Nëse doni lavdinë e Shqipërisë, kërkoni në çdo bibliotekë të botës
Instituti Albanologjik i Lumo Skëndos, shkëlqimi i atdhedhetarisë së tij
Nga Vepror Hasani
Kur lindi ideja te Mit’hat Frashëri, i mbiquajtur Lumo Skëndo, për themelimin e Institutit Albanologjik, askush nuk di ta thotë me saktësi. Gjithçka u mësua vetëm kur ai e tha me zë të lartë. Ishte 4 marsi i vitit 1929, kur la me testament gjithë pasurinë e vet të tundshme dhe të patundshme për ngritjen e një Instituti Albanologjik që do t’i bënte nder Shqipërisë. Dhe këtë gjë e bëri në heshtje, pa zhurmë e bujë. Ndoshta kjo dëshirë zuri fill që nga fëmijëria e tij. Ai lindi më 25 mars 1880 në qytetin e bukur të Janinës, që i vogël e pa veten mes librash të shumtë e të mrekullueshëm, dhe ndërsa rritej, shtonte gjithnjë e më tepër numrin e tyre. Biblioteka e tij u bë e madhe, nga më të pasurat ndër bibliotekat e familjeve shqiptare; quhej “Biblioteka e Frashërllinjve”. Kur mbërriti në Shqipëri numri i librave ishte disa mijëra; në vitin 1938 biblioteka e Lumo Skëndos numëronte rreth 20.000 volume të shkruara në frëngjisht, anglisht, gjermanisht, italisht, greqisht, turqisht, shqip etj. Kishte dhe shumë libra që dikur kishin qenë pjesë e bibliotekave të arqidukës Ferdinand të Austrisë, të mbretit Kostandin të Greqisë, të Napoleon Bonapartit, të sulltanëve, të Mahmut pashë Shkodrës etj. Zotëronte edhe 200 dorëshkrime, disa prej tyre të albanologëve, pa llogaritur koleksionet e gazetave e të revistave në gjuhë të huaj dhe shqip, dokumente të tjera të ruajtura me kujdes, zëdhënie, lajmërime, afishe etj, të shtypura ose të shkruara me dorë. Gjithçka që ekzistonte në bibliotekën e tij madhështore kishte të bënte kryesisht me albanologjinë, balkanologjinë dhe kombin shqiptar. Kur mbërriti në Tiranë, biblioteka mori emrin e tij, “Lumo Skëndo”.
Testamenti i Lumo Skëndos
Në testamentin e Lumo Skëndos, 4 mars të vitit 1929, thuhej: “Çë kam pasur pasuri të tundshme ose të patundshme, libra mobilla, karta, plaçka etj, i lë për krijimin e një “Instituti Albanologjie” që të jetë një qendër e studimevet shqiptare, të mprojë, të zhvillojë, të qendrësojë dhe të udhëheqë Shqipëtarët.” Lënien e testamentit të tij, Lumo Skëndo e bëri të njohur edhe te fletorja “Demokratia”, nr 4624, dt 4-XII-1938: “Ditën 4 mars 1929 me numër 163 kam depozituar në noterin e Gjykatës, këtu në Tiranë (sot noter publik z. Jonus Tafaj), testamentin tim për ngrehjen e një Instituti Albanologjik, konsakruar (kushtuar) studimeve shqiptare, histori, gjuhë, folklor, literaturë… Që nga ajo ditë po përpiqem të plotësoj dhe të pasuroj mjetet e punimit s’asaj qendre t’asaj foleje”. Ky lajm i madh u pasqyrua edhe në të përmuajshmet: “Gjithë Shqypnia e njef z. Lumo Skendo, si një ndër atdhetarët ma të rrallë, si një ndër punëtorët ma të palodhun, si një ndër shqiptarët më të pastër. Në heshtje i fali vendit tonë sa përpjekje, sa fuqi; pa mburrje bani me bind revistën fort të vlershme Diturija: pa shpërblim i kushtoi tokës së vet sa mundime.
Kush mendoi se Lumo Skendo u tërhoq mënjanë e u ligshtue prej rrymave jo të kullueta qi u përshkruen nëpër vendin t’onë, pat rasë me e përgënjeshtrue vedin, tuj këndue sa kushtrime trimnare nëpër të përkohshme t’ona e në fund muejt me ndie se Lumo Skendo po bahej gati me i fal Shqypnisë nji çerdhe, një tempull, kushtue kultit të Shqiptarizmës”. (“Hylli i Dritës” 1938, nr 12, f. 713).
