Kosova ka shënuar përparim sa i përket lirisë së mediave, tregon Indeksi i Lirisë së Shtypit Botëror, i publikuar nga organizata Reporterët pa Kufij.
Në këtë indeks, Kosova sivjet radhitet në pozitën e 61-të, dhe në krahasim me 2021 është ngritur për 8 vende.
Më së keqi në rajon qëndron Shqipëria, e cila sipas indeksit nuk ka shënuar asnjë progres në përmirësimin e lirisë së shtypit.
Indeksi Botëror i Lirisë së Shtypit i publikuar sot, e rendit Shqipërinë në vendin e 103-të, duke shënuar një rënie me 20 pozicione në krahasim me renditjen në raportin e vitit të kaluar.
Shqipëria madje, renditet edhe më keq se Serbia, e cila është një pozitë më lart.
Sipas raportit, Shqipëria bën pjesë në listën e shteteve ku autoritetet kanë intensifikuar ligjet kundër gazetarëve.
Megjithëse u ngjit me 14 vende në shkallë në krahasim me raportin e vitit 2021, Serbia ndodhet në kategorinë e vendeve “problematike” sa i përket lirisë së mediave.
Indeksi i cili vlerëson gjendjen e gazetarisë në 180 vende dhe territore, thekson efektet katastrofike të kaosit të lajmeve dhe informacionit dhe efektet e një hapësire informacioni të globalizuar dhe të parregulluar në internet që inkurajon lajmet e rreme dhe propagandën.