Melihate DEVA – NURA U lind në Mitrovicë në vitin 1924. Shkollën fillore dhe atë zejtare të femrave i kreu në vendlindje para Luftës së Dytë Botërore. Pas kapitullimit të Jugosllavisë, në Kosovë u hapën shumë shkolla shqipe. Edhe në Prefekturën e Mitrovicës (Mitrovicë, Vushtrri, Podujevë e Pazar të Ri) që i takonin zonës së pushtimit gjerman, u hapën dhjetëra shkolla shqipe. Më 1942, u organizua Kursi pedagogjik në Prishtinë, të cilin e ndoqi edhe Melihate Deva. Ajo menjëherë u emërua mësuese në shkollën fillore “Skënderbeg”, ku punonin edhe Lina Shkreli, Bedri Gjinaj, Ali Gaxha, Jorgji Shuteriqi, Gjon Kabashi e Zehra Zhubi. Kontributi i saj në arsimimin dhe edukimin e brezit të ri, sidomos në përfshirjen e femrave shqiptare të këtij mjedisi në shkollë, ka qenë shumë i madh.
Ajo u angazhua shumë edhe në organizimin aktiviteteve jashtëmësimore me nxënës. Pas Luftës së Dytë Botërore u emërua mësuese në Gjakovë, por shpejt organet e OZN-ës e burgosën për shkak të veprimtarisë së saj arsimore, kulturore e patriotike në Mitrovicë dhe rrethinë. U lirua nga burgu me “urdhër” që të vazhdojë të punojë në shkollat shqipe të organizuara nga “pushteti popullor”. Gjithnjë ishte e përcjellur dhe mbahej në shënjestër të organeve të pushtetit komunist. Sërish e arrestuan dhe e dënuan, por tash për “faje” politike të bashkëshortit të saj, Nevruz Nura. Pas lirimit të tij nga burgu, u shpërngulën në Gjilan, ku Melihatja punoi mësuese e punëtore në Shkollën e Amvisnisë. Në vitin 1958, u vendosën në Prishtinë. Aty punoi edukatore në foshnjoren e qytetit derisa u pensionua.
Me Dekretin nr. 811, dt. 11 prill 1994, presidenti i Shqipërisë, dr. Sali Berisha, e dekoroi Melihate Devën për meritat në hapjen e shkollave shqipe në Shqipërinë Veriore jashë kufijve politikë të vitit 1913 të shtetit shqiptar (në vitet 1941-1944).
Melihate Deva – Nura vdiq në Prishtinë.
Paulina – Lina SHKRELI – ÇUPËRJANI U lind në Mitrovicë më 1922 në familjen e njohur të Simon Shkrelit, e cila shquhej për bujari e nder, përkushtim kombëtar e atdhetari. Shkollën fillore dhe katër klasë gjimnaz i kreu në Mitrovicë në gjuhën serbe. Më 1941, kreu Kursin Pedagogjik në Prishtinë. Fill pas hapjes së shkollës fillore “Skënderbeg” në Mitrovicë, ajo, së bashku me Bedri Gjinajn, Melihate Devën, Ali Gaxhën, Ahmet Efendinë, Jorgji Shuteriqin etj., punoi mësuese, duke i vënë kështu themelet e arsimit shqip në këtë mjedis. Gjatë periudhës 1941-1944 Lina Shkreli, së bashku me nxënësit e mësimdhënësit e shkollës “Skënderbeg” si dhe me të rinjtë e qytetit zhvilloi një aktivitet të dendur kulturor-arsimor e artistik. Programet e pasura shfaqeshin jo vetëm në komunat që kishin mbetur në zonën gjermane të okupacionit (Vushtrri, Podujevë, Pazar të Ri), por edhe në qendra të tjera.
Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, fitores së komunizmit dhe ripushtimit të Kosovës, regjimi serb burgosi Lina Shkrelin dhe dy shoqet e bashkëveprimtaret e saj, Melihate Devën dhe Zehra Zhubin. Akuzoheshin se i kanë frymëzuar të rinjtë me ndjenja atdhetare, kanë qenë anëtare të Organizatës rinore shqiptare dhe bashkëpunëtore te Bedri Gjinajt, Abdyl Zhubit etj. Pas daljes nga burgu, Lina Shkreli u emërua mësuese në Gjakovë. Atje u martua me mësuesin patriot Gjergj Martini, të cilin një vit më vonë regjimi komunist jugosllav e dënoi me pushkatim vetëm se ka qenë anëtar i Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare, ka qenë një mësues i zellshëm e atdhetar i kulluar. Lina Shkreli sërish u përjashtua nga puna. U vendos në Prizreni ku, edhe pse sërish iu kthye dashurisë së saj të parë, detyres së edukatores, pati mjaft peripeci për shkak të biografisë.
Vetëm pas ngadhënjimit të demokracisë në Shqipëri dhe pavarësimit të shkollës shqipe në Kosovë, Lina Shkrelit dhe shumë mësuesve të tjerë iu njoht dhe iu nderua publikisht puna në fushën e arsimit.
Atë e dekoroi presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha me Dekretin nr. 811, dt. 11.IV.1994 për kontribut të madh që dha në shkollën shqipe në Shqipërinë Veriore dhe Lindore jashtë kufijve politikë të vitit 1913 të shtetit shqiptar në vitet 1941-1944.
Lina Shkreli vdiq më 30 qershor 2000. U varros me nderime të mëdha në Prizrenin e bukur.
Zehra ZHUBI U lind më l917 në Mitrovicë. Shkollën fillore dhe pesë klasë të shkollës zejtare (shkollë e punës për femra) i kreu në vendlindje. Më 1941 filloi punën mësuese në shkollën fillore “Skënderbeg”. Gjatë muajve korrik, gusht dhe shtator 1943, në grupin B, ku gjendeshin 38 kursistë nga Mitrovica, si Haki Ahmeti, Hajredin Sareçini, Sejdi Sulejmani, Nezir Halimi-Miftari, Nazim Dedolli, Qamil Demjaha, Reshid Damati, Bediha Korenica, Qemajl Mujku, Lejla Presheva, Behram Imeri, Rifat Mehmeti, Qazim Zhubi, Hateme Shala, Musa Kalaja, Ishak Sulejmani, Taip Perijuci etj., mbaroi Kursin e Dytë Pedagogjik.
Gjatë periudhës 1941-1944 Zehra Zhubi punoi me tërë qenien për t’iu ofruar nxënësve të saj njohuri sa më të mira për gjuhën, historinë, aritmetikën etj. dhe t’ua ushqejë ndjenjën e atdhedashurisë. Më 1945, për shkak të aktivitetit arsimor e patriotik të saj, u burgos me dy shoqet e saj, Melihate Devën dhe Lina Shkrelin. Më 1946 e transferuan në Prizren e pas një viti në në Kaçanik, ku punoi deri në vitin 1950. Shpesh udhëtoi për në Mitrovicë të Sremit për ta vizituar të shoqin, Abdyl Zhubin, i cili më 1945 ishte dënuar me 20 vjet burg, për çështjen e flamurit dhe aktivitetin patriotik gjatë periudhës 1941-44. U lirua më 1954 i rrënuar gati plotësisht nga shëndeti. Vdiq nga asma.
Me hapjen e shkollës fillore turke, Zehra Zhubi u kthye në vendlindje, në Mitrovicë. Një kohë ishte drejtoreshë e kësaj shkolle turke ku jepnin mësim: Sedat Talilxhiu, Xhafer Deda, Edibe Deda, Fatime Kimezyri, Jahja Kimezyri. Në këtë shkollë punoi deri në mbylljen e saj. Më 1989 Zehra Zhubi u shpërngul në Turqi ku ka jetuar deri vonë.
Biografitë janë shkruar nga prof. Fazli Hajrizi