Jonila Godole, Drejtoresha e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë, si dhe Sekretare për të Përndjekurit Politikë në Partinë Demokratike, ka reaguar pas protestës së djeshme të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha. “Pa shaka”, e ka titulluar Godole statusin e saj, publikuar në Facebook, ku ndër të tjera thotë se e njëjta opozitë, me të njëjtët drejtues dhe e njëjta retorikë, si në vitin 1991, nuk mund t’i sjellë asgjë vendit.
“Të njëjtët politikanë përgjegjës për kapjen korruptive të drejtësisë dhe të shtetit gjatë tranzicionit, japin sot leksione demokracie!”, thotë Jonila Godole.
“Askush nuk u shpall fajtor dhe nuk mbajti përgjegjësi për krimet e regjimit komunist dhe askush nuk mban përgjegjësi për krimet korruptive nga viti 1990 deri më sot!”, shprehet ajo në reagimin e saj pas protestës.
Reagimi i plotë i Jonila Godoles: Pa shaka!
Sikur të bije në koma në shkurt të vitit 1991 dhe të zgjoheshe sot, nuk do besoje që ka ndryshuar koha, sepse:
– Të njëjtët drejtues të lartë në kabinetin qeveritar (po ato emra e mbiemra të rrethit familjar si të nomenklaturës); në akademi të shkencave; në universitete; polici; drejtësi, etj.
– E njëjta opozitë, me të njëjtët drejtues e të njëjtën retorikë.
– i vetmi ndryshim është se PD në 1990-ën frymëzonte, kurse sot aksioni i saj politik është reduktuar në parrulla anakronike të luftës ndaj “armikut“, me të cilin kanë bërë pakte sa herë u është dashur. Asnjë strategji konkrete se si do ndryshojë menaxhimi i shtetit dhe i krizave nëse opozita merr pushtetin; si do rritet standardi i jetesës dhe do vendoset meritokracia; si do depolitizohet dhe bëhet e pavarur administrata që të mos uzurpohet më nga militantët partiakë, por nga individë të aftë që e fitojnë pozicionin e tyre në sajë të meritës e jo të shitjes familjare të votës.
– Të njëjtët politikanë përgjegjës për kapjen korruptive të drejtësisë dhe të shtetit gjatë tranzicionit, japin sot leksione demokracie!
– Askush nuk u shpall fajtor dhe nuk mbajti përgjegjësi për krimet e regjimit komunist dhe askush nuk mban përgjegjësi për krimet korruptive nga viti 1990 deri më sot!
Demagogjia dhe populizmi nuk do na çojnë askund, kush më mirë se ne shqiptarët nuk e di këtë.
Duket sikur kemi ardhur vërdallë 31 vjet dhe jemi kthyer sot aty ku ishim në shkurt të vitit 1991: Te shpresa për një shtet demokratik, të cilën gabimisht e varëm te pardesytë e të së shkuarës.