për ata që janë të lëkundur, taksa të rënda për komunitetin jo-islam, prishje e kështjellave, largim i banorëve dhe ndërtim i fshatrave e qyteteve në vende pa mbrojtje, dhe prurje popullate tjetër për të populluar fushat e kodrinat e trojeve shqiptare të braktisura, kryesisht nga Anadolli, Persia, Abkazia, dhënia e shpërblimeve dhe posteve ushtarako-administrative për të konvertuarit. Hakmarrja turke –osmanllie ra shumë rëndë mbi shqiptarët dhe trojet e tyre pikërisht për tu hakmarrë ndaj shqiptarëve kokëforte të krishterë sepse vete sulltan Mehmeti II ( ai që pushtoi Konstandinopojën më 1453) tha për shqiptarët (Arbër-epirotët e atëhershëm ): “Nuk do lë gur mbi gur në Arbëri”. Dhe ashtu bëri, shkatërroi të gjitha kalatë. Madje dhe varrin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeu e prishi, e dëmtoi, duke ja marrë edhe kockat – `për hajmali`(M.Barletti `Gjergj Catrioti-Skanderbeg, Princ i Epirit).
II Në shkrimin tim të disa ditëve më parë ` Shkijet dhe shkipëtarët- ose Zanafilla e fjalës shqip dhe Shqipëri`, problemi se ku u zhdukën shqiptarët ortodoksë (dhe më pak ata katolikë) ishte një problem edhe `tabu` edhe pak misterioz, sepse në fakt ka patur të bëjë edhe me kalimin në një etapë të re të gjuhës së folur shqipe e sigurisht edhe në ndërrimin emrave dhe emërtimeve për shkak të dyzimit religjioz dhe prishjes së shtetit shqiptar për gati 500 vite. Shqiptaret ne kufi me sllavet nuk emigruan por zgjodhën një alternative tjetër të pathënë më parë nga historianët tanë: u afruan pas Kishës sllave ortodokse sepse ajo kishte imunitet; kjo i shpëtoi ata nga raprezaljet. E këtu fillon transformimi. Nga arbër ne shqiptare. Arbërit ortodoksë të mbrojtur nga Kisha sllave – i quajtën arbërit e konvertuar myslimanë si Shqep-tarë, kurse arbërit orthodokse i quajtën si Shqije-Shqja-nga shizma (që do të thotë shkep, ndaj,). Fjala shqiptar u ngeli arbërve dhe epirotëve te konvertuar ne myslimane; arbërit ortodoksë që u bashkuan nga halli me sllavët u quajtën shkije; epirotët ortodokse u quajtën arvanitas; ortodokset që flisnin shqip ne trojet shqiptare u quajtën shqiptare kaurrë. Sipas F.Xharra: “Viti 1637,për Gjakovën sipas misionarit fra Bonaventura da Palacula ,nga 500 shtëpitë e kësaj kasabaje vetëm 20 ishin katolike të tjerat “ il resto tutti Turche et Scismatici”( të tjerët shqiptarë musliman dhe shqiptarë shkije ). Dhe mandej vashdon:” Per andare dalla parte del Settentrione sopra Jacova incominciano li Scismatici” –duke u ngjitur nga Gjakova në Deçan ,nëveriun e Gjakovës nëpër fshtra të gjithë fashtarët “shkizmatik” Në marsin e vitit 1683 dëshmitë e fra Kerubinit e japin pamjen demografike-statistike të rrethit të Gjakovës si “ që nga Gjakova e deri në Deçan ishin të gjithë shkizmatik dhe Manastiri i Deçanit . Pra frati Kerubini që nga Gjakova në Deçan i hasi “fshatrat shkizmatik” („molte ville di Scismatici”.) Shembull i pranisë të shqiptarëve ortodoksë është edhe ky, ku për Hasin ( ndër bjeshkët e Pashtrikut ,në luginë e Lumit Drin,në jug të Gjakovës) ,shkruhet (1837): i tërë rajoni është i banuar me serbë të albanizuar dhe me Shqiptarë „..