Më 30 mars 1964 në Austri, vdiq Eqrem Vlora (1885-1964), i njohur gjithashtu si Ekrem Vlora ishte politikan, diplomat, publicist, si dhe një prej delegatëve të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912.
Ai lindi në Vlorë në vitin 1885, i biri i Syrja bej Vlorës dhe Mihri Toptanit, anëtar i një prej familjeve më të pasura të jugut të Shqipërisë. Kreu liceun “Theresianum” në Vjenë dhe studioi për drejtësi në Stamboll. Shërbeu në poste me rëndësi në Perandorinë Osmane.
Më vonë u bashkua me xhaxhanë e tij, Ismal Qemal Vlorën, në lëvizjen për pavarësinë e Shqipërisë. Pas shpalljes së Pavarësisë u zgjodh nënkryetar i Pleqësisë. Ai ishte një mbështetës i njohur i Fuqive Qëndrore gjatë Luftës së Parë Botërore arsye për të cilën ai u arrestua nga italianët, por më pas u bë një promotor i marrëdhënieve të ngushta midis Italisë dhe Shqipërisë.
Në vitin 1924 zgjidhet deputet i Vlorës në Asamblenë Kushtetuese dhe në 1925 u zgjodh senator. Ai ka shërbyer në misione të ndryshme diplomatike. Në vitin 1928 u emërua ambasador i Shqipërisë në Londër e në 1930 në Athinë. Sekretar i Përgjithshëm i ministrisë së Jashtme në 1933 dhe deputet i Vlorës në 1937. Në vitin 1942, në qeverinë e Mustafa Krujës, emërohet ministër i Tokave të Lirueme (territoret etnike shqiptare të ish-Mbretërisë Jugosllave, që iu bashkuan Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore).
Në kabinetin e qeverisë së Fiqri Dines (1944) mbajti postin e ministrit të Punëve të Jashtme dhe të Drejtësisë. Eqerem Vlora dhe një seri nacionalistësh të tjerë ishin të mendimit se Shqipëria do të përfitonte më tepër politikisht duke zgjidhur problemin e vet kombëtar duke iu bashkëngjitur fuqive të Boshtit. Pas Luftës së Dytë Botërore emigroi në Itali e më pas në Austri. Eqrem Vlora ka shkruar libra me kujtime, studime historike, kulturore e etnografike, si: “Aus Berat und vom Tomorr”, Sarajevë 1911 (“Nga Berati në Tomorr dhe kthim”, Tiranë 2003), “I dolori del popolo Albanese” (“Dhembjet e popullit shqiptar), “Lebenserinnerungen” I, II, Mynih 1968, (“Kujtime”, I, II, Tiranë 2001) etj.
Ai vdiq më 30 mars 1964 në Austri. Me rastin e 50 vjetorit të vdekjes eshtrat e Eqrem Vlorës kthehen në Shqipëri duke përmbushur kështu amanetin e tij për t’u prehur në atdhe./ata