Bibliotekë me pasuri të rralla
Në bibliotekën e Lumo Skëndos gjendeshin edhe libra që flisnin për Gjergj Kastriotin, për Ali Pashë Tepelenën e shqiptarë të tjerë me emër të madh. Biblioteka e tij ishte më e madhja në Shqipëri, më e pasura dhe me vlera të mëdha. Ndër të tjera mund të përmendim koleksionin e pikturave të kohës së Ali Pashë Tepelenës, frerin e kalit të Ali Pashait, dy sahatë bakri me kapakë me stemën e satrapit; edhe këto të Ali Pashës, sahatin e motrës së Aliut që ishte martuar në Libohovë dhe dy sahatë të tjerë të ministrit të oborrit të Ali Pashë Tepelenës. Gjendeshin aty ikona bizantine, një koleksion monedhash të moçme, gjetur në vise të ndryshme të Shqipërisë e shumë të tjera. Pjesë e bibliotekës ishin edhe reliktet e rralla të familjes Frashëri: të Naimit, të Samiut dhe të Abdylit. Për të gjitha këto dëshironte të ngrinte një Institut Albanologjik dhe t’ia linte si pasuri mëmëdheut që e deshi aq shumë, por i duhej edhe ndihma e dikujt që të ngrinte ndërtesën, një bibliotekë me emrin “Frashëri” në shenjë nderimi për këtë familje të madhe atdhetare. Nëse kjo gjë realizohej, kryeqyteti do të kishte si pasuri të vetën një thesar të paçmuar, por deri atëherë ai do të vijonte të mblidhte libra që flisnin për Shqipërinë, gjuhën shqipe dhe origjinën e shqiptarëve. Ende nuk e kishte gjetur librin e ëndërruar, më të bukurin që mund të ishte shkruar për atdheun e tij.
Shqipëria pa bibliografi
Për Shqipërinë ende nuk kishte një bibliografi të plotë, dhe kjo i dhimbte shumë Lumo Skëndos. Pa atë bibliografi edhe veten e shihte si të gjymtuar, por dinte që për Shqipërinë ishte hartuar një bibliografi nga profesor Emil Legrand. Pas vdekjes se tij, libri u vazhdua prej dy studentëve, u shtyp në Paris më 1912. Në këtë libër u kataloguan 724 vepra, 125 prej tyre ishin të shkruara shqip, pjesa tjetër ishin studime të të huajve mbi gjuhët, libra historie dhe udhëtimi mbi vendin tonë. (Por sipas katalogut nr. 611 të librarit Joseph Baer dhe Co., në Frankfurt, Legrand-it i mungonin 9 vepra); pra për Shqipërinë mund të gjendeshin edhe libra të tjerë. Para Legrand-it, albanologu i mirënjohur Gustav Majer, në fund të librit të tij “Fjalori etimologjik shqip” (Strazburg 1881), kishte vënë 193 vepra mbi shqiptarët ose të shkruara në gjuhën shqipe; 80 prej të cilave ishin shkruar shqip prej vetë shqiptarëve. Lumo Skëndo besonte gjithashtu se edhe në qytetet shqiptare dhe të huaja: Shkodër, Bukuresht, Sofje, Korçë, Selanik, Stamboll, Bruksel, Paris, Athinë, Vjenë, Hali, Misir, Amerikë e gjetkë mund të ishin shtypur deri ateherë (viti 1926, shënimi im V.H), rreth 400 libra dhe broshura shqip, pa llogaritur gazetat, numri i të cilave shkonte rreth 100. Dukej se edhe Shqipëria kishte nisur ta nxirrte historinë e saj nga errësira. Për Lumo Skëndon shkrimi i gjuhës shqipe duhej të ishte shumë më i hershëm nga sa njihej deri atëherë. Të gjitha këto e shumë të tjera do të bëheshin të njohura nga Instituti Albanologjik që ai dëshironte ta ngrinte një orë e më parë.
