Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ka dhënë një mesazh të qartë për të gjithë ata që vendosin zjarr të qëllimshëm në Karaburun, me qëllim që të hapin toka të reja, qoftë për ndërtime, qoftë për kullota.
Peleshi tha se nuk ka asnjë shans që zona që ka qenë e pyllëzuar të përdoret për ndërtime, pasi sipas tij Bashkitë e kanë të përcaktuar qartë vijën e tyre të gjelbërt.
Pesimist duke ministri kur është fjala për të ripyllëzuar zonat e djegura, kur tha se Bashkia do ta bëjë këtë, qoftë edhe pas 100 vitesh, kur t’i jepet mundësia.
“Nëse e keni fjalën për legjislacionin unë nuk jam ministri përkatës i fushës, do ua them. Kam njohurinë që tiu shpjegoj që këto sipërfaqe nuk kthehen dot në trualle për tu ndërtuar, pasi çdo bashki ka hartën e gjelbërt.
Do të thotë që edhe në rast se e shkreton o maskara, nuk e kthen dot në truall, kur ta ketë shansin Bashkia edhe pas 100 vitesh ndoshta, do ta kthejë sërish në zonë të pyllëzuar. Nuk mund të ketë më ndërtime pa leje.
Kam informacionin se shumë e japin për kullota, i kam kërkuar ministrit të brendshëm që të gjithë ata që kanë interesa kullotash në këtë zonë dhe në të gjithë Shqipërinë të investigohen”, tha Peleshi.
Në zonën e Dukatit është shfaqur sot dhe kryebashkiaku i Vlorës Dritan Leli, i cili po ashtu është i mendimit se zjarret në të gjithë qytetin janë vendosur qëllimisht. Leli tha se punonjësit e Bashkisë janë shpërndarë në disa zona, për tiu ardhur në ndihmë emergjencave civile dhe forcave të armatosura.
‘Janë arritur që të shuhen flakët në Pish Poro, siç e dëgjuat dhe nga ministri, zjarrvëniet e qëllimshme janë ato që shkaktojnë problematikat. Në pish poro ka pasur zjarre në disa vatra të ndryshme, dhe zjarri është fikur në kohë rekord.
Tani janë të angazhuara në Dukat të gjitha forcat që janë në varësi të Bashkisë së Vlorës , siç e dini në Llogara, në zonën e Pyllit të Sodës, dhe në pikën e grumbullimit të mbetjeve ka stacione që në Qershor, për të shmangur zjarret’, tha Leli.