Shqiptarët e serbët meritojnë paqen, miqësinë, barazinë e bashkëpunimin me interes të përbashkët. Arritja e këtyre qëllimeve është në radhë të parë detyrim dhe njëkohësisht kontribut i domosdoshëm e prioritar nga gjeopolitika dhe politikanët serbë. Kosova dhe gjithë shqiptarët në të drejtën e tyre për sovranitet dhe integritet teritorial të njohur ndërkombëtarisht, kanë qenë e mbeten të gatshëm për marrëveshje, miqësi e bashkëpunim pa kushte.
Serbia dhe Kosova përballen me shumë përpjekje dhe me qëllime të ndryshme në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, më shumë se 20 vjet që nga përfundimi i luftës dhe afro 8 vjet nga fillimi i bisedimeve me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Procesi i bisedimeve Kosovë – Serbi mund të rifillojë muajin e ardhshëm, më 11.05.2021, kur Bashkimi Evropian shpreson që të organizojë takimin e parë ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Këtyre përpjekjeve ju paraprinë këtë javë vizitat e ndara të të dy zyrtarëve të lartë në Bruksel, ditën e djeshme, më 26 me Vuçiç dhe sot më 27, me Kurtin.
Është pritur me interesim të veçantë njoftimi i bërë, më 26.04.2021, nga Përfaqësuesi i Lartë i Politikës së Jashtme dhe Sigurisë së Bashkimit Evropian, Josef Borelli, i cili është optimist për një marrëveshje të shpejtë midis Kosovës dhe Serbisë. Shpresojmë që të mos mbetet një dëshirë, por të bëhet realitet dhe të hapet rruga e miqësisë dhe bashkëpunimit midis këtyre dy shteteve dhe popujve shqiptarë e serbë.
- Marrëveshja e munguar por shumë e dëshëruar, arrihet me mirëkuptim të sinqertë dhe dëshirën për rezultate konkrete. Problemi kryesor është njohja e realitetit politik, teritorial dhe sovranitetit shtetëror të bazuar në të drejtën e popujve. Serbisë dhe gjeopolitikës ju rikujtojmë se politika serbe shoviniste që u zbatua me përmasa të përgjakshme ndaj shqiptarëve, imponojë e fallsifikojë ndryshimin e Kushtetutës së Krahinës së Kosovës për të ligjëruar pushtimin. Është e natyrshme dhe detyrë që Serbia të ndryshojë Kushtetutën e saj ku arbitrarisht vendosi Kosovën si pjesë të saj, të cilën nuk e ka patur as në kohën e ish-Jugosllavisë.
Është koha për të vazhduar procesin e normalizimit ndërmjet dy vendeve që aspirojnë integrimet evropiane. Serbia ka prioritet marrëveshjen, si kusht për hapjen e bisedimeve për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Ndërsa marrëveshja për Kosovën, nuk është aktualisht prioriteti kryesor. Ajo vlerësohet në programin e Qeverisë si detyrë për normalizimin e marërdhënieve me Serbinë.
Ministri i jashtëm gjerman, Heiko Mass tha të premten, më 23.04.2021, në Beograd, pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç se, “është koha për të vazhduar procesin e normalizimit”, ndërmjet të dyja vendeve që aspirojnë integrimet evropiane. “Është e rëndësishme të mos zhvillohen këto bisedime vetëm për hir të bisedimeve, por duhet të ketë rezultate. Gjermania është e gatshme të ndihmojë në këtë drejtim” tha ministri Mass.
Presidenti serb tha se Serbia është e gatshme për vazhdim të bisedimeve në kërkim të një kompromisi me Prishtinën. “Serbia nuk po kërkon një shkas për të mos arritur një kompromis. Ajo beson se një konflikt i ngrirë nuk është zgjidhja më e mirë, sepse dikush gjithmonë mund ta shkrijë atë”, tha presidenti Vuçiç, sipas të cilit përmirësimi i marrëdhënieve ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve është me rëndësi për një të ardhme të sigurt, sepse “është e qartë se serbët dhe shqiptarët do të jenë popujt më të mëdhenj në rajon në 100 vitet e ardhshme”.
