Festivali i Këngës Arbëreshe është një prej ngjarjeve më të rëndësishme kushtuar ruajtjes dhe promovimit të gjuhës, traditave dhe identitetit arbëresh në Itali. Ambientet historike të Kolegjit të Shën Mitrit në San Demetrio Corone do të bëhen sërish qendra e kulturës arbëreshe, me zhvillimin e festivalit.
Nga Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët bëhet me dije se nën moton “E ardhmja e identitetit tonë, rrënjët e historisë sonë”, edicioni i këtij viti, nën organizimin e Bashkisë së San Demetrio Corone-s dhe institucione të tjera vendore e rajonale, sjell një program të pasur, ku muzika ndërthuret me historinë dhe traditën.
“Programi do të hapet më 6 gusht me Valljet arbëreshe nëpër qytet, një manifestim që rikthen në qendër të vëmendjes traditat e komunitetit arbëresh. Po në këtë ditë do të zhvillohet edhe një talk show institucional kushtuar marrëdhënieve Itali-Shqipëri, me fokus bashkëpunimin ndërkombëtar dhe etnokulturor. Një nga risitë e këtij edicioni është edhe sfilata me krijimet e mjeshtrit të bizhuterive dhe kostumeve tradicionale, Gerardo Sacco, e cila pritet të sjellë një ndërthurje të veçantë mes artit bashkëkohor dhe trashëgimisë kulturore”, thuhet nga QSPA.
Më 7 gusht, festivali që këtë vit është në edicionin e 44 do t’i kushtojë një mbrëmje historisë së tij me aktivitetin “Vjetët më të mira – I migliori anni del Festival”, një udhëtim muzikor përmes interpretimeve dhe këngëve që kanë shënuar katër dekada të kësaj ngjarjeje kulturore. Ndërsa kulmi i festivalit do të jetë mbrëmja e 8 gushtit, me garimin e artistëve në Festivalin e 44-t të Këngës Arbëreshe, i cili do të drejtohet nga Lello Pagliaro, Marta Longo dhe Emiliana Oriolo.
Në skenë do të ngjiten artistë dhe interpretues për të interpretuar në gjuhën arbëreshe dhe për të përçuar pasurinë muzikore të këtij komuniteti që prej më shumë se pesë shekujsh ruan lidhjen me vendin amë. Aktivitetet kushtuar kulturës arbëreshe do të vijojnë edhe në vazhdim, duke mbajtur gjallë gjuhën, traditat dhe trashëgiminë e këtij komuniteti të veçantë.
















