Libri i Gjeografisë në gjimnazet e Maqedonisë së Veriut ka shkaktuar reagime të ashpra nga partitëshqiptare pasi cilësohet si teskt me përmbajtje diskriminuese dhe që krijon urrejtje ndëretnike.
Libri “Gjeografia e Republikës së Maqedonisë për vitin II të gjimnazit të reformuar” i cilëson shqiptarët jo autoktonë dhe madje deri në pushtues dhe kanë larguar me kërcënime dhe rrëmbime maqedonasit nga trojet e tyre.
Aleanca për Shqiptarët e Zijadin Selës me anë të letre publike i kërkon ministres së Arsimit tërheqjen e librit nga shkollat e gjimnazit.
“E nderuara Ministre e Arsimit dhe Shkencës znj. Mila Carovska, Duke e parë nevojën për tërheqje nga përdorimi dhe ndryshim të librit të Gjeografisë për vitet e dyta të gjimnazeve të reformuara, të bashkangjitur po ua dërgojmë një letër zyrtare me kërkesë që urgjentisht të tërhiqet nga përdorimi libri i Gjeografisë i cili përmban elemente ofenduese dhe ksenofobe ndaj historisë dhe kulturës së shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, thuhet në kërkesën e Omer Ajdini, kryetari i forumit rinor të Aleancës për Shqiptarët
Në lidhje me këtë debat, zv.ministri i Arsimit Arafat Shabani ka deklaruar se është formuar komision përkatës për shqyrtimin e përmbajtjes së librit të Gjeografisë për vitin e dytë me përmbajtje fyese ndaj shqiptarëve. Shabani, në emisionin 200 në Alsat u shpreh i zhgënjyer edhe me arsimtarët dhe prindërit për siç tha mos reagimin me kohë.
“Teksti do të tërhiqet por duhet procedurë ligjore, gjashtë anëtarë janë formuar presim anëtarin e shtatë profesorin prej Institutit të Gjeografisë dhe ato bëjnë një lloj revizioni disa ditor, shqyrton recensione dhe japin rekomandime e veta, në bazë të rekomandimeve ministrja do ta tërheq librin. Sigurisht do të tërhiqet nga përdorimi, por a do të zëvendësohet me ndonjë libër tjetër – deklaroi zëvendës ministër i Arsimit.
Ndërsa ish-ministri i Arsimit, Arbër Ademi tha se zgjedhja më e mirë është tërheqja e librit. Ndërsa për mos tërheqjen e ligjit në kohën kur vet e drejtonte Arsimin, Ademi u arsyetua me marrëveshjen mes Greqisë dhe Maqedonisë.
“Ishim në momente të marrëveshjes me Greqinë, të gjitha programet mësimore unë si ministër i kam firmosur i kam përcjell për në Greqi, të gjitha tekstet shkollore i kam përcjell tek fqinji ynë jugor, njëjtë edhe ata kanë bërë. Dhe nuk kemi dashur aspak të rrezikojmë realizimin e përcaktimeve tona strategjike. Pa dashur që asnjë veprim i yni të kualifikohet si provokim kemi thënë të gjitha tekstet t’i revidojmë ndërsa këto tekste të cilat i kemi dorëzuar atje të presim një produkt final nga komisionet ndërshtetërore me fqinjët, atëherë edhe në aspektin internal do të jetë lehtë e tejkalueshme” – tha Arbër Ademi, ish ministër i Arsimit dhe Shkencës.
Libri nuk ka asnjë autor shqiptar, por që gjithë janë maqedonas dhe kjo dukshëm tregon për ndarje në hartimin e teksteve shkollore.
Kryeministri Zoran Zaev për Portalb.mk premtoi se do të ndërmerren hapa konkret në heqjen prej përdorimi të librit “Gjeografia e Maqedonisë”.
“Lëshimet që ndër vite që kanë kaluar nëpër shumë libra dhe materiale, njëri prej tyre është mu ai që e thatë në librin e Gjeografisë për vit të dytë për gjimnaz. Me reformat tërësisht do të largohen dhe do të zgjidhen sistematikisht, kështu që deri më tani janë shfuqizuar dhe është dërguar korrigjimi ose ngjashëm, por vetë libri në fushëveprimin e ndryshimit të planeve mësimore dhe përmbajtjeve do të ndryshohen”, tha Zaev.
Të pavërtetat e librit kundër shqiptarëve
“Gjeografia e Republikës së Maqedonisë për vitin II të gjimnazit të reformuar”, si libër shkollor e përshkruan historinë e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut në mënyrë jo shkencore dhe ofenduese.
Në faqen 99, thuhet që “Prej shqiptarëve të Maqedonisë ekzistojnë fise që e llogarisin veten si autokton. Kryesisht ata janë popullsi maqedonase që gjatë periudhës së sundimit turk e kanë pranuar fenë islame dhe gradualisht janë shqiptarizuar. Midis tyre ka edhe ka ndonjë fis që ka prejardhjen turke, rome ose çerkeze”
Në faqen 99, shqiptarët paraqiten si rrezik për shtetin ku thuhet se “…vendosja e re e shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë nuk është proces i mbaruar, ai bëhet edhe sot në fillim të shekullit XXI.Vendosja e këtillë në momente të pakontrolluar, vendosja në mënyra të ndryshme mund të dëmtojë të gjithë në Republikën e Maqedonisë”.