Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, njoftoi përfshirjen e Valles së Osman Takës në Listën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Shqipërisë.
Vallja e Osman Takës është përfshirë në Listën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale e Shqipërisë, njoftoi ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja.
Përmes një njoftimi, Gonxhja e cilësoi vallen si një nga shprehjet më të veçanta të trashëgimisë kulturore shqiptare dhe simbol të identitetit çam.
Sipas ministrit, kjo valle përcjell historinë, krenarinë dhe qëndresën e një tradite të trashëguar ndër breza.
E lidhur me figurën legjendare të Osman Takës nga Konispoli, vallja dallohet për lëvizjet e fuqishme dhe elegante, përmes të cilave shprehen trimëria, sakrifica, solidariteti dhe shpirti i lirë.
Gonxhja theksoi se përfshirja e saj në Listën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale përbën një hap tjetër drejt ruajtjes dhe përcjelljes së kësaj pasurie të kulturës shqiptare te brezat e ardhshëm.















