Libri i Albert Nikollës, “Antikultura e 68-s në Shqipëri”, trajton një lëvizje “demokratike”, të cilën Enver Hoxha e fillon në rrafshin kulturor në vitin 1968, duke u ofruar pak liri njerëzve të artit e në përgjithësi qytetarëve shqiptarë. Qe një liri që e ndien edhe të burgosurit. Jo pak e pësuan përqafimin e saj. Për autorin e librit, e veçanta e vitit ‘68 nuk përqendrohet te viti ekskluzivisht, por te farmimi dhe efektet që i përcolli lëvizja e kësaj kohe, duke e bërë jashtëzakonisht të veçantë flladin e një lirie në Shqipërinë komuniste
Dardan Mirena
Ishte koha kur në Shqipërinë e izoluar, qoftë edhe si propagandë, kishte raste kur individë të caktuar tentonin të shihnin përtej. Për dikë ishin edhe shkëndija lirie. Revolucioni kulturor kishte kapluar botën, edhe regjimi komunist, lejonte që izolimi të çahej një grimë.
Një kapitull të kësaj periudhe e trajton libri i Albert Nikollës, i përuruar të mërkurën në ambientet e Fakultetit Filozofik në Universitetin e Prishtinës, organizuar nga Kuvendi i Sociologjisë në kuadër të Departamentit të Sociologjisë. Është cilësuar si vepër e cila nga këndvështrime të ndryshme i trajton ngjarjet e asaj kohe duke theksuar jo vetëm aspektin historik të tyre, por edhe atë politik, antropologjik e sociologjik.
Libri trajton një lëvizje “demokratike”, të cilën Enver Hoxha e fillon në rrafshin kulturor në vitin 1968, duke u ofruar pak liri njerëzve të artit e në përgjithësi qytetarëve shqiptarë. Qe një liri që e ndien edhe të burgosurit. Jo pak e pësuan përqafimin e saj.
Për autorin e librit, e veçanta e vitit ‘68 nuk përqendrohet te viti ekskluzivisht, por te farmimi dhe efektet që i përcolli lëvizja e kësaj kohe, duke e bërë jashtëzakonisht të veçantë flladin e një lirie në Shqipërinë komuniste.
“Njerëzit ishin jashtëzakonisht të izoluar. Shqiptarët kishin kontakte me botën perëndimore, sidomos me Italinë edhe më pak me ish-Jugosllavinë. Nëpërmjet mediave e shikonin se çfarë ndodhte në botë. Dhe kjo lëvizje përcolli një fllad lirie e gati-gati e vuri paksa në siklet dhe në frikë edhe regjimin komunist”, ka thënë Nikolla, ligjërues universitar, i doktoruar në antropologji kulturore.
Pikërisht flladin e lirisë, Nikolla ka thënë të jetë përpjekur ta shtjellojë edhe në libër.
“Edhe në burg kishte një fllad lirie, sepse njerëzit mezi po prisnin diçka, të ndodhte diçka, sepse shqiptarët tashmë kishin 22 vjet që ishin nën diktaturën e Shqipërisë dhe mungesa e lirisë kishte filluar të bënte trysninë e fortë shpirtërore, por edhe sociale, për krejt popullin shqiptar”, ka thënë Nikolla.
Në fakt, siç e ka theksuar Nikolla, lëvizja që ndodhi kudo nëpër botë, por sidomos në Evropë, bëri që Shqipëria të kishte ndoshta iluzionin e parë të lirisë pas instalimit të diktaturës në Shqipëri. Në libër, Nikolla merret edhe me pasojat të cilave u dedikohet një kapitull i veçantë. Merret me raste konkrete kur emra të shquar u dënuan e u internuan.
