Bisedë me shkas me historianin Jusuf Buxhovi, autor i librit “Kongresi i Berlinit dhe Lidhja Shqiptare1878”
-Historiani i njohur Jusuf Buxhovi në një intervistë për revistën “Milosao” të Tiranës sqaron fanatizmin antishkencor të shumë historianëve të Tiranës dhe Prishtinës që të ruhen kornizat ideologjike të së kaluarës si dhe sajesat e Beogradit rreth “shtetit mesjetar” serb në Kosovë, që asnjëherë nuk ka ekzistuar!
“Milosa”:Botimi i librit “Kongresi i Berlinit dhe Lidhja Shqiptare 1878” sjell dokumente, aktet dhe letra të ndryshme në formën komplete nga arkivi i Ministrisë së Jashtme Gjermane ku gjendet arkivi i Kongresit të Berlinit. Duhet të jetë kjo qasja juaj e parë, por serioze, në fushën e historiografisë?
J. Buxhovi: Libri “Kongresi i Berlinit dhe Lidhja Shqiptare 1878” i takon filleve të punës sime hulumtuese shkencore në historiografi nga fillimi i viteve të shtatëdhjeta të shekullit të kaluar. Studimi mbështetet mbi temën e magjistraturës “Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumentet gjermane”, e mbrojtur në vitin 1979 në katedrën e Historisë së Universitetit të Kosovës. Botimi i vitit 2008, ishte një rast i mirë që tema e magjistraturës të plotësohet me një kundrim më të gjerë të problematikës, duke u parë në tërësinë e Kongresit të Berlinit, gjë që asaj i ka dhënë një dimension më të thellë. Ky thellim ka të bëjë edhe me plotësimin e dokumenteve paraprake me të tjera nga Arkivi i Ministrisë së Jashtme Gjermane, ku gjendet arkivi i Kongresit të Berlinit, të cilat, në formën autentike, nga origjinalet (frëngjisht dhe gjermanisht), për herë të parë paraqiten opinionit shqiptar të përkthyera edhe në gjuhën shqipe.
“Milosao”:Juve personalisht jeni i ndarë mes kërkimeve, publicistikës dhe sidomos krijimit letrar. Sa e ndihmojnë njëra-tjetrën përpjekjet individuale në disa fusha?
J. Buxhovi: Publicistikën e kam profesion të mirëfilltë jetësor. E kam filluar në vitin 1967 si gazetar i “Rilindjes” për ta vazhduar dhe përfunduar në vitin 2008 në Bon të Gjermanisë si korrespodent i përhershëm i kësaj të përditshme shqiptare në këtë vend. Pra, për dyzet vjet pune aktive, gazetaria më ka ndihmuar shumanshëm. Megjithatë, gazetaria mund të jetë e dëmshme në krijimtarinë letrare, po qe se nuk lirohesh nga sipërfaqësia e saj që ia imponon dinamika, dhe veçmas e papërshtatshme në fushën e hulumtimeve shkencore, po qe se faktografia mbetet në nivelin e trajtimit publicistik.
“Milosao”:Çfarë pasojash ka sjellë Kongresi i Berlinit prej vitit 1878, në ditët tona? A mendoni se ky ishte shkaku kryesor që mori trajtë Lidhja shqiptare e Prizrenit dhe u përmirësua përpjekja për pavarësinë e vendit?
J. Buxhovi: Kongresi i Berlinit i vitit 1878 duhet parë në frymën e zhvillimeve të njohura që solli Kriza Lindore, me çka u bë e ditur se fundi i Perandorisë Osmane në pjesën evropiane do të përcillej me lëvizje të mëdha gjeostrategjike, të cilat, duhej të mbaheshin nën mbikëqyrje nga Fuqitë e Mëdha të kohës, veçmas pas bashkimit të Gjermanisë në vitin 1871 dhe shfaqjes së saj në skenën politike si faktor i rëndësishëm. Meqë pansllavizmi rus në këtë hapësirë ishte shumë aktiv dhe po përdorte lëvizjet nacionale të botës ortodokse (grekëve, serbëve, malaziasve, rumunëve dhe bullgarëve) për interesa të veta, atëherë ishte e natyrshme që edhe oponentët e saj, Austro-Hungaria dhe Italia të përdornin lëvizjet tjera nacionale, veçmas atë të shqiptarëve për qëllime të veta, pra që të mbrojnë interesat e tyre në hapësirën evropiane te Perandorisë Osmane.
