Me sloganin “Nuk mban më ujë pilafi”, qytetarë të shumtë pritet të protestojnë sot përballë Kryeministrisë për të kundërshtuar rritjen e çmimeve në vend.
Qytetarët priten të mblidhen në sheshin “Skënderbej” në orën 18:00 dhe më pas do të drejtohen për te “Kryeministria”.
Protesta është thirrur nga shoqëria civile, e cila kërkon reagim qytetar për sjellë e qeverisë, e cila sipas tyre jo vetëm që nuk ka marrë masat e nevojshme, por është shkaktare e rritjeve të çmimeve në treg.
Në rrjetet sociale është shpërndarë në masë të madhe fotoja që fton qytetarët në protestë me sloganin: “S’mban më ujë pilafi”.
QYTETARËT
Të pyetur nga “News 24”, qytetarët shprehen se do të marrin pjesë në protestë pasi çmimet e larta e kanë bërë të përballueshme jetesën e tyre. Për këtë ata bëjnë fajtore qeverinë që nuk u ka dalë në mbrojtje, ndërsa thonë se nafta, produktet e shportës dhe shumë mallra të tjerë kanë pësuar rritje të frikshme të çmimeve.
“Patjetër që do të marr pjesë sepse gjithçka ka shkuar në stratosferë. Jetesa është e papërballueshme”, thotë një e re ndërsa një i ri tjetër shton se:
“Patjetër që po! As diskutohet që do të marr dhe duhet të marrin pjesë. Arsyet janë duke filluar nga çmimi i naftës, çmimet e produkteve të shportës, ekonomia në treg është zero”. Një kryefamiljar thotë se njerëzit janë më të varfër se dje.
“Do marrim pjesë se janë rritur çmimet. Sot njerëzit janë më të varfër dhe nuk kanë mundësi t’i përballojnë. Pse të mos marr pjesë?”, thotë ai. Një i moshuar kërkoi që protestës t’i bashkohen edhe pensionistët.
“Patjetër që do marr pjesë. Çmimet sot në vend janë fatkeqësi kombëtare. Vetëm të japë dorëheqjen qeveria”, tha ai ndërsa një tjetër shtoi se: “Pensionistët i kanë dhënë votat të majtës dhe qeveria këta duhet ti shikojë. Me 700 mijë vota këta rrëzojnë qeverinë”.
Teksa bëri një apel për mbështetjen e protestës edhe nga studentët, si një prej tyre tha një student që do të jetë nesër përballë Kryeministrisë në orën 18:00.
“Për të gjithë duhet të protestojmë, edhe për studentët të cilët duhet të jenë nesër në shesh”, tha studenti. Një e re, duke kujtuar shprehjen e Nënë Terezës, thotë se:
“Pse duhet të ikim jashtë, ndërkohë që ne kemi mundësi ta jetojmë jetën tonë këtu. Zoti e ka krijuar një vend me shumë mrekulli. Thjesht ajo pasuri që Zoti na e ka dhënë, duhet të ndahet në mënyrë të barabartë.
“S’ka varfëri, atë e kemi krijuar ne”, thotë Nënë Tereza. Çfarë ka Gjermania për të shkuar atje, ndërkohë që i kemi të gjitha kushtet për të krijuar një jetë shumë më të mirë se në gjermani. Më rrëqethet mishi kur shoh rininë që po e braktis vendin”, thotë e reja e indinjuar me politikën 30- vjeçare në vend.
Gjatë muajit qershor, çmimi i naftës ka arritur deri në 258 lekë për litër, ndërsa benzina rreth 10 lekë më pak. Qeveria ka përcaktuar përmes bordit edhe çmimet e produkteve kryesore të ushqimeve duke rritur pakënaqësitë e qytetarëve. Vaji i lulediellit është rritur si asnjëherë më parë me çmime deri në 430 lekë për kilogram.
258 LEKË për litër është sot çmimi i naftës në vend i caktuar nga bordi i transparencës, i ngritur nga qeveria.
Ky bord vendosi që çmimi i benzinës të jetë 243 lekë/litri, ndërsa i gazit 86 lekë/litri.
Sipas INSTAT, në muajin qershor inflacioni vijoi të rritej duke arritur në shifrën e 6,7 për qind.
Kategoritë më të prekura nga rritja e çmimeve janë ushqimet, pije joalkoolike dhe transporti.
Aktualisht, sipas bordit, orizi kokërrgjatë tregtohet me 101 lekë/kg, 104 lekë/kg do të shitet sheqeri dhe 90 lekë/kg mielli masiv