Të gjithë për historinë e Shqipërisë
Lumo Skëndos nganjëherë i dukej sikur përballë kësaj sfide të madhe ishte i vetëm, ndaj sa herë gjente rastin u drejtohej të gjithëve. Përmbledhtas po e sjellim kështu: Gjurmë të historisë tonë janë monumentet, rrënojat arkeologjike, monedhat, sendet e mbetura mbi dhe nën tokë, shkrimet e murgjëve të manastireve, aktet e gjykatave, të zyrave qeveritare, të noterëve, të kishave, shkrimet e të huajve, rrëfimet gojore etj, të cilat duhen mbledhur. Në arkivat e prefekturave nuk ka mbetur asgjë. Lufta Ballkanike i shndërroi të gjitha në hi. Kështu ndodhi në Elbasan, në Shkodër, në Durrës, në Korçë etj. Në Gjirokastër arkivat qeveritare u rrëmbyen nga grekët dhe i çuan në Janinë; kur u dogj pallati i qeverisë u dogjën edhe arkivat e grabitura. Në Shkodër qenë ruajtur Sixhiqatet e Mehqemesë, me akte të vjetra që nga ardhja e Turqve, por serbët i dogjën; prej tyre shpëtoi vetëm një volum (defter i madh), ndaj çdo gjë e mbetur, edhe shkrimi më i vogël, ishte me vlerë të madhe. Dokumente mund të gjenden në Venetik e në Stamboll, në arkivat e Frarit dhe në Hazine-i-evrak; dy burrime ku mund të punohet me vite pa shteruarë materiali. Mes të tjerash, Lumo Skëndo shkruante: “…në Vatikan janë 70.000 dorëshkrime (veç arkivave), në Ambrosiana 35.000, në Laurentiana 10.129, në bibliotekën Casanatense 5.460, në Marclana 13.319, në bibliotekë të Museo Civico (Venedik) 9.745 libra dorëshkrime”, ndaj kudo duhet kërkuar. (“Përpjekja shqiptare” 1936, nr. 1, f. 9-10)
Ia kemi borxh Shqipërisë
Por Lumo Skëndo nuk mjaftohej me kaq, dëshironte t’i rrëfente me imtësi ku mund të gjendeshin dokumente për Shqipërinë. Në arkivat e Stambollit, thoshte ai, mund të gjejmë lëndën e ngjarjeve të 5 shekujve; në të Italisë, nga Sicilia në Alpe, mund të gjejmë informacion për dhjetë shekuj; mund të gjejmë në Jugosllavinë e sotme, në zallet e Adriatikut dhe në arkivat e Greqisë (të Korfuzit dhe të Athinës), së paku për njëqind vitet e fundit. S’ka dyshim, vendin e nderit të libravet e zënë historianët bizantinë (se mjerisht s’bëhet dot fjalë për arkiva të Bizantit) dhe kroniktarët e Tyrqisë. Corpus-i i të parëve s’bëhet me tepër se prej shtatdhjet volume, dhe Babingeri numuron 376 autorë që nga koha e Orhanit e gjer më sot. Me interes janë arkivat e kancelarive në ministritë e punëve të jashtme të shteteve që kanë qenë në marrëdhënie me Turqinë: Në Austri, Francë, Spanjë, Angli, Prusi, ltali dhe Greqi. Po kështu edhe aktet e kancelarive të moçme të depozituara për studiuesit si ato të Venedikut, të Milanos, Genova-s, Pisa-s, dhe të mbretërisë aragono-napoletane në Barcelonë, nga të cilat Marinesco nxori lëndën e librit Alphonse V. roi d’ Aragone et de Naples et l’ Albanie de Scanderbeg. Për kohën e Ali Pashës së Janinës rëndësi kanë arkivat e kancelarive të Francës dhe të Anglisë, por edhe të Rusisë, të cilat fillojnë me ngjarjet e Moresë dhe Suliotëve në kohën e Katerinës.