(.tout le districkt habite par des Serbes allbanises et des Albanais)”. Për kazatë e Pejës dhe të Gjakovës ,deri në luftën e Krimesë ,sipas Myllerit dhe Bues,konstatohej se në rrethinat e këtyre qyteteve ka mbizotërua element ii krishterë ortodoks (shkijet f.xh.) e më pak Shqiptarë katolik, Latin . (http://www.revistadrini.com/2012/03/fahri-xharra-kush-jane-shkijet-1/), Ndarja shpirtërore krahas atyre të trojeve në sanxhaqe ndodhi nën presionin osman i cili nga njëra anë bëri gjithçka për të mbajtur të pushtuar Ballkanin ku popullata më rebele ishte ajo e arbërve dhe epirotëve. Kjo ndarje shpirtërore-fetare, ndodhi kur u krijua një komunitet i madh arbrish të islamizuar të cilët së bashku me grupe të ardhur nga Anadolli ishin të përhapur së bashku me shqiptarët e krishterë ortodoksë kryesisht, por dhe ata katolikë në veri, në qendër, dhe jug të trojeve shqiptare. Shumica e tyre ishin të privilegjuar dhe drejtonin administratën dhe ushtrinë, por flisnin gjuhën arbërisht. Popullata e krishterë në veri të vendit ashtu në jug e ndikuar, e nënshtruar, e keqtrajtuar nga pushtuesi, u armiqësua edhe me popullatën e islamizuar aq sa duke e ndjerë veten e pambrojtur, ose u largua fare në Itali të veriut Venedik ose në Jug në Kalabri. Tjetra kërkoi strehim dhe ngushëllim tek Kisha Sllave dhe Greke për shkak të reprezaljeve, duke mbijetuar, por duke sakrifikuar gjuhën me kalimin e kohës për shkak gjithashtu të presionit edhe të strehuesve (pas 1878). Ndarja filloi nga armiqësimi për shkak të humbjes së trojeve, rrezikut të humbjes së fesë. Ata u quajtën nga arbrit (rabanët) e islamizuar si shkie apo shqa që tradhtuan trojet dhe gjuhën, kurse shqiet apo shqatë, i quajtën arbrit e islamizuar si shqeptare (qe janë larguar nga feja). Kështu u krijuan pas vitit 1703 shqiptarët që flisnin shqip por që ishin me besim islamik, dhe u quajtën kështu në gjithë trojet dhe gjuha nga arbërisht në shqip, në jug, arbrit e krishterë quheshin arvanitas ashtu si dhe vëllezërit e tyre e tyre arbëreshë në Itali; kurse ndodhi që shqiptarët e krishterë ortodoksë që zbritën me kalimin e viteve pas 1878 u quajtën shqiptarë njëlloj si vëllezërit e tyre myslimanë. Pavarësisht nga urdhrat zyrtarë që shqiptarët myslimanë të quheshin turq si brenda ashtu dhe jashtë vendit, në fakt si pasojë e dhunës dhe presionit, shqiptarët e krishterë ortodoksë të jugut quheshin grekë, dhe shqiptarët ortodoksë në veri që i u bashkuan kishës sllave u quajtën shqa, shqie. Kështu vazhdoi të mbijetojë gjuha e folur shqipe që nga lashtësia e deri në ditët e sotme por në grupe dhe popullata njerëzish me fe të ndryshme, përplasja midis të cilave nxitej nga pushtuesi turk, – në fakt shkatërroi kulturën e këtij populli të lashtë. Lufta për liri, nxori në dritë më 28 nëntor 1912 një shtet të cunguar dhe plot probleme me vehten , pra Shqipëria dukej si një i sëmurë që a jetuar në një spital psikiatrik, që doli në një realiteti të ri pa mundur të orientohet dhe pa e kuptuar se kush është.