Në këto rrethana, pas luftës serbo-turke të vitit 1877 dhe asaj ruse-turke të vitit 1878, pra pas Paqes së Shën Stefanit, e cila Serbisë i lejoi zgjerim në pjesët shqiptare (nga Nishi deri në Kurshumli) si dhe krijoi Bullgarinë e Madhe (ku u prekën edhe disa pjesë të etnisë shqiptare), ishte i pashmangshëm edhe reagimi shqiptar, që pasoi me thirrjen e Lidhjes Shqiptare në Prizren disa ditë para se Kongresi i Berlinit të fillonte punimet.
Natyrisht se për një reagim të tillë të shqiptarëve, që filloi me moton e “mbrojtjes së vatanit nga copëtimet sllave dhe greke” dhe përfundoi me një lëvizje politike ndër më të fuqishmet që i hapën rrugë zhvillimeve që, tridhjetë e katër vite më vonë do të çojnë te shpallja e shtetit të pavarur shqiptare, ishin të interesuar edhe fuqitë qendrore (Austro-Hungaria, Gjermani dhe Itali), siç ishte e interesuar edhe vetë Perandoria Osmane, e cila te reagimi i shqiptarëve për të mbrojtur tokat e tyre, shihte mundësinë për t’i shpëtuar trysnisë ruse, por pa dividentë politike (autonominë brenda Perandorisë), siç kërkonin shqiptare. Ka shumë dokumente mbi të cilat mbështeten këto qëndrime, vlerësimi analitik i të cilave, nxjerr në pah rezonin politik të elitës politike shqiptare të kohës që procesi i pashmangshëm i rënies së Perandorisë Osmane të shfrytëzohet në përputhje edhe me interesat e atyre fuqive të mëdha të cilat pansllavizmit mund t’i kundërvihen me futjen në lojë të kartës së faktorit shqiptar, që nuk mund të ishte tjetër pos me lindjen e një shteti shqiptar, pa marrë parasysh përmasat e tij etnike. Në këtë kombinatorikë politike, kërkesa për një vilajet të bashkuar shqiptar (nga katër sosh e ku ai i Kosovës ishte më i madhi dhe më sfiduari nga fqinjët e shqiptarëve që synonin ta copëtonin), ishte kërkesë e arsyeshme, meqë ruante tërësinë e etnisë shqiptare dhe njëherësh atë e faktorizonte në raport me Perandorinë Osmane, po edhe me Fuqitë e Mëdha të kohës, për t’u parë edhe si interes i tyre. Shikuar nga këndvështrimi historik, Lidhja Shqiptarëve e Prizrenit e vitit 1878, në përmasat perandorake dhe veçmas në ato ndërkombëtare, e promovoi politikisht nacionalizmin shqiptar të mbështetur mbi faktorin gjuhë siç e vuri në binarët e pashmangshëm dhe të pandalshëm pavarësinë e Shqipërisë.
“Milosao”:Kush ju ka ndihmuar në këtë përpjekje të stërmadhe dhe a mendoni se keni pasur pengesa në punën tuaj?
