Sali Berisha, një nga themeluesit e Partisë Demokratike, është përjashtuar përgjithmonë! Berisha, bashkë me 28 anëtarët e tjerë të Komisionit të Rithemelimit të PD, të cilët të gjithë dolën kundër kryedemokratit Lulzim Basha janë lënë jashtë strukturave të partisë blu. Disa janë përjashtuar dhe të tjerë janë pezulluar përkohësisht gjatë mbledhjes së Kryesisë që u zhvillua ditën e djeshme në orën 18:00 brenda në selinë blu, nën drejtimin e Lulzim Bashës.
Mbledhja filloi pasditen e djeshme dhe ka mbaruar në orët e para të mëngjesit të sotëm, e me urdhër të kryetarit Lulzim Basha, të gjithë anëtarëve të Kryesisë u janë mbledhur celularët në mënyrë që të mos “rridhte” asnjë informacion në media, duke vijuar me diskutimet. Në fund të takimit, të gjithë anëtarët kanë vendosur unanimisht që pas përplasjes në oborrin e PD-së, më 8 janar të përjashtohen përgjithmonë nga PD: Bujar Nishani, Flamur Noka, Albana Vokshi, Edmond Spaho, Arben Ristani, Klevis Balliu dhe Keltis Kruja.
Ndërkohë që 20 anëtarët e Partisë Demokratike që janë pezulluar me vendim të Kryesisë janë: Agron Shehaj, Aldo Bumçi, Belind Kelliçi, Blendi Himci, Çlirim Gjata, Edit Harxhi, Edi Paloka, Eno Bozdo, Ervin Minarolli, Gent Deromemaj, Genc Pollo, Genti Strazimiri, Rigels Mucollari, Ivi Kaso Ledina Mandia, Luan Baci, Lorenc Luka, Mimoza Hajdarmataj, Oerd Bylykbashi, Tritan Shehu.
Të gjithë politikanët e pezulluar e kanë një shans të fundit nga Partia Demokratike, por pezullimi për ta është pa afat. Lidhur me vendimet më të fundit, PD ka dalë me një deklaratë zyrtare duke bërë me dije se të pezulluarit se kanë kohë deri në distancimin e plotë dhe publik nga aktet e dhunës ndaj PD, dhe veprimeve që dëmtojnë interesat elektorale apo politike të Partisë. Kështu do të kenë një mundësi tjetër për të vijuar me aktivitetin e tyre në forcën e kahut të djathtë.
Në orën 12:00 të ditës së sotme, Lulzim Basha do të zhvillojë mbledhje grupi, ndërkohë ditën e nesërme do të mblidhet edhe Këshilli Kombëtar. Nga ana tjetër, deri më tani Berisha nuk ka reaguar lidhur me përjashtimin e tij nga partia që e ka themeluar vetë disa dekada më parë.
Çfarë ka ndodhur në Partinë Demokratike? Si ka arritur deri në këtë pikë e djathta shqiptare? Çfarë ndodhi mes palëve më 8 Janar?
Historia fillon në 9 shtator kur Lulzim Basha pezulloi Sali Berishën, tashmë “non grata” nga Amerika nga grupi parlamentar. Pas vendimit të Bashës, Berisha iu rikthye aktivitetit të tij politik, duke nisur takimet me bazën që i quajti “Foltore”. Më 11 dhjetor, Kuvendi i thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha votoi me 4446 fleta pro shkarkimit të Bashës. Basha nuk e njeh vendimin, pasi në Kuvendin e 18 dhjetorit, Berisha u përjashtua nga të gjitha institucionet drejtuese të partisë që ai vetë themeloi.
Më 8 Janar në selinë e PD, ndodhi një situatë e paprecedentë me dhunë e të lënduar, ku për më shumë se 3 orë pati përplasje mes mbështetësve të Berishës me ata të Bashës që ishin brenda godinës. Megjithatë protestuesit u larguan me mbërritjen e rreshtimin e Policisë së Shtetit në oborrin e PD-së, ku edhe nisën menjëherë veprimet për hetim. Për disa orë, selia e PD ishte e mbushur me efektivë policie dhe hetues, ndërkohë që Basha akuzoi ish-kryeministrin Berisha për të gjitha sulmet dhe trazirat e shkaktuara. 34 persona u vunë në pranga, 18 të tjerë janë nën hetim në gjendje të lirë për ngjarjet e ndodhura në Selinë e Partisë Demokratike. Mes tyre është edhe sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi e deputeti Flamur Noka. Vetë Basha e ish-kryeministri Berisha do të merren në pyetje nga prokuroria në lidhje me ngjarjen në fjalë.