Pas një pune disa mujore, kryer në laboratorin e Konservimit e Restaurimit në Muzeun Ikonografik “Onufri”, përfundoi ndërhyrja restauruese për ikonën “Krishti i Gjithëpushtetshëm” (Pantokrator) vepër e shek. XVI – XVII i atribuar “Ateliesë së Onufrit”.
Sipas Qendrës Kombëtare të Muzeumeve Berat, ikona paraqiste problematika të ndryshme të cilat e bënin të pa lexueshme: dëmtim të shtresave përgatitore dhe dëmtim të pelikulës piktorike në gjithë sipërfaqen e ikonës, shoqëruar me papastërti të qëndrueshme dhe mbivendosje që tjetërsonin elegancën dhe bukurinë e veprës.
Sot ikona paraqitet në shkëlqimin e plotë të saj dhe së shpejti do t’i ofrohet për ekspozim publikut të gjerë të muzeut që tashmë të admirojë më qartë mjeshtërinë dhe finesën e artit të Atelies të mjeshtrit Onufri në këtë ikonë.