J. Buxhovi: Puna ime hulumtuese dhe shkencore duhet parë në kuadër të zhvillimeve shoqërore dhe politike të kohës. Pra, ato të viteve të gjashtëdhjeta, shtatëdhjeta dhe të tetëdhjeta nëpër të cilat kaloi Kosova, që lidhen me emancipimin politik, kulturor dhe shpirtëror të shqiptarëve, të cilat , pas ndryshimeve kushtetuese të viteve 1968-1974, u hapën rrugë edhe krijimit të institucioneve kombëtare, siç ishte Universitetit i Prishtinës, Akademisë së Shkencave dhe Arteve si dhe instituteve të tjera hulumtuese shkencore, ku një rol të madh pati edhe veprimtaria botuese në gjuhën shqipe që drejtonte “Rilindja” e të tjera. Këtyre zhvillimeve duhet shtuar edhe bashkëpunimi kulturor dhe arsimor me Shqipërinë, i vendosur zyrtarisht në vitin 1968 në marrëveshjen e parë midis Tiranës dhe Prishtinës, me ç’rast, midis Tiranës dhe Prishtinës filloi këmbimi i teksteve shkollore, librave si dhe profesorëve në të dy universitetet, shkëmbim ky që i solli dobi të mëdha Kosovës. Tirana dhe Prishtina asokohe harmonizonin qëndrime edhe rreth disa projekteve të përbashkëta hulumtuese dhe shkencore aty ku kishte mundësi. Meqë si gazetar isha i akredituar në Bon dhe po merresha me hulumtimin e dokumenteve të Kongresit të Berlinit, çarqet shkencore në Prishtinë dhe Tiranë (Dr. Ali Hadri, Aleks Buda dhe Arben Puto) kërkuan që këtë angazhim ta ktheja në vokacion të përhershëm hulumtues shkencor, gjë që edhe kështu ndodhi. Pra, në punën time hulumtuese, si mentor të parë, kam pasur akademik Ali Hadrin dhe profesor Aleks Budën, me të cilët kam bashkëpunuar deri në vitin 1981, kur do të ndërpritet dhunshëm nga ana jugosllave pas ngjarjeve të vitit 1981. Megjithatë, ndryshimin e njohur të rrethanave politike dhe shoqërore të atyre viteve, jam munduar që ta përballoj me punë individuale në Gjermani, duke iu përkushtuar hulumtimit nëpër arkivat gjermane, në mënyrë që të rrumbullakoj sa më shumë që të jetë e mundur punën e nisur në vitet e shtatëdhjeta.
“Milosao”:Në kërkimet tuaja të vazhdueshme, ju jeni përballur me dokumente autentike. A mund të na thoni, ka pasur përpjekje për manipulime nga fqinjët apo nga kancelaritë ndërkombëtare?
J. Buxhovi: Mund të thuhet pa hezitim se e gjithë problematika e studimit të dokumenteve të Kongresit të Berlinit dhe atyre që solli kjo ngjarje, për çdo studiues të mirëfilltë shqiptar, përcillet me anatemën e manipulimit dhe falsifikimit të tyre të qëllimshëm në njërën anë si dhe të stereotipeve ideologjike në tjetrën anë. Manipulimi dhe falsifikimi i këtyre dokumenteve gjithsesi se lidhet me historiografinë serbomadhe të Beogradit, po edhe të Moskës dhe Athinës për qëllime të njohura hegjemoniste që u shërbyen projekteve antishqiptare ( “Naçërtanja” e Garashaninit e vitit 1844 dhe ajo e “Megaloidhesë” greke e po të njëjtës kohë si dhe ato të historiografisë ruse). Kongresi i Berlinit si dhe vendimet e njohura të tij, kanë paraqitur referencën emblematike të manipulimit të këtyre qendrave në mënyrë permanente nga falsifikimi i tyre e deri te keqinterpretimet e qëllimshme, që për moto kishin fabrikimin e gënjeshtrës rreth “shqiptarëve ardhacakë dhe pa histori”, “shqiptarëve mbetje e mjegulluar osmane dhe fundamentalistë të rrezikshëm islamikë” e të ngjashme, me çka atyre duhej jo vetëm t’u mohohej shteti, por, për hir “të interesave të mëdha evropiane”, Beogradit, Athinës e të tjerëve, t’u lejohej qërimi i hesapeve me ta, deri te etnogjenocidi!
