Për më shumë se pesë dekada, Vendim Kapaj i ka kushtuar jetën ruajtjes dhe promovimit të muzikës tradicionale shqiptare. I vlerësuar me titullin “Mjeshtër i Madh”, ai është një prej figurave më të njohura të traditës folklorike labërishte dhe një instrumentist i rrallë i skenës shqiptare.
Kapaj njihet veçanërisht për mjeshtërinë e tij në interpretimin e fyellit dhe culës dyjare. Ai konsiderohet një prej të paktëve instrumentistë që zotërojnë teknikën e veçantë të luajtjes së fyellit me dhëmbë, një mënyrë interpretimi që e ka veçuar në skenat kombëtare dhe ndërkombëtare.
Gjatë karrierës së tij mbi 50-vjeçare, artisti vlonjat ka marrë pjesë në festivale folklorike, veprimtari kulturore dhe koncerte të shumta, duke përfaqësuar vlerat e muzikës tradicionale shqiptare.
Së fundmi, emri i Vendim Kapajt është rikthyer në vëmendje pas përfshirjes së tij në kolonën zanore të filmit të ri të regjisorit të njohur Christopher Nolan, “Odisea”. Regjistrimet u zhvilluan në Vlorë, ku Kapaj interpretoi me fyell dhe culë dyjare në praninë e kompozitorit fitues të çmimit Oscar, Ludwig Göransson.
Sipas artistit, ekipi i produksionit u mahnit nga tingujt e iso-polifonisë shqiptare dhe nga veçantia e instrumenteve tradicionale. Procesi i regjistrimit zgjati disa orë dhe u realizua me një angazhim të veçantë nga të gjithë pjesëmarrësit.

Për Kapajn, kjo përfaqëson një arritje me rëndësi jo vetëm personale, por edhe për kulturën shqiptare, pasi tingujt e traditës vendase do të dëgjohen në një produksion të madh ndërkombëtar.
Megjithatë, rrugëtimi i tij artistik nuk ka qenë gjithmonë nën dritën e vëmendjes. Për një periudhë, 64-vjeçari ka punuar në shërbimin e pastrimit pranë Bashkisë së Vlorës, një punë që ai e ka konsideruar të ndershme dhe të domosdoshme për jetesën. Edhe gjatë kësaj kohe, ai nuk e braktisi muzikën, duke vijuar provat dhe interpretimet në aktivitete të ndryshme.
Me thjeshtësinë që e karakterizon, Vendim Kapaj është shprehur se ndihet krenar si për kontributin artistik në ruajtjen e trashëgimisë shqiptare, ashtu edhe për çdo punë të ndershme që ka bërë ndër vite.
Sot, historia e tij përfaqëson një shembull të rrallë të përkushtimit ndaj kulturës dhe një dëshmi se tingujt tradicionalë shqiptarë mund të kapërcejnë kufijtë dhe të arrijnë skenat më të mëdha të botës.
















