Nga Fitim Zekthi
Rezultatet e zgjedhjeve të para dy javëve po interpretohen në dy mënyra të ndryshme, nga me sa duket dy kategori të ndryshme njerëzish që mendojnë se këto zgjedhje u fituan qartë nga Partia Socialiste, pavarësisht çdolloj problemi në këto zgjedhje.
Të parët thonë se parregullsitë ishin jodomethënëse, se çdolloj blerje e votës ka qenë pa ndikim në rezultatin fundor, se Rama fitoi bindshëm, se Basha humbi thellë etj. Këta pranojnë, nga zori duket, se ka një ngërç me përdorimin e shtetit dhe të parasë, me fitoret e mandateve nga Partia Socialdemokrate apo nga fuqia elektorale e individëve të caktuar, por thonë se kjo nuk ka ndikuar në fitoren e PS-së.
Grupi i dytë thotë gjithashtu se në zgjedhje ka pasur blerje apo ka pasur ndikim të njerëzve që vijnë nga bota e krimit, por kjo nuk ka ndikuar në rezultatin fundor. Grupi i dytë përpiqet t’i shohë shkaqet e “humbjes së qartë të Bashës” dhe të “fitores së qartë të Ramës” te faktorë krejtësisht politikë si qeverisja, sjellja e liderëve, komunikimi politik i palëve etj.
Dallimi bazë i dy interpretimeve është se i pari mezi e pranon që ka pasur blerje të votës dhe ndikim të krimit, ndërsa i dyti e pranon lehtë. Dallimi më kryesor, megjithatë, është se interpretimi i grupit të parë thotë se Rama qeverisi mirë, hartoi një listë të mirë kandidatësh, qeveria e tij është më e mira e këtyre viteve etj., ndërsa Basha vinte nga gabime të rënda, ishte nën kontrollin e Berishës dhe Metës etj., ndërsa interpretimi i dytë thotë se Rama qeverisi keq, dështoi, pati korrupsion, por Basha dhe PD nuk bënë fushatë të mirë, kishin ekip të keq, vinin nga gabime të mëdha, nuk patën mesazhin që kërkonte populli, nuk sollën ide dhe program që t’i përballnin me qeverinë etj.
Nuk po marrin asfare në analizë nëse Rama qeverisi mirë në këto tetë vite, nëse kishte krim dhe korrupsion të rritur dhe të përkrahur nga pushteti, nëse Basha vinte nga gabime, nëse Rama diti të komunikojë ide dhe Basha nuk kishte ide, nëse Rama përballoi pandeminë apo jo, nëse Basha ndërtoi një narracion politik dhe e vuri atë përballë asaj që përfaqësonte Rama etj. Për arsye metode po shkojmë në ekstrem, ndoshta edhe në absurd dhe po i supozojmë të vërteta të gjithë argumentet e të dyja interpretimeve mbi arritjet e mëdha të Ramës dhe mbi pafuqinë