Në mbrëmjen e organizuar nga Teatri “Aleksandër Moisiu” në kujtim të aktorit Mirush Kabashi, kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako, i dha mjeshtrit të skenës, titullin “Qytetar Nderi i Durrësit” (pas vdekjes).
U zgjodh pikërisht dita e 76-vjetorit të lindjes së Mirush Kabashit, ku të pranishëm ishin familjarët, kolegët e dashamirës të artit. Titulli iu dorëzua të bijës së aktorit të ndjerë.
Me këtë rast u shfaq për të pranishmit, intervista e fundit e Mirush Kabashit, e patransmetuar më herët, të cilën e kishte realizuar me Teatrin “Aleksandër Moisiu”.
Ndërkohë në hollin e teatrit ishin ekspozuar fotografi nga një pjesë e madhe e roleve më të spikatuara, interpretuar nga Mirush Kabashi në kinematografi dhe teatër.
Mirush Kabashi ndërroi jetë më 5 dhjetor të 2023, në moshën 75-vjeçare. Ai është cilësuar si një nga interpretuesit më të mëdhenj të poezisë në Shqipëri, ndërsa ka dhënë një kontribut të madh në filmografinë shqiptare, ku numëron rreth 100 role në teatër dhe filma, për të cilat është vlerësuar me titujt “Nderi i Kombit”, “Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”.