Kur shikohen mirë e mirë nga të gjitha këndet të gjitha dokumentet e Kongresit të Berlinit, një pjesë të të cilave kam sjellë në librin tim, veçmas letrat e dërguara nga të gjitha viset shqiptare (124 sosh), del se një pjesë të tyre mund të thuhet se janë shkruar edhe nga konsuj rusë e grekë, nga klerikë ortodoksë dhe agjentë të tjerë të Beogradit, Athinës dhe Moskës, po edhe nga ndonjë konsull austriak. Këtë të fundi, madje e pranon edhe Andrashi, ministër i jashtë i Austro-Hungarisë në memoaret e tij, me ç’rast zbulon se “Vjena ka punuar që nga disa qendra shqiptare të vinë letra dhe telegrame që na duheshin”. Këto “ndërhyrje” nuk ua humbin vlerën kërkesave autentike të shqiptarëve, veçse bëjnë të ditur se midis tyre ka pasur edhe të dirigjuara në përputhje me interesat tjera, gjë që historiografisë sonë i mbetet që ato t’i deshifrojë dhe t’i interpretojë mirë e mirë.
“Milosao”:A mendoni se Lidhja e Prizrenit ka trajtime të ndryshme në Shqipëri e Kosovë? Sikur duket se një pjesë e studiuesve nuk kanë parë dokumentet origjinale?
J. Buxhovi: Arsyet e njohura ideologjike dhe ato që shqiptarët nga 1912 i ndanë dhunshëm në realitetet shoqërore dhe politike të ndryshme kanë sjellë edhe qëndrime të ndryshme, ku në njërën anë, nga Tirana zyrtare është imponuar qëndrimi se nga Europa dhe Perëndimi shqiptarëve u kanë ardhur të gjitha të këqijat, se perëndimi nuk i ka dashtë shqiptarët e të ngjashme, gjë që kjo ka justifikuar izolimin dhe mbylljen komuniste, ndërsa në tjetrën anë, Lidhja Shqiptare e Prizrenit është dashtë të shihet vetëm si përpjekje për autonomi, që si e tillë të “justifikojë” statusin politik të shqiptarëve në Jugosllavi e të ngjashme, sado që pjesa më e madhe e historianëve të Kosovës, konceptin e autonomisë e kanë parë si proces, që shkon tutje, e jo si gjendje statike, kundrim ky që ka qenë i ngjashëm edhe me qëndrimin politik të intelektualëve shqiptarë dhe të një pjese të klasës politike…
Krahas këtyre stereotipeve, që për fat të keq, ende gjithnjë mbahen te një pjesë e historianëve tanë (sidomos atyre në Tiranë) nga shkaku se kanë doktoruar dhe shkruar libra, siç kanë fituar edhe tituj “akademikë” e të tjera gjatë kohës së diktaturës komuniste, sot e gjithëditën mungon edhe vullneti i qëllimshëm për ballafaqimin me dokumentet origjinale! Them kështu, ngaqë ka dhjetë vite që kam sjellë dokumentet origjinale të Kongresit të Berlinit në frëngjisht dhe gjermanisht, të nxjerra nga Arkivi Politik i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë në Bon (të autorizuara nga botuesi gjerman“Gisen”) e të përcjella edhe me përkthimin në gjuhën shqipe, ndërsa që historianë nga Tirana dhe Prishtina edhe në tutje citojnë versionin e cunguar dhe të filtruar të dokumenteve që sjell Haxhivasilevi, Gjorgjeviqi, Gopqeviqi dhe historianë të tjerë serbë! Ç’është më keq, disa pedagogë të kësaj mendësie, pengojnë studentët që marrin guximin të citojnë librin tim, meqë kjo ua rrënon “kredibilitetin” veprave të tyre!
“Milkosao”:Historianët e Shqipërisë dhe Kosovës kanë pasur një lloj tutele të diktuar nga regjimet represive. A mendoni se ka ardhur koha që duhet të ketë një trajtim kombëtar shqiptaro-kosovar sa i përket rëndësisë së Kongresit të Berlinit?