Shkrimet më të vjetra të gjuhës shqipe
Lumo Skëndos i pëlqente të fliste edhe për shkrimet më të vjetra të gjuhës shqipe që ishin zbuluar deri atëherë. I tillë ishte fjalori i vogël latinisht-shqip i Frëngut të Bardhë (Dectionarium Latino Epiroticum, për R. D. Franciscum Blanchum), shtypur në Romë më 1635. Por së fundi ishte zbuluar edhe një libër tjetër i vogël: “Il Catechisimo Albanese”, di Luca Matranga; një fletore me 53 faqe format i math, prej të cilave 11 faqe parathënie. Katekisma shqipe e Luca Matrangë-s, ishte shkruar më 1592, ose 43 vjet më parë nga libri i Frang Bardhit. Libri u shtyp më 1912 në shtypshkronjën e Manastirit Grottaferrata, afër Romës, nxjerrë nga tri dorëshkrime të bibliotekës së Vatikanit. Por ndërkohë ishte zbuluar edhe një libër tjetër, 42 vjet më i vjetër nga ai i Matrangës; imzot Schiro (Skiro) kishte bërë të ditur ekzistencën e një dorëshkrimi, shkruar më 1555 nga një shqiptar i quajtur Gjon Bozuku; kurse Dhimitër Berati në një artikull të tij “Shënime mi gjuhët shqipe”, sillte në kujtesë të lexuesit dy gjurmë edhe më të vjetra të gjuhës shqipe; njëra e vitit 1462, tjetra e vitit 1496 ose 1497. Ndërsa më e hershmja shenjë e gjuhës shqipe, vijonte të mbetej një frazë e gjetur në një dorëshkrim latinisht të bibliotekës Laurentiane në Firencë, botuar prej profesorit N. Jorga në veprat e tij: Notes et extraits pour servir a l’ histoire des Croisades au XV siecle, quatrieme serie, Bucarest 1915, faqe 194-95. Fraza shqip gjendej te shkrimi i Paul Angjelo, arqipeshkv i Durrësit, botuar në “Eçlesia Sancta Trinitatis de Emathia” më 8 nantor 1462; fraza është kjo: “Unte paghesont premenit atit et birit et spertit semnt.”, që do të thotë: “Unë të pagëzoj për emën t’atit e t’birit e t’shpirtit shënt”. Gjurma e dytë është e një udhëtari gjerman i quajtur Arnold von Harf, që kishte vajtur në Jeruzalem duke shkuarë nga Italia dhe nga Durrësi (1496 -1499). Kur ishte në Durrës, në fillim të udhëtimit, (1496-97), kishte shkruar një listë fjalësh shqip, të cilat u shtypën më 1860. Kjo listë u botua edhe nga Gustav Mayer në volumin e dytë Albanesische Studien, Wien, 1884.
Dëshmi, edhe atje ku s’e presim
Megjithatë, Lumo Skëndo shpresonte edhe në gjetjen e librave të tjerë. Frëngu i Bardhë, në parathënien e fjalorit latinisht-shqip, shkruante “gjuha jonë po vdiret dhe po bastardohohet”. “Kjo frazë na duket si një klithje kundër shkrimit me lajthim të shqipes,- shkruante Lumo Skëndo,- dhe jo si një qortim për foljen me gojë. Eshtë pra për të besuar se shqipja përdorej si gjuhë e gjallë dhe praktike, në kohët në të cilët shkruante Frëngu i Bardhë”. (Dituria v.1909, nr. 1, f. 2). Ndërsa më tej, Skëndo shpjegonte se Bogdani në parathënien e veprës së tij shqipe “Cuneus Prophetarum” shtypur më 1685, dëften se kishte pasur edhe libra të tjerë të shkruara shqip prej tij, por në udhëtimet dhe prej prapësisë së fatit, i ishin tretur si kripa në ujë. Dëshmi mund të gjenden edhe atje ku nuk e presim, – thoshte Skëndo,- profesori Jorga zbuloi në Laurentiana të Firencës gjurmën me të moçme të gjuhës s’ënë, – formulën e pagëzimit, – kurse monumentin e gjuhës tonë, Gjon Buzuku e gjeti në Vatikan, ndërmjet librave të hedhura mënjanë si të pakëndueshme.
