Kur Europa, e dërmuar nga ethet e Romantizmit, përpëlitej mes dëshirës për të gjetur një ekzotizëm të humbur në atë që e quante ‘Orient i Afërt’. Midis mjegullës së asaj kohe, shfaqet një profil që të ndjek si një vegim i pandryshueshëm: Palikari.
Për vëzhguesin e shkujdesur, ai mund të duket thjesht si një figurë piktoreske e humbur nën petkun e përgjithshëm ballkanik, një lloj relikeje folklorike. Por, nëse guxon t’i hysh më thellë heshtjes së dokumenteve arkivore dhe t’i zhveshësh shtresat e kohës, zbulon se prapa asaj estetike luftarake rreh një puls tjetër. Është nervi i fortë i rrënjëve shqiptare, një të vërtetë që sado që u përpoqën ta tjetërsonin, mbeti aty, si një dëshmi e heshtur e një luftëtari që lirinë nuk e kishte thjesht simbol, por vetë lëkurën e tij.
Etimologjia dhe identiteti: Miti i palikarit
Sipas fjalorëve historikë, termi pallikare (ose palikare) i referohet ushtarëve grekë ose shqiptarë që shërbenin nën pashallarët turq ose që morën pjesë në Luftën e Pavarësisë së vitit 1821. Fjala përshkruan një ushtar të njohur për trimërinë e tij, i cili mbetej besnik ndaj traditave kombëtare, duke mbajtur me krenari veshjen tradicionale dhe armët e dekoruara.
Megjithatë, burime të tjera akademike shkojnë më tej, duke pohuar se vetë emri “Palikari” ka origjinë shqiptare. Në tekstet historike greke, figura të tilla si Marko Bocari dhe Miauli identifikohen qartë si “Skipe-taro” (Shqiptarë), duke i lidhur ata me pasardhësit e Ilirëve të Jugut dhe Pellazgët.
Duke e ditur që vetë kostumi me fustanellë u përshtat në kulturën e Greqisë së re nga tradita e Shqiperisë së jugut, atëherë është e qartë se palikarët mbanin me krenari një veshje shqiptare.
Estetika e luftës: Fustanella si simbol i fuqisë
Një nga elementet që magjepsi më shumë europianët ishte veshja e këtyre luftëtarëve. Fustanella, një kilt i bardhë që sot njihet si pjesë e kostumit kombëtar grek, i ka rrënjët e saj të padiskutueshme në Shqipëri. Studiuesi Alexander Maxwell shënon se fustanella u adoptua nga Filohelenët e huaj si një shenjë simpatie për kauzën e lirisë, por origjina e saj mbetej te “Tosket e Shqipërisë së Jugut”.
Lord Bajroni, ndoshta figura më e famshme që u mahnit nga kjo estetikë, u mburr për veshjen e këtij kostumi, i cili në atë kohë kushtonte deri në 50 paund – një shumë e konsiderueshme për kohën. Kjo veshje nuk ishte thjesht modë; ajo ishte uniforma e një kaste luftëtarësh që kishin habitur udhëtarët anglezë si Rev. Thos. Smart Hughes me “zakonet e tyre luftarake” dhe pamjen karakteristike.
Kërcimi “Albanitico” dhe garda e Ali Pashës
Përtej fushëbetejës, palikarët shqiptarë lanë gjurmë edhe në kulturën performative. Dokumentet e vitit 1820 përshkruajnë “Albanitico”, kërcimin kombëtar të palikarëve shqiptarë, të performuar nga rojet elitë të Ali Pashë Tepelenës në Janinë. Ky kërcim përshkruhet si një shfaqje e jashtëzakonshme e aktivitetit dhe forcës muskulore, ku luftëtarët lëviznin me një shpejtësi marramendëse, duke bërë kërcime që dukeshin sikur sfidonin gravitetin.
Rrënjët akademike dhe vazhdimësia
Studiuesit e shekullit të XIX dhe fillimit të shekullit të XX, si Otto von Gerstner, dokumentuan prezencën e palikarëve shqiptarë deri në malin Athos, duke i portretizuar ata si figura arketipale të Ballkanit. Ky interes nuk ishte vetëm vizual, por edhe gjuhësor e historik, siç dëshmohet nga përpjekjet për të dokumentuar letërsinë dhe historinë shqiptare si një degë më vete dhe të lashtë të kulturës europiane.
Trimat palikarë nuk ishin thjesht mercenarë apo ushtarë të thjeshtë; ata ishin përfaqësuesit e një etnosi që ruajti tiparet iliro-pellazge në mes të stuhive ballkanike. Përmes dokumenteve të lënë nga Hughes, St Clair dhe Maxwell, kuptojmë se mahnitja europiane me “Palikarin” ishte, në të vërtetë, një magjepsje me shpirtin dhe estetikën shqiptare. Përgatiti Elis Buba / usalbanianmediagroup.com
Referenca:
- Fjalori CNTRL: Përkufizimi i “Pallikare”.
- Teksti Historik Grek (1879): Identifikimi i Miaoulis dhe Botsaris si Shqiptarë.
- Alexander Maxwell, “Patriots Against Fashion”: Origjina shqiptare e fustanellës.
- Annual Register (1820): Kërcimi “Albanitico” i gardës së Ali Pashës.
- Rev. Thos. Smart Hughes (1820): Përshkrimi i palikarëve në Dervitziana.
- William St Clair: Kostumi i palikarëve sipas Toskëve.
- Otto von Gerstner (1913): Studimi mbi Shqipërinë.
- Robert Elsie: Historia e letërsisë shqiptare.




