J. Buxhovi: Tutela e regjimit represiv komunist është dashtë të marrë fund me rënien e komunizmit, siç ka ndodhur edhe në vendet tjera. Por, për fat të keq, ajo po vazhdon për arsyet që i ceka më sipër. Kujtoj se historiografia jonë duhet të ketë qëndrim shkencor jo vetëm sa i përket Kongresit të Berlinit, por të gjitha çështjeve të tjera, veçmas asaj që ka të bëjë me lidhjen pellazge dhe të tjera nga antikiteti, ku pjesëmarrja jonë në djepin e qytetërimit të lashtë dhe të vlerave të tij universale është thuajse vendimtare. Historiografia institucionale shqiptare duhet të rishqyrtojë pikëpamjet e veta rreth Bizantit, Mesjetës dhe veçmas ato që kana të bëjë me të ashtuquajturin shtet mesjetar serb me Rashën dhe Dinastinë Nemanjane – “themel i tij”, ndonëse nga autorët ndryshëm bizantinë dhe dokumentet tjera të kohës Nemanjajt shihen me origjinë tribale (fis ilir), siç duhet të rishqyrtojë edhe pikëpamjet rreth kishës ortodokse serbe, që del me autoqefali gjoja nga shekulli XIII, ndërkohë që ajo autoqefalin e ka tetë shekuj më vonë, në vitin 1923 pas krijimit të shtetit Serb-kroat-slloven. Në përputhje me këto fakte, historiografia shqiptare duhet të rivlerësojë rolin e feudeve arbërore në Bizant si dhe përpjekjet e tyre për autonomi dhe aleancave të ndryshme në përputhje me faktorët e kohës në përvijimet midis Bizantit dhe Perëndimit, siç kanë ndodhur mbas kryqëzatës së katër më 1204 e deri te shfaqja e osmanëve, ku Rasha Nemanjane, si pjesë e feudeve të kohës në hapësirën e Dardanisë dhe të Maqedonisë, që luftonin për të trashëguar fronin e Bizantit, del nga arbitri i përvetësimeve serbe.
“Milosao”:Sa i vështirë ka qenë për Ju hulumtimi në arkivat gjermane dhe sa kohë ju është dashur t’i grumbulloni këto materiale?
J. Buxhovi: Të qenit gazetar (korrespodent i përhershëm i “Rilindjes” në Gjermani, i akredituar pranë qeverisë gjermane) më ka krijuar mundësi të mëdha edhe formale që t’u qasem dokumenteve pa ndonjë vështirësi. Meqë fokusimi im hulumtues ka qenë Kongresi i Berlinit, ishte e natyrshme përqendrimi te shqyrtimi dhe vjelja e dokumenteve të Arkivit të Ministrisë së Punëve të Jashtme në Bon. Aty kam punuar nga mesi i viteve të shtatëdhjeta e deri në vitin 2008, ku kam klasifikuar mbi pesë mijë dokumente që kanë të bëjnë me Krizën Lindore, Kongresin e Berlinit dhe çështjen shqiptare nga viti 1865 e deri në vitin 1912. Pjesa më e madhe e këtyre dokumenteve ruhet në arkivin tim personal, ngaqë nuk ia kam dalë t’u siguroj vend në Arkivin e Kosovës dhe atë të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Sepse, këto institucione, për arsye “të pakuptueshme”, që u cekën, nuk kanë qenë në gjendje të ofrojnë as siguri e as trajtim shkencor!
“Milosao”: E mendoni se ishte e arsyeshme ajo që përcaktoi në konkluzionet e veta Lidhja e Prizrenit, sa i përket mbrojtjes nga copëtimi i trojeve shqiptare dhe autonomi nën Perandorinë Osmane?