Ç`mund të bëjmë për popullatën me origjinë shqiptare ortodokse që jeton edhe ajo në trojet e veta por nën shtete të tjerë fqinjë? Popullata me origjinë shqiptare ose shkjajtë e veriut që jetojnë si serbë, si malazezë, dhe si maqedonas nën kushtet e reja të demokracisë, integrimit dhe të globalizmit, kanë mundësinë të vendosin vetë se nga duhet të rrinë, por të paktën të mos përfshihen në radikalizmin ortodoks sllav, por të përpiqen të ri-gjejnë rrënjët e tyre. E njëjta gjë mund të thuhet dhe për arvanitasit. Ata për shkak të kushteve, e bënë zgjedhjen e tyre para 280 viteve, por sidoqoftë, e kanë ruajtur gjuhën qoftë dhe pjesërisht. Duhet qe shqiptaret ortodokse te Maqedonisë (thuhet të jenë 300.000) por edhe ne Serbi (?) te emancipohen. Për tu emancipuar- duhen mbështetur. Krahas tolerancës fetare ose siç mund të quhet më mirë `indiferenca fetare` (sipas A. Klosit) e cila zgjidh vetëm përkohësisht mbijetesën midis komuniteteve, ateizmi komunist krijoi iluzionin e bashkëjetesës (bratsvo-jedinstvo), por tashmë ateizmi është një rrezik serioz për shqiptarët në një të ardhme jo të largët, sepse ateizmi shkakton degjenerim moral dhe konsumizëm gjë që për një vend të vogël si ne, ashtu si dhe globalizmi perëndimor, do të dëmtojë rëndë identitetin tonë. Sigurisht e dëmshme është edhe gjendja e post-komunizmit së bashku me aspektet e saj negative; papunësi, varfëri, radikalizëm, nacionalizëm. Sot, Ndarja e heshtur shpirtërore, luftërat politike, strategjitë e ndryshme për të përparuar, mendoj se vijnë nga dyzimi dhe preferencat tradicionale fetare . Mendoj se është problem feja, qe pengon në bashkimin spiritual dhe real të shqiptarëve: Secili komunitet kërkon historinë e vet, heronjtë e vet. Le ta bëjnë këtë përplasje, prandaj ne jemi inferiore ndaj fqinjëve sepse grindemi me njëri tjetri dhe shajmë heronjtë tanë apo të njëri tjetrit. Mbështetja duhet te vije nga shqiptaret myslimane të Kosovës dhe Maqedonisë si dhe nga shteti shqiptar me atë kosovar, dhe së treti mbështetja duhet te vijë edhe nga jashtë. Pengesat: Paragjykimet fetare midis shqiptareve e kane asgjësuar deri tani njohjen e tyre dhe mbështetjen sepse është pikërisht ky problem qe ka ndare dhe krijuar emërtimin shkie dhe shkiptare. Kjo ka qene ura ndarëse; shqiptaret myslimane u quajtën nga shkiet shqiptare (shkije- shkizma ose shkep, shkepem). Pra problemi religjoz ishte kryesori që dobësoi dhe copëtoi Shqipërinë. Pengesa tjetër janë vonesa e integrimit ne BE. Del pyetja tjetër, përse shqiptaret ortodokse njëlloj si arvanitasit, e patën me te lehte te ruajnë fenë duke i u bashkangjitur kishave sllave dhe greke, se sa te bashkëpunojë me shqiptarët myslimane apo në rast të kundërt edhe te emigronin? Doni të vërtetën? Ka vetëm një përgjigje: Shqiptarët myslimanë, si më të privilegjuar në perandorinë osmane në këto toka u sollën shumë keq me shkiet dhe arvanitasit. Kështu e panë të pamundur të bashkëpunojnë. Kjo ishte ndarja. Ne lavdërojmë (Shqipëria dhe Kosova) dy gjëra: Lidhjen e Prizrenit dhe Ali Pashë Tepelenën. Te, dyja pavarësisht interpretimeve zyrtare- Lidhja e Prizrenit me Kahrarname-ne e saj sanksionoi pushtimin turk sepse nuk parashikoi as një kryeqytet shqiptar, as një shtet shqiptar, as një gjuhë shqipe. Ateherë? Përse qenka Lidhja e shqiptarëve? Lidhja e shqiptarëve dhe bejlerëve pro-turq? Ky ishte dhe shkaku që askush nuk na përkrahu; Së dyti, Ali Pashë Tepelena: A është hero ky njeri apo nje kriminel që shkatërroi gjithë Toskërinë dhe Epirin, duke bërë ndarjen përfundimtare të të krishterëve shqiptarë (që në jug u quajtën ose `grekë`, ose arvanitas) me myslimanët shqiptare. Kjo shkaktoi atë që arvanitasit u bashkuan me grekët (romanoi), dhe me ndihmën e