“Excelsior” ka botuar të martën e 11 nëntorit 1913, në faqen 2, një shkrim në lidhje me udhëtimin e profesorit francez Jean Brunhes në Shqipëri dhe takimet (bisedat) e tij asokohe me Faik Konicën në Durrës, Gjergj Fishtën në Shkodër dhe Esat Pashë Toptanin në Reth, të cilin Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e sjellë për lexuesin shqiptar
[Bashkëpunëtori ynë i shquar z. Jean Brunhes, profesor i gjeografisë humane në “Kolegjin e Francës – Collège de France”, i cili vazhdon studimet e tij për vendet e Ballkanit, sapo është kthyer nga një mision i gjatë shkencor në Greqi dhe Shqipëri. Në çdo moment të historisë politike, grupet etnike në gadishull përballen me njëra-tjetrën – siç e kemi parë, natyrisht – në një pozicion dhe qëndrim të ri. Parashikimi i qëndrimit të së nesërmes është sekreti i të gjithë veprimeve efikase. Ne e dimë se me çfarë saktësie kishte planifikuar z. Jean Brunhes, tre muaj përpara, luftën e dytë ballkanike dhe fitoren e ushtrive serbe dhe greke. Ai tani përpiqet të na shpjegojë Shqipërinë e re, atë që nuk ekzistonte akoma pardje dhe dje; mund të jetë vendi dhe njerëzit, mbi të cilët janë publikuar informacionet më të gabuara dhe fantazuese. Pra, kjo ishte një arsye më shumë për të mbledhur këto informacione të dorës së parë dhe të freskëta.
Në Durrës, portin kryesor shqiptar, një qytet i vogël piktoresk që vjen nga Dyrrahu i lashtë i romakëve dhe që ende është i rrethuar nga muret e bukura veneciane – mezi prisja të takoja të shquarin dhe mikpritësin e madh Mehmet bej Konicën, por ai ishte larguar kur unë mbërrita me 16 tetor. Ai ishte larguar një ditë më parë për në Beograd, i ngarkuar nga miku i tij Esat Pasha me një mision gjysëm-zyrtar pranë qeverisë serbe: nga ky mision mund të dalë një afrim ose të paktën një “modus vivendi” i respektit të ndërsjellë midis Serbisë dhe Shqipërisë.
Pata, të paktën, fatin e mirë të bisedoja me vëllain e Mehmet bej Konicës (autori e ka fjalën për Faik Konicën). Ai është një ish-nxënës i Gaston Paris-it në “Kolegjin e Francës – College de France”; ai kishte ardhur për të ndjekur tek ne studime serioze filologjike, në mënyrë që të vinte në pah gjuhën dhe trashëgiminë e çmuar të legjendave dhe “folklorit” të vendit të tij. Ky shqiptar ende i ri, me mendje të ndritshme dhe të mprehtë, flet shumë mirë frëngjishten dhe disa gjuhë të tjera evropiane.
“Nëse doni të informoheni për përpjekjet që ne po bëjmë për të ndërtuar një Shqipëri që mendon dhe funksionon, shkoni të takoni, në Shkodër, një françeskan shqiptar, At Fishtën. Ai është poet, filolog, patriot…”.
NJË BASHKËBISEDIM ME AT FISHTËN
Unë i kisha dëgjuar vetëm emrin At Fishtës; por të dëgjoja lavdërimin entuziast për një murg françeskan nga një shqiptar mysliman shumë i arsimuar, më duk diçka e pazakontë, dhe, kështu, unë shkova për të parë At Fishtën në manastirin e tij françeskan në Shkodër. Një burrë i pashëm me një kokë të madhe, një shikim të drejtë dhe energjik, me flokë të zinj, fytyra e të cilit shpreh një forcë disi të çuditshme që i jep pamjen e një prifti me mustaqe që bien në sy, por pa mjekër. (Të gjithë priftërinjtë katolikë serbo-kroatë dhe shqiptarë kanë zakon të rruajnë mjekrën, por të mbajnë mustaqe.)
“Ne kemi bëri, deri më tani, vetëm një jetë individuale dhe krahinore… Lëruni shqiptarëve kohë që të japin provat e tyre… Për pesë shekuj, ne u braktisëm deri në tiraninë më të përçmuar dhe madje në barbarizëm… Gjuha jonë ishte e urryer; zakonet tona të vjetra luftoheshin; këto zakone të vjetra, këto “kanune”, unë do t’i botoj; ne do të shohim se cila ishte drejtësia jonë tradicionale, dhe fryma demokratike që ajo kishte… Ne duam së pari autonominë tonë intelektuale…”.
Ky njeri fliste me një bindje dhe besim të tillë sa që mora guximin t’i bëj një pyetje të drejtpërdrejtë: “Ju e dini se si priftërinj dhe murgj katolikë shqiptarë, ju shohin si agjentë të Austrisë…”