Qendra Kombëtare e Kinematografisë ka reaguar për ndarjen nga jeta të regjisorit të mirënjohur dhe të dashur për publikun shqiptar, Kristaq Dhamo.
Me anë të një mesazhi ngushëllues, Qendra Kombëtare e Kinematografisë kujton se Dhamo është një nga themeluesit e kinematografisë shqiptare.
Gjithashtu QKK tregon disa nga filmat që regjisori la pas për artin shqiptar.
Mesazhi i plotë të QKK-së:
Ndahet nga jeta kineasti Kristaq Dhamo.
Qendra Kombëtare e Kinematografisë i shpreh ngushëllimet familjes, miqve dhe kolegëve.
Kristaq Dhamo është një nga themeluesit e kinematografisë shqiptare. Ai do të kujtohet nga kineastët dhe publiku shqiptar me filmat e tij por edhe si mësues në përgatitjen e studentëve të rinj të kinematografisë.
Dhamo lindi në Libofshë të Fierit, më 20 prill 1933. Kreu liceun artistik “Jordan Misja”, më 1952, dega dramaturgji. Studimet universitare i kreu në Institutin e Lartë të Teatrit dhe Kinematografisë në Budapest, Hungari, me 1956, dhe më pas u emërua në kinostudion “Shqipëria e re”.
Për një periudhë të gjatë kohe, Kristaq Dhamo ka qenë udhëheqës artistik i kinostudios (1973¬1981 dhe 1984-1992). Është regjisori që realizoi filmin e parë artistik shqiptar me metrazh të gjatë, “Tana”, i cili qe gjithashtu edhe filmi i tij i parë, me të cilin mbrojti edhe diplomën (1958).
Pas filmit “Detyrë e posaçme (1963), në vitin 1965 ekranizoi romanin “Këneta” të Fatmir Gjatës, nën titullin “Vitet e Para”, nderuar me Çmimin e Republikës të Klasit II, si dhe me diplome nderi në Festivalin I të Filmit Ballkanik ne Varna (Bullgari, 1966) për “Regjinë e skenave masive me vërtetësi kronikale”.
Dhamo fitoi edhe çmimin për “Regjinë më të mirë” në Festivalin e Filmit Shqiptar, 1979.
Për shumë vite ai ka qenë drejtor artistik në Kinostudion “Shqipëria e Re”.
Kristaq Dhamo është vlerësuar për punën dhe kontributin e tij në kinematografi me disa tituj; në vitin 1979 i është dhënë titulli “Artist i Merituar” dhe në vitin 1987 është nderuar me titullin “Artist i Popullit”.
Në festivalin e XI-të të Filmit Shqiptar është nderuar me Çmimin e Karrierës dhe një vit më parë iu akordua Titulli “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë.
• Botë e padukshme (1987)
• Vendimi (1984)
• Qortimet e vjeshtës (1982)
• Nga mesi i errësirës (1978)
• Brazdat (1973)
• Mëngjeze lufte (1971)
• Miqësi revolucionare (1967)
• Ata nuk vdesin (1966)
• Vitet e para (1965)
• Detyrë e posaçme (1963)
• Ansambli i këngëve dhe valleve (1960)
• Fortuna (1959)
• Ne u dashuruam me Shqipërinë (1959)
• Tana (1958)./