anglo-rusëve çliruan tokat arbërore dhe jo-arbërore te jugut, por në fund të fundit pranuan të jetojnë nën një shtet që foli greqisht. E njëjta gjë ndodhi dhe me sllavët: Me sllavët e veriut dhe të jugut, ata i pranuan shkiet -arbër (pra siç i quajmë sot arbrit ortodoksë për shkak të shizmës apo të `shkepjes` me vëllezërit e tyre myslimane), që të futen në ombrellën e tyre për ti mbrojtur por dhe për të përfituar nga ata. Për Kosovën dhe Maqedoninë, do te duhet kohë, mendoj për një shtet laik në Kosovë, sepse popullata nuk është e arsimuar mirë dhe është plot paragjykime religjioze. Duhet kaluar kjo fazë, e cila po zgjatet nga ekzagjerimi i kultit fetar (nga individë të pushtetshëm) deri në ekstrem duke bërë të kundërtën e asaj që kërkon perëndimi. Për këtë arsye duhet një strategji e re integruese në përputhje me porositë e BE dhe të SHBA, në të cilën faktorët dhe aktorët e sotëm shqiptarë duhet të bashkëpunojnë në radhë të parë të; – Integrohen në BE sa më parë e pastaj, dhe njëkohësisht: – Krijojnë kushte gjithëpërfshirëse për të njehsuar gjithçka jo të rregullt: arsimi dhe arsimimi me detyrim deri në shkollë të lartë, njehsim të administratës, ruajtjen dhe forcimin e gjuhës zyrtare duke e pasuruar me marrëveshje me gjëra të reja dialektore, – Ri-përtëritjen e një Akademie të vetme për të gjitha trojet shqiptare për Historinë dhe Gjuhën shqipe, – Kontakte të ngushta, dhe krijimin e kushteve për njohjen, afrimin, dhe bashkëpunimin me shqiptarët e integruar me sllavët dhe kishën e tyre (shkiet), shqiptarët e Greqisë (arvanitasit), kontakte dhe afrim e bashkëpunim me shqiptarët e Turqisë e kudo që janë, me qëllim njohjen dhe historinë e vërtetë të tyre. – Largimin e trysnive të paragjykimeve fetare mbi popullatën, e cila do të bëhet nëpërmjet arsimimit të detyrueshëm, Edukimi fetar bazë nuk duhet të bëhet deri sa të mbarojë adoleshenca, pra të bëhet në shkollë të mesme ose në të lartë. Për fat të keq kjo është e vërteta, se atyre u vjen keq apo dhe turp të quhen shqiptare, por pranojnë më mirë të quhen shkja ose serbë apo grekë, duke patur parasysh të kaluarën e hidhur kur, turqit osmanllinj dhe arbrit e konvertuar në islam përfituan nga rasti për tu bërë pronarë, administratorë, komandantë nën atë rregjim, duke shtypur si arbërit e konvertuar në islam por të varfër ashtu dhe të krishterët arbër dhe eprotë duke u a marrë dhe tokat. Emri shqiptar u identifikua pjesërisht me arbrin dhe epirotin e islamizuar. Megjithatë fjala ship mbeti fjalë e përdorur nga të gjitha aktorët. Gjendja ndryshoi pas 1878, dhe armiqësia u rëndua edhe më shumë sepse po këta shqipfolës krijuan shtetin grek, shtetin serb, kurse pas shek të XX u krijua Shqipëria e cunguar, dhe në shek e XXI, u krijua Kosova.Sot është koha për të njohur veten me ndihmën e integrimit. Kjo është një rrugë e mudimshme por që do të na nxjerrë aty ku duhet: prosperiteti i trojeve shqiptare, integrim dhe bashkëpunim të ngushtë me forcat progresiste, respekti i fqinjëve ndaj nesh.
Referencat • Kristo Frasheri: Lidhja shqiptare e Prizrenit : 1878-1881 : botohet me rastin e 100-vjetorit të lidhjes shqiptare të Prizrenit – (1979) • KristoFrasheri: E vërteta mbi Shqiptarët e Maqedonisë dhe shtrembërimet e Enciklopedisë së Shkupit – (2010)
• Faik Konica: “Faïk Konitza – Selected Correspondence 1896–1942”
• Fahri Xharra: E vërteta historike – Shqiptarët ortodoks të Maqedonisë, 2013, ISBN 978-9951-641-59-3 [1]
• Marin Barleti: Historia e Skenderbeut Princit te Epiroteve, viti 2005, ribotim , f.200-344, • Pirro Prifti: Lidhja e Prizrenit dhe Lidhja islamike, viti 2014, Zemra shqiptare • Pirro Prifti: Shkijet dhe shkipëtarët, ose zanafilla e fjalës shqip dhe Shqipëri, viti 2013, gazeta Sot.