“Pasojat ishin dramatike dhe më të ashpra sesa këto pasoja përpara lëvizjes sepse u krijua ideja e një lirie, një fllad te shqiptarët dhe sidomos në art dhe kulturë. Rinia e ndjeu këtë liri dhe e përqafoi këtë liri dhe filloi ta ndiejë në jetën e përditshme. Por Enver Hoxha menjëherë mori masa dhe shtypi totalisht këtë lëvizje duke hequr çdo thermi lirie, çdo grimcë të vogël lirie e ndoshta edhe atë pak liri e cila kishte mundur të ishte e pranishme përpara 68-s”, ka thënë Nikolla.
Në libër ka trajtuar edhe sulmin që i është bërë kishës katolike, por edhe të gjitha besimeve fetare në Shqipëri. Rasti konkret: vendimi që Shqipëria të shpallet shtet ateist, si i vetmi i tillë në botë.
Viti 1968 ishte kthesë historike edhe në Kosovë.
“Lëvizjen e 68-s e shoh nga perspektiva ime si shumë pozitive, për sa i përket faktit që iu dha shqiptarëve të kuptojnë që qenka e mundur të protestohet, qenka e mundur të organizohen për të kërkuar të drejtat që i takojnë një populli. Kishte mesazh edhe për serbët: ‘Kini kujdes, sepse kur lëvizja sjell njëfarë lirie, duhet të keni kujdes në persekutimin që bënin ndaj shqiptarëve, shqiptarët dinë t’i dalin zot vetes’. Edhe në Maqedoni kemi për herë të parë një lëvizje që ka mbajtur edhe sot e kësaj dite emërtesën ‘Lëvizja e 68-s’ sepse kjo lëvizje arriti të këtë sukses të jashtëzakonshëm duke e lejuar për herë të parë qeverinë jugosllave që të lejonte përdorimin e simboleve kombëtare shqiptare në vendbanimet shqiptare”, ka thënë Nikolla.
Në panelin e përurimit të librit, ka qenë e pranishme edhe studiuesja Elona Gjata, ligjëruese universitare.
Sipas saj “Antikultura e 68-s në Shqipëri” ka rëndësi edhe të karakterit antropologjik sepse shpalos shumë dimensione të realitetit shqiptar gjatë periudhës të komunizmit.
“Pra është edhe një lloj memorie historike që i nevojitet kësaj gjenerate të re, për të mos harruar, për të kujtuar dhe gjithmonë të vazhdohet drejt zhvillimit, drejt vlerave demokratike, drejt zhvillimit perëndimor e me radhë”, ka thënë Gjata, e cila ka nënvizuar edhe perspektivën për Kosovën, për këtë antikulturë të 68-s.
“Rëndësi të veçantë të këtij libri zë edhe Festivali i Këngës në Shqipëri, sepse aty fillon e gjithë reprezalja ndaj artit, kulturës, letërsisë, pikturës, pra çdolloj fushe të artit, dhe Festivali i 11-të i Këngës në Shqipëri për mua është një indicie shumë e mirë, për të ndërmarrë edhe studime të reja në këtë lloj aspekti”, ka thënë Gjata.
Ajo dhe Gëzim Selaci, kanë qenë organizatorë të përurimit në kuadër të Kuvendit të Sociologjisë, i cili është pjesë e Departamentit të Sociologjisë në Fakultetin Filozofik të UP-së.
“Kuvendi është menduar si një platformë, ku Fakulteti, Universiteti është i hapur ndaj publikut dhe kryekëput kemi organizime të natyrës që besojmë që janë me interes edhe për publikun, si për shembull diskutime mbi çështje jo medoemos teorike, por edhe për çështje praktike të punëve të shoqërisë, të kulturës, të politikës për të cilat është i interesuar edhe publiku i gjerë, pra jo vetëm studiues të sociologjisë ose shkencave shoqërore”, ka thënë Selaci, ligjërues në Departamentin e Sociologjisë.
Për librin “Antikultura e 68-s në Shqipëri” ka thënë se është interesant edhe për perspektivën e Kosovës kur merren parasysh “demonstratat e atij viti dhe kërkesa e shqiptarëve për liri, liri kulturore, shprehje të lirë të kulturës shqiptare, por edhe kërkesa politike”.