Me rastin e 82-vjetorit të gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë, në Shkup do të organizohet aktivitet përkujtimor kushtuar kujtesës historike dhe çështjes çame. Ngjarja do të mbahet të mërkurën, më 10 qershor 2026, me fillim në ora 18:00, në ambientet e Hotel Bushit në Shkup,
Në kuadër të aktivitetit do të shfaqet dokumentari i autorit Luan Rama, me titull “Më çoni në Qafë të Botës të shoh Çamërinë!”, i cili trajton historinë, vuajtjet dhe fatin e shqiptarëve të Çamërisë.
Në një prononcim për Portalb.mk skenaristi Luan Rama, duke folur për dokumentarin, theksoi se filmi ka lindur nga një ndjesi e thellë personale dhe nga historia familjare e tij, por njëkohësisht është edhe një rrëfim për fatin tragjik të mijëra shqiptarëve çamë.
“Skenarin e këtij filmi unë e shkrova i nisur nga ndjesitë dhe historia ime personale, pasi nëna ime ishte nga Çamëria dhe ashtu si mijëra çamë të masakruar gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore, qershor 1944 dhe mars 1945, nga kolonelët e ushtrisë greke, ajo e kishte të pamundur të kthehej dhe të shikonte të paktën shtëpinë ku kishte lindur. Të gjithë ata që kishin lindur në Çamëri e kishin të ndaluar të hynin në Greqi edhe pse pas viteve ’90 Shqipëria dhe Greqia nënshkruan Traktatin e Miqësisë dhe të bashkëpunimit midis dy vendeve, por Greqia në të njëjtën kohë nuk e hoqi Ligjin e Luftës me Shqipërinë, ndërkohë që luftën kundër Greqisë e bënë fashistët italianë të Musolinit”, tha Rama.
Ai theksoi se ka vizituar para disa vitesh Çamërinë dhe ka parë ato mijëra e mijëra shtëpi të mbetura gërmadhë, ku siç thotë se aty e kupton akoma më mirë tragjedinë çame.
“Në kufirin me Greqinë shumë njerëz shkonin deri në Qafë Botë, pika kufitare me Greqinë dhe aty kërkonin thjesht të shikonin nga malli kodrinat përtej dhe të çmalleshin me Çamërinë e pamundur. Në qendër të filmit të realizuar nga Pandeli Çeço, është një grua e moshuar që po ndjen se vdekja po i afrohet dhe se i lutet nipit dhe mbesës që ta çojnë gjer në kufi të shohë përtej Çamërinë. Dhe ata e çojnë, ajo ulet diku dhe me sytë e mbyllur risjell fëmijërinë e saj, përjeton ato vite të lumtura kur nuk njihej urrejtja mes njëri-tjetrit, kur me shoqen e saj greke loznin dhe mësonin gjuhët e njëra-tjetrës, kujton jetën e përditshme, prindërit, fotografitë e të parëve etj. Filmi ka karakter humanist dhe mbart shpresën se një ditë këta çamë, pasardhës të atyre që pësuan spastrimin etnik sepse nuk ishin ortodoksë por myslimanë, do të kthehen të shohin shtëpitë e tyre, në një Evropë ku kufijtë do të jenë simbolikë dhe ku e rëndësishme është konstitucioni shpirtëror, traditat, identiteti i gjuhës, ajo çka përbën shpirtin dhe historinë e një kombi”, tha Rama.
Ai shtoi se në këtë film, emocioni nuk e zbeh faktin historik, por e bën atë më të prekshëm për publikun.
“Duke qenë se kjo nënë e moshuar kujtonte dhe jetonte gjithnjë me Çamërinë, do të duhej që jeta e përditshme në shtëpitë e çamëve të rikrijohej përmes fëmijëve, përmes marrëdhënieve me prindërit, ashtu me kostumet e tyre karakteristike, por dhe duke përdorur fotografi për të thënë se gjithçka është e vërtetë, ku rikrijimi artistik bashkëjeton me të vërtetën historike”, u shpreh ai.
Ai thekson se çështja çame nuk është vetëm histori e së kaluarës, por plagë e hapur e kujtesës kombëtare.
“Qeveritë e njëpasnjëshme greke kanë synuar dhe bërë çmos që të mos flitet më për spastrimin etnik që është një njollë e errët në historinë e tyre. Madje ata i kanë hequr të gjitha emërimet shqiptare të fshatrave dhe disa qyteteve duke krijuar një toponimi të re, thjesht për të fshirë historinë e Çamërisë. Liderët politikë dhe kryetarët e shtetit grek asnjëherë nuk kanë kërkuar falje për atë çka ndodhur, siç ka ndodhur ndryshe me liderët perëndimorë që për ngjarje të rënda historike kanë kërkuar pardon, pasi përmes pardonit rivendoset besimi në një të ardhme tjetër. Kështu ka vepruar presidenti francez Zhak Shirak lidhur me hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore, po kështu me presidentin Makron mbi disa ngjarje të ushtrisë franceze në Algjeri; presidenti gjerman Brandt për Holokaustin, por dhe shumë liderë të tjerë, si qeveria hollandeze për një masakër në një fshat të Indonezisë apo presidenti amerikan Bajden për dhunën ndaj ameroindianëve etj. Greqia e ka hequr nga të gjitha tekstet fjalën Çamëri sikur ajo të mos ketë ekzistuar kurrë dhe gjithnjë këtë çështje e ka përdorur si presion jo vetëm politik por edhe ekonomik ndaj qeverive shqiptare se po të hapin këtë çështje Shqipëria do të pengohet nga Greqia në integrimin e saj evropian. Këto presione dhe Maqedonia e Veriut i ka provuar nga shteti grek. Por e keqja është se qeveritë shqiptare pas viteve ’90 edhe pse tentuan ta ngrinin këtë çështje në fillim, më së fundi heshtën dhe kjo heshtje është e pafalshme. Çamëria, ashtu si Kosova, ishin dy pjesët më aktive historikisht në trungun e kombit shqiptar, të cilat Konferenca e Ambasadorëve në Londër, e Fuqive të Mëdha më 1913, ia shkëputi Shqipërisë”, deklaroi Rama.
Rama shtoi se mund të pengohen studiuesit, mund të ndryshohen emrat e vendeve, por historia e Çamërisë nuk mund të fshihet.
“Qafë Bota është pika e kufirit nga ku erdhën të masakruarit dhe ata që mbetën gjallë nga gjenocidi, ata që kaluan nga vendi që quhej ‘Lugina e vdekjes’, pasi në marsin e vitit 1945, shumë çamë mbetën rrugëve dhe ngrinë nga dëbora. Unë kam shkruar shkrime por dhe një tregim të gjatë pikërisht për një ngjarje të ndodhur në Qafë Botë. Çdo çam i Shqipërisë e di mirë domethënien e këtij emërtimi. Edhe pse historianët shqiptarë pengohen nga pala greke që të studiojnë arkivat greke, ata përsëri kanë zbuluar shumë informacione e dokumente, veçanërisht në ato britanike, që dëshmojnë qartë se kush dhe përse Greqia ndërmori një spastrim etnik ndaj tyre. Por Historia nuk harron”, përfundoi Luan Rama.
Pas shfaqjes së filmit do të organizohet edhe një debat mbi Çamërinë, ku do të marrin pjesë autori Luan Rama dhe studiuesi Alket Veliu. Debati pritet të sjellë reflektime mbi ngjarjet historike, pasojat e dëbimit të shqiptarëve çamë dhe rëndësinë e ruajtjes së kujtesës kolektive.