- Kompromisi i parashtruar disa herë nga Presidenti Vuçiç, është i nevojshëm dhe i drejtë në rast se bazohet në gadishmërinë për marrëveshje, duke njohur e respektuar të drejtat themelore të të dy shteteve sovrane. Për këtë qëllim, kërkohet që vetë Beogradi të reflektojë në politikën e vjetër ndaj shqiptarëve dhe të vendosë me guxim për të ardhmen e përbashkët, pa vënë kushte penguese e diskriminuese të cënimit të sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Kosovës. Sa herë që deklarohet arritja e një marrëveshjeje të shpejtë, vihen barrierat e ndryshimit të kufijve. Dy vitet e fundit ishte permanent rreziku i Planit i Ndarjes së Kosovës, i cili më në fund u deklarua se nuk është qëllim i politikës amerikane. Këto ditë po diskutohet një njoftim mediatik, por i pa konfirmuar zyrtarisht, për propozimin për ripërcaktimin e kufijve në Ballkanin Perëndimor, si zgjidhje për problemet e hapura në rajon. Sipas tyre, në BE është dërguar një dokument i tillë i hartuar nga kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha, në të cilin propozohet ripërcaktimi i kufijve në Ballkanin Perëndimor si zgjidhje për problemet e hapura në rajon. Në Bashkimin Evropian thanë disa herë se nuk kanë njohuri për një dokument të tillë, ndërsa kryeministri slloven, Janez Jansha, vendi i të cilit do të kryesojë Bashkimin Evropian në pjesën e dytë të këtij viti, shkroi se pretendimet për një dokument të tillë, janë veprime që synojnë “të dëmtojnë Slloveninë në BE”.
E kaluara e përgjakur e popujve të rajonit dëshmon se planet politike dhe debatet mediatike për rivizatim të kufijve dhe ndryshimin e fateve të popujve nuk janë realiste dhe u shërbejnë interesave të politikave shoviniste që maskohen me qëllime paqësore. Ato mbeten të rrezikshme dhe me pasoja luftënxitëse. Është me vend të theksojmë se, dy luftrat ballkanike të shekullit të kaluar, patën si qëllim coptimin e mëtejshëm të territoreve dhe kombit shqiptar, sidomos në favor të Serbisë e Greqisë, në vazhdimësi të qëllimeve të ndjekura pas Traktatit të Shën Stefanit.
- Është e domosdoshme përfshirja e drejtpërdrejtë e gjeopolitikës dhe bërja të njohur më parë e parimeve të bisedimeve dhe të marrëveshjes.
Kosova ka orientim perëndimor euroatlantik dhe është përkushtuar në anëtarësimin në BE dhe në NATO. Ndërsa Serbia ka orientime dhe qëllime të ndryshme. Megjithëse ajo dëshiron anëtarësimin në Bashkimin Evropian, ruan partneritetin strategjik lindor me Rusinë e Kinën, pretendon për neutralitet ushtarak, kur ka lejuar dislokimin e forcave ushtarake ruse, nuk do anëtarësimin në NATO. Beogradi ka deklaruar se do të vazhdojë të ruajë këtë orientim edhe në ardhmen, në rast se do të arrihet anëtarësimi në BE.
Realisht janë e mbeten pengesë esenciale interesat e ndryshme të gjeopolitikës që ka ndikime të fuqishme, si dhe e vetë këtyre dy shteteve. Prandaj është e mbetet e vështirë mirëkuptimi, njohja e pranimi i së vërtetës dhe përgjegjësisë nga politika serbe për arritjen e këtij qëllimi, që është i dëshëruar nga të dy shtetet, si dhe palët e interesuara e kontribuese.
Politika e ndjekur për arritjen e marrëveshjes me mirëkuptim, krijon pasiguri sidomos tek Kosova, pasi objektivisht ndikon, së pari, shqetësimi për politikën serbe që kërkon ndryshimin e kufijve në dëm të Kosovës dhe gjithë kombit shqiptar që kërkon bashkim dhe jo copëtime të mëtejshme dhe ndarje të përjetëshme. Së dyti, Asociacioni i Komunave Serbe me kompetenca vendore, është me pasoja regresive, pasi në realitet ato minojnë sovranitetin e funksionimin e pushtetit në gjithë territorin e Kosovës dhe krijojnë kushtet për shkëputje dhe bashkimin këtyre komunave me Serbinë. Këto dy shqetësime evidentojnë, së treti, edhe rrezikun e vazhdimit në heshtje të planit të deklaruar të dështuar për ndarjen e Kosovës për të plotësuar kërkesat e Serbisë.