Fjalët “albanolog” dhe “albanologji”
Edhe shqipëria po bëhej e njohur. Nga vitet 1870 nisën të përdoren fjalët “albanolog” dhe “albanologji”, flitej për shqiptarët, për gjuhën shqipe, për origjinën dhe racën e tyre; historia i kishte përmendur me emrat: pellazgë, ilyrianë, epirotë, maqedhonas, thrakë, mbase dhe frigë, nga Adriatiku në zall të Detit të Zi; pra si vendas dhe jo si të huaj. Të gjitha këto ishin krenari për Lumo Skëndon. I pari që shkruajti për shqiptarët dhe gjuhën shqipe, (më shumë se një shekull e gjysmë më parë), ishte Johann Thumanne, profesor në universitein e qytetit Halle, në veprën e tij mbi historin e popujve të Evropës Lindore (Untersuchungen uber die Geschichte der ostlichen europaischen Volker, von Johann Thumann, Erster Theil, Leipzig 1774.) Ai i konsideron shqiptarët pasardhës të llyrianëvet. Më pas erdhi libri i oficerit bavarez Xylender (Die Sprache der Albanesen oder Schkipetaren, Frankfurt 1835), i mjekut gjerman, Karl Reinhold (Noctes pelasgicae, Athine 1855), të cilët tërhoqën vëmendjen e dijetarëve mbi gjuhën shqipe. Po atë vit, albanologu dr. Johann Georg von Hahn, konsull i Austrisë në Shqipëri, i dha botës një libër të madh, me lëndë të gjerë, (Albanesische Studien, Wien 1853 dhe Jena 1854). Në këtë periudhë kemi edhe studimet e Franz Boppit (Uber die albanezesische in seinen verëandtschaftlichen Beziehungen, Berlin, shkrimet e August Pott, botimet e de Radës, Kamaradës dhe të Gustav Meyerit, i cili në pesëmbëdhjetë vjet (1880-1896) solli studimet: Albanesische Studien, Alban. Grammatik, Etymologisches Worterbuch der Albanesischen Sprache. Gjuha shqipe dhe origjina e saj kishin dalë ne dritë. Të gjitha këto, Lumo Skëndo, i shkruante në gazeta dhe revista që botoheshin në Shqipëri dhe jashtë saj.
Katedrat e gjuhës shqipe nëpër botë
Edhe vende të ndryshme të botës po ngrinin katedra të gjuhës shqipe. Të parët që u morën me studimin e gjuhës shqipe ishin gjermanët. Mësimet më të hershme nisën në Institutin Oriental të Napolit në vitin 1900, me titullar katedre Giusepe Schiro. Më 1904 u çel në Vjenë Instituti i Gjuhëve të Lindjes; kursi i shqipes u drejtua nga Gjergj Pekmezi deri më 1914, dhe më pas nga Kol Rota prej Shkodre deri më 1923. Gjuha shqipe u bë e rëndësishme për Austrinë, Vjena na dha Hahn-in, Gustav Meyerin dhe Norbert Joklin, i cili jepte kurset e albanologjisë; para tij ishin dhënë nga profesori Kretschmer Kretschmer. Më 1921, në Paris, profesori Mario Roques, mësues në Sorbonë dhe në shkollën e Gjuhëve të Lindjes (Ecoles des Langues Orientales Vivantes), çeli kursin e gjuhës shqipe dy herë në javë. Më 1921 u çel Qendra e Studimeve Shqiptare (Centre d’ Etudes Albanais) në Paris, e cila duhej të mbahej nga vetë studentët shqiptarë të Parisit. Më 1923 u çelën dy kurse: njëri në Romë me mësues Hamdi Kavajën (Istituto delle lingue slavi e orientali), tjetri në Beligrad, Universitet, në seminar të gjuhësisë shqipe, (Seminar za arbanasku filologjiju) ku botohej një përmbledhje studimesh (Arhiv za arbanasku starinu, jezik i etnologjiju), nga profesor Bariçi. Më 1925, pranë Universitetit në Leipzig, prof. dr. Gustav Weigand, themeloi seminarin shqiptar (Albanische Seminar), bashkë me një bibliotekë për studimet filologjike, historike dhe etnologjike të Shqipërisë, të drejtuara nga vetë ai, i cili botonte njëherë në vit Balkan-Archiv-ën. Interesi për shqipen ishte rritur. G. Weigandi shkruante: “Gjer më sot është besuarë se shqipja rrjedh nga ilyrishtja, dhe barra e këtij besimi i ngarkohet Gustav Meyer-it, kurse shumë prova na bëjnë të konsiderojmë Thrakët si paraardhës të Shqiptarëve…”. (Dituria mars 1927, nr. 5, f. 165).]
/Telegraf