Nga Elis Buba
Nga zonjë-grua në thjesht femër!
“Dònna” fjalë e cila rrjedh nga latinishtja domina, dominuese ‘signora’, ‘padrona’ ose ‘zonjë’. Etimologjikisht është një fjalë e bukur, në fakt prej saj buron respekt, madhështi, aftësi, meritë. Megjithatë sot nuk është ende plotësisht e mundur që gratë të jenë zonja të jetës së tyre. Në fakt grate e vajzat nuk mund të thonë as që janë zotërueset e mënyrës së tyre të veshjes, apo të zonjat të ecin vetëm pa cënimin e ngacmimeve konstante të të gjitha llojeve (nga provokimet më të “padëmshme” deri tek përndjekjet e mirëfillta) Madje nuk mund të thuhet se ato janë zonja të zgjedhjeve të tyre. Ka nga ata që zgjedhin në vendin të tyre, edhe për çka i përket trupit të tyre. Unë sot mendoj për vajzat e detyruara të vuajnë infibulimin (rikthimin në virgjëri, nëpërmjet qepjes), të mendoj për ato që i shohin femrat vetëm si një mjet shumimi, të mendoj për ato që pretendojnë dhe legjitimojnë të drejtën për të nxjerrë ligje sipas dëshirës për abortin. Mendoj për ato që na thonë se gjaku i femrave është diçka që s’vlen në trashëgiminë familjare.
Ke qenë foshnjë, je bërë vajzë, më pas zonjushë e më tej zonjë. Ke sjellë në jetë foshnjet e tua, më pas ke rritur foshnjet e asaj foshnje. Je djepi i jetës, grua, nënë, mbetesh unike.
Për gjithë gratë e forta… gratë që sakrifikuan jetën e tyre për një kauzë, për një familje, gratë që qëndrojnë mbi burrat e tyre mbajnë në bark dhe lëkundin fëmijët e tyre, gratë që ecin vetëm, larg dhunës… Secilës grua individualisht me shumë dashuri i uroj shërim nga plagët e lëngata.
Duket se kurrë nuk do të bëjnë më mire se kaq, madje as për veten e tyre. Në fakt, ndodh që gratë të jenë ato që gjykojnë njëra-tjetrën. “Shikoje atë! Ajo është gjithmonë mes meshkujve “,” Shikojeni! Ajo mban shumë grim! ”,“ Shikojeni! …veshur me një minifund në majë të bythës! ”,“ Shikojeni atë … atë bushtrën! ”. Perifrazime grashë nga të tjera gra.
Eshtë e vështirë të shpjegosh në disa rreshta një çështje, për fat të keq, ende kaq komplekse edhe sot.
Sipas mendimit tim, nuk ka rrugëdalje tjetër përveç studimit sepse vetëm kultura dhe njohuritë mund të çojnë drejt pavarësisë dhe, rrjedhimisht, drejt lirisë. Vetëm me trajnim, përmirësimin personal askush nuk do të mund tu tregojë femrave si të jenë ose jo, askush nuk do të mund tu bëjë lavazh truri, askush nuk do të mund të vërë në dyshim aftësitë e tyre, sepse është natyrale që askush nuk do të respektojë një burrë më shumë se një grua. Por lipset reciprocitet!
Fatmirësisht sot ka edhe nga ato gra që duke konsideruar rrethanat, duhet të ndihen me fat: Sepse ato mund të studiojnë, mund të ëndërrojnë një punë të përshtatshme për njohuritë e tyre dhe si rrjedhojë mund të luftojnë paqësisht për t’i dhënë një botë më të mirë vajzave të së nesërmes . Duhet kuptuar që në vende të tjera në botë e gjithë kjo është akoma larg nga të qenit realitet.
Madje edhe në vendin e kontapuntave dhe absurditeteve që ne quajmë shtëpi, ka një rradhë të gjatë burralecash që ende e preferojnë ta kenë gruan me shpatulla pas muri e pa alternative.
Për ta kam një seri jo të shkurtër falenderimesh.
Nga femër në “Barbie”!
Falenderoj gjithë eprorët që iu futën të shtrat, për t’iu hapur rrugën që edhe ju të punoni, e të përmbushni aspiratën tuaj, edhe pse ndoshta nëna të vetme! Falenderoj gjithë burrat që iu kategorizojnë në vend të dytë, duke ju mbajtur dashnore pas gruas së ligjshme.
Falenderoj të gjitha gratë e tjera që janë futur shkues që ju të merrni për burrë dikë që t’iu mbajë si “priceshë”, por pa iu dashur e respektuar një ditë të vetme. Falenderoj të gjithë dhëndurrët e ardhur nga Europa gjatë verës, për të organizuar dasma 20 mijë euro, sa për sy e faqe fisit dhe më pas i kanë shndërruar gratë e marra prej këtej në prostituta, rrugëve të Europës!
Falenderoj të gjithë televizionet që u kanë dhënë mundësinë burrave dhe grave të gjejnë partner në televizor! Tek e fundit jeta fasadë është për shumë njerëz. Mjafton që të tjerët të kujtojnë se jemi mirë! Falenderoj të gjithë gratë e bukura që kurrë s’e kanë shfrytëzuar paraqitjen e tyre për të ecur para në jetë! Falenderoj të gjithë prindërit që pranojnë dhurata e para për të martuar vajzat e tyre me “bosa droge”, dhe më pas mburren me këtë fakt, me krenari!
Falenderoj të gjithë gratë dhe vajzat që nuk janë fotografuar kurrë së prapthi për tu ekspozuar në rrjetet sociale. Falenderoj të gjithë gratë dhe vajzat që palestrohen dhe silikonohen, për tu ndjerë mirë me atë vetvete që e shohin nëpërmjet syve të botës. Falenderoj të gjithë ata dhe ato që heshtin vetëdijshëm dhe lejojnë padrejtësitë të ndodhin kësisoj!
Të gjithë qofshi të bekuar, edhe ju që përngjani me çibanë të pashtershëm, të cilët sa më shumë i shtrydh aq më shumë vrer nxjerrin! Askush s’ju gjykon dot, veç Zoti, nëse do i dilni një ditë para!
Falë të gjithë jush sa jeni e falë qëndrimit tuaj harbut, një grua do e shihni gjithnjë e më shumë të luftojë e vuaj, por s’do e shihni kurrë të dorëzohet. Nëse pandeh të kundërtën gabon seriozisht.