J. Buxhovi: Qëndrimet dhe vendimet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit janë në përputhje me rrethanat si dhe zhvillimet historike të kohës, në të cilat u gjenden shqiptarët, kur ata në njërën anë rrezikoheshin nga hegjemonizmi i fqinjëve sllavë dhe grekë dhe në tjetrën anë rrezikoheshin nga shembja e shpejtë e Perandorisë Osmane. Mbrojtja e interesave kombëtare asokohe mund të sigurohej nëpërmes kërkesës për bashkimin e katër vilajeteve shqiptare (krijimi i një Shqipërie osmane, që në të vërtetë doli nga kërkesat e katërmbëdhjetë pikëshit të Hasan Prishtinës në Shkup, në gusht të vitit 1912), që nënkuptonte lirimin nga koncepti i “miletit osman” ku gjendeshin dhe një formule kompromisi që do ta arrinte Perandoria Osmane me fuqitë evropiane të boshtit (Austro-Hungarinë dhe Italinë). Pa marrë parasysh si rrodhën ngjarjet deri në nëntor të vitit 1912 dhe nëpër ç’katrahurë kaluan shqiptarët, megjithatë epilogu i këtij zhvillimi ishte i përcaktuar nga programi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit si dhe platformës kombëtare që doli prej saj. Pa këtë ngjarje, nuk do të kishte as Shqipëri e as komb shqiptar.
“Milosao”:Keni mbaruar dhe një kolanë historike të Kosovës, cilat janë planet tuaja më të afërta?
J. Buxhovi: “Kosova” në pesë vëllime, e botuar midis viteve 2012-2015, këtë vit plotësohet edhe me tri vëllime të tjera (VI,VII dhe VIII), me çka përmbyllet koncepti im që ky libër në tetë vëllime të paraqesë një kontribut shkencor për historinë e Shqipërisë së natyrshme dhe të Shqiptarëve nga antikiteti e deri te koha jonë, ku Dardania është në qendër të vëmendjes, si një mbretëri ndër më të vjetrat e antikitetit, e lidhur me Trojën dhe zhvillimet tjera që ndodhën pas rënies së saj. Përqendrimi te Dardania si qendër e antikitetit ka rëndësi të dyfishtë: ngaqë në njërën anë lashtësisë sonë ia shton komponentin kryesor që atë e lidh me qytetërimin trojan dhe atë pellazg në përgjithësi (qëllimisht të harruar dhe të anashkaluar), dhe në tjetrën anë e zhvlerëson në tërësi gënjeshtrën serbe për gjoja “shtetin mesjetar serb” në Kosovë, që nuk ka ekzistuar kurrë, që për fat të keq, edhe sot e gjithditën mbrohet nga disa historianë të mendësisë ideologjike në Tiranë dhe Prishtinë, me të cilën Serbisë, siç e pasqyron edhe pakoja e Ahtisarit në Kushtetutën e Kosovës, vazhdon t’i njihet edhe “e drejta historike”, paçka se ajo frymëzoi gjenocidet serbe ndaj shqiptarëve ( të viteve 1878, 1912, 1944 dhe 1999)!
“Kosova” në tetë vëllime, po ashtu, ka për qëllim të pasqyrojë edhe vazhdimësinë arbërore-shqiptare nga mesjeta e deri te shfaqja e parë e shtetit shqiptar (atij londinez më 1913), me ç’rast pranimi i shtetit të përgjysmuar shqiptar zhvendosi raportet e brendshme shoqërore, kulturore dhe politike të botës shqiptare, ku shteti mori rolin e qendrës, ndërsa pjesët e mbetura jashtë nën pushtimin serb,malazias dhe grek, ndonëse dikur trung historik u kthyen në periferi me fatin tragjik të asimilimit deri në zhdukje! Shteti i Kosovës i pranuar ndërkombëtarisht më 2008, korrigjoi këtë padrejtësi (kthimin e qendrës në periferi dhe të periferisë në qendër) dhe, me dy shtete shqiptare, vendosi balanset historike dhe shoqërore-politike të botës shqiptare. NË këtë aspekt “Kosova” shfaqet si histori e shtetit të Kosovës, po edhe histori e Shqipërisë së natyrshme. Si e tillë, kjo vepër, paradigmës që ka funksionuar nga viti 1913 e këndej se “Kosova është Shqipëri” ia shton atë se edhe “Shqipëria është Kosovë”.