Gjykata ka vendosur sot masën e sigurisë “arrest me burg” për efektivin e “Shqiponjave” Nevaldo Hajdaraj, i cili dyshohet se qëlloi me armë zjarri për vdekje 25-vjeçarin Klodian Rasha.
Efektivi Hajdaraj është shprehur gjatë seancës së sotme se është penduar për veprimin e kryer, ndërsa ka kërkuar që familja e viktimës të ishte në seancë në mënyrë që t’i kërkonte falje.
“Sillni familjen këtu, dua t’i kërkoj falje. Kam marrë një jetë njeriu, merrni çfarëdo lloj mase ndaj meje. Jam penduar”, mësohet të jetë shprehur polici 31-vjeçar.
“Kjo që më ndodhi mua mos i ndodhtë askujt!”, është shprehur ndër të tjera ai.
Më herët Prokuroria kërkoi masën “arrest me burg” për efektivin, duke deklaruar se efektivi i “Shqiponjave” kishte qëlluar dy herë në drejtim të 25-vjeçarit në rrugën “Dritan Hoxha”. Akuza që rëndonte ndaj efektivit ishte ajo e “Vrasjes në kapërcim të kushteve të mbrojtjes së nevojshme”.
Nga të dhënat e deritanishme organi i akuzës doli në përfundimit se nuk është konstatuar asnjë rrezik potencial që i kanosej jetës së efektivit dhe nuk kishte arsye për të qëlluar me armë zjarri. Burime nga organi i akuzës thanë se janë këqyrur pamjet filmike të përftuara nga disa kamera sigurie, mes të cilave edhe një kamera që ndodhet përballë vendit ku u gjet i vrarë 25-vjeçari.
HETIMI
Burime nga grupi hetimor thanë dje se është saktësuar e gjithë dinamika se si ka ndodhur ngjarja ku mbeti i vrarë 25-vjeçari Klodian Rasha. Sipas raportit paraprak të Prokurorisë së Tiranës, efektivët e patrullës së Policisë, teksa po kontrollonin një automjet tip “Chevrolet”, në afërsi të bar “Xh…”, kanë konstatuar një person rreth 30 metër larg automjetit që po kontrollohej, duke qëndruar i mbështetur në një pemë.
Efektivi i Policisë ka deklaruar se e ka thirrur personin e panjohur, duke iu drejtuar: “O djali, ndalo pak!”. Por ai është larguar menjëherë, duke kaluar mes për mes rrugën “Dritan Hoxha”.
Në momentin që ai ka kaluar në rrugën kryesore, efektivi i dytë që ndodhej duke kontrolluar automjetin “Chevrolet” është vënë në ndjekje të tij. Ndjekja ka vazhduar për disa metra nga mbrapa ndërtesave që ndodhen në anë të rrugës kryesore.
Në raport, referuar versionit të Policisë, thuhet se në anën tjetër të rrugës, në vendin e quajtur rruga “At Zef Valentino”, pasi ka ndodhur vrasja, nga kontrolli i Policisë është gjetur një armë zjarri, pistoletë “Mini Blovv”.