Shqipëria ndërpret marrëdhëniet diplomatike me Iranin. Vendimi vjen pasi nga hetimi i kryer nga ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë rezultoi se republika islamike është autorja e sulmit kibernitik të 15 korrikut. Në video-mesazhin e posaçëm për prishjen e marrëdhënieve diplomatike, kryeministri Edi Rama tha se agresioni ndaj e-Albania është udhëhequr nga shteti i Iranit.
EDI RAMA
KRYEMINISTER I SHQIPERISE
Në bashkëpunim me agjenci të specializuara partnere të anti-terrorit digjital, të cilat sollën në Tiranë skuadrat e tyre, u arrit të zbulohej fillimisht, pa asnjë hije dyshimi, se sulmi i 15 korrikut mbi Shqipërinë nuk ishte një operacion individësh apo grupesh të pavarura në botën e krimit të organizuar kibernetik, por një agresion shtetëror. Hetimi i thelluar na vuri në dispozicion prova të pakundërshtueshme, se agresioni kibernetik ndaj vendit tonë është orkestruar dhe sponsorizuar nga Republika Islamike e Iranit, e cila ka angazhuar katër grupe për sulmin ndaj Shqipërisë. Ndër to edhe një ndër grupet më famëkeqe të terrorizmit kibernetik ndërkombëtar, autor apo bashkëautor i sulmeve të mëparshme kibernetike mbi Izraelin, Arabinë Saudite, Jordaninë, Emiratet e Bashkuara, Kuvajtin dhe Qipron.
Vendimi i qeverisë i është bërë me dije edhe përfaqësisë diplomatike të Iranit në Tiranë. Ultimatumi i vendosur është largimi i gjithë punonjësve brenda 24 orëve.
EDI RAMA
KRYEMINISTER I SHQIPERISE
Ky vendim i është bere i ditur me note zyrtare Ambasadës se Republikës Islamike te Iranit, te cilës i është kërkuar largimi brenda 24 orëve nga territori i Republikës se Shqipërisë i te gjithe personelit diplomatik dhe tekniko-administrativ, pershfire edhe personelin e sigurise. Kjo mase ekstreme, aspak e deshiruar po krejtësisht e detyruar, eshte ne proporcion te plotë me seriozitetin dhe rrezikshmërinë e sulmit kibernetik, i cili kërcënoi paralizimin e shërbimeve publike, fshirjen e sistemeve dhe grabitjen e të dhënave shtetërore, vjedhjen e komunikimeve elektronike brenda sistemit qeveritar dhe nxitjen e pasigurisë e të kaosit në vend.Dështimi i këtij sulmi masiv mbi vendin tonë, falë rezistencës së sistemeve që kemi ngritur dhe ndihmës së grupeve speciale që na u bashkuan në këtë luftë, nuk është fundi i kërcënimit kibernetik, po thjeshtë prova se tanimë edhe Shqipëria ka hyrë falë zhvillimit digjital në hartën e gjerë të luftës për sigurinë kibernetike
Në mesin e korrikut, një sulm kibernitik rrëzoi faqen e e-Albania. Të gjitha shërbimet online u paralizuan. Ato u rikthyen pas një bashkëpunimi mes ekspertëve të Microsoft nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shqiptarë.
Sipas kryeministrit Edi Rama, hakerat nuk arritën të grabisin të dhënat elektronike të sistemeve qeveritare. Pas sulmit kibernitik një grupim i njohur si “Homeland Justice”, “Drejtësi për Atdheun” nisin të publikonin disa nga dokumentet e përftuara nga sulmi kibernitik si postën elektronike zyrtare të kryeministrit Edi Rama apo komunikimet zyrtare të Ministrisë së Jashtme me përfaqësitë e saj jashtë vendit.
Për këtë vendim, kryeministri Edi Rama tha se janë informuar edhe vendet partnere të NATO-s dhe aleati strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe pikërisht në çastin kur Edi Rama po komunikonte vendimin përmes një video-mesazhi të regjistruar më herët, ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim ndodhej brenda në kryeministri.