E them çdo 7 mars, mësues sidomos mësuese, urime për festën e shkollës. Nuk është festa vetëm e mësuesit, por edhe e nxënësve, prindërve.
Mos merrni dhurata materiale, mos i pranoni, kthejini mbrapsht me ëmbëlsi, mos shkatërroni jo vetëm nderin tuaj profesional, por edhe figurën e mësuesit.
Bëjuni dhurata nxënësve sot, mos merrni, mos plaçkisni familjet!
Në asnjë vend të qytetëruar mësuesi nuk rrëmben gjoja dhurata nga nxënësit, buzëkuqë, brekë, orë të shtrenjta a të lira, këpucë, telefona, lekë në dorë, sepse ky është degradim moral i shoqërisë dhe i shkollës.
Nxënësit jua japin, por nuk ka të bëjë me rolin e ndritur të mësuesit, kur rriten a shkojnë në stade të tjera e kujtojnë kete xhest me neveri!
Është një vjedhje, hajdutëri, e fshehur gjoja pas respektit!
Fatkeqësi që nuk kemi sociologë. Të shkojnë në dyqane dhe të shohin sot si rritet shitja e buzëkuqëve, unazave, vëthëve, telefonëve, çorapeve, këpucëve, bojës së flokëve, kremërave, për të matur shkallën e korrupsionit pedagogjik në shoqërinë tonë!
Të lumtur shitësit! Siç thoshte Balzaku, taksat ushqehen nga vesi!
Po kur ka ca që nuk e meritojnë fare emrin e madh të mësuesit, që thonë: Epo lodhemi,ju japim dije, pagat i kemi të vogla, është rasti të na shpërblejnë pak familjet per punen qe bejme! U ngjajnë hajdutëve që vjedhin për të rritur rrogën!!!
Rrisin pagat e vogla me anë të rrjepjes së familjeve që kanë edhe më pak të ardhura se ata.
Pranoni vetëm një urim, një gjethe peme, një shtrëngim duarsh, një këngë, një fjalë, por mos hyni në moralin sundues të një plaçkitjeje masive, të ndyrë, të bekuar edhe nga institucionet, sepse torbat dhe qeset që keni në duar sot janë grushte që u jepni edukatës!
Unë sot botoj çdo foto ku paraqitjen mësues me torbat e qese dhuratash të ndyra!
M’i dërgoni! Faleminderit!