Bisedimet zyrtare në Bruksel kanë natyrën e tyre të veçantë në përshtatje me objektivat që kërkohet të arrihen. Por është e domosdoshme njohja e parimeve të bisedimeve nga vetë BE, si dhe nga Kosova e Serbia. Janë miratuar më shumë se 30 marrëveshje të përbashkëta, por asnjëra nuk është vënë në zbatim, përfshirë edhe atë që u arrit së fundmi me ndërmjetësimin e Grenell për transportin ajror dhe atë hekurudhor.
Mosnjohja e parimeve të bisedimeve është shoqëruar edhe me thirrjet për kompromise të vështira. Serbia me politikën e saj të njohur shoviniste vihet në pozita të njejta me Kosovën që përjetoi pushtimin afro prej një shekulli. Kosova u çlirua me luftën e popullit shqiptar dhe ndihmën vendimtare nga aleanca euroatlantike. Mbështetja ndërkombëtare ndikoi që pavarësia e saj të njihet nga 116 shtete. Pesë shtete të BE-së akoma nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës. Njohja e Kosovës nga Izraeli ishte një mbështeje e fuqishme, që ju kundërvu politikës serbe të tërheqies së njohjeve. Për këto arësye, marrëveshjen e komplekson e vështirëson në realitet, thirrja me nxitje për kompromise të vështira që nënkupton edhe presionin direkt ndaj Kosovës që të bëjë lëshime të tjera. Do të ishte e dobishme që të mos përsëriten, as praktikat e ndryshimeve të qeverive dhe të zgjedhjeve të parakohëshme në Kosovë për të krijuar kushtet për realizimin e qëllimeve politike nga Beogradi, apo edhe nga vetë Washingtoni, si ndodhi fatkeqësisht në kohën e Presidentit Trump. Të mos bëhen as premtime të pambajtura si ndodhi me demarkacionin e Kosovës me Malin e Zi që u pranua dhënia e 8200 hektarëve dhe nuk ndodhi heqia e vizave dhe lëvizja e lirë në BE.
Shqiptarët është e domosdoshme të vihen në pozita të barabarta për të drejtat e liritë në Serbi si edhe në Kosovë. Serbët në pakicë kanë të drejta të garantuara nga Kushtetuta dhe veprimtaria konkrete e shtetit të Kosovës me standardet më të larta të njohura ndërkombëtarisht. Shqiptarët në Serbinë jugore nuk barazohen me këto të drejta. Serbia kushtëzon marrëveshjen me aneksimin e Veriut të Kosovës. Kosova nuk parashtron pretendime territoriale, vetëm njohjen pa kushte të realitetit politik dhe territorial. Kosova bëri lëshime esenciale me pranimin e kushteve të ndërkombëtarëve me Planin e Ahtisarit. U pranua edhe krijimi i Asociacionit të Komunave Serbe. Aktualisht bëhet presion nga Beogradi që t’u njihen edhe të drejta të pushtetit vendor! Deklarimet e Përfaqësuesit të Lartë të Politikës së Jashtme të BE dhe ndërmjetësuesi çek, kanë krijuar në opinionin publik mendimin se mbështeten kërkesat serbe, në dëm të shqiptarëve. Pas largimit të Trump dhe ardhjes në pushtet të Biden, ka më shumë besim e garanci. Sipas Presidentit amerikan, rruga për arritjen e njohjes reciproke ëshhtë e vështirë, por “kërkohet flekisbilitet dhe kompromise të vështira”, dhe Shtetet e Bashkuara do të jenë përkrah Kosovës në çdo hap”, ka theksuar Joe Biden në urimin e dërguar presidentes së re të Kosovës, Vjosa Osmani.
Serbia të qëndrojë në realitetin dhe objektivitetin e politikës dhe të mos përdorë prioritetin e marrëdhënieve me Rusinë e Kinën në dëm të Kosovës dhe, lojën me Brukselin e Washingtonin për lëshime e favore të tjera, pa u angazhuar përfundimisht në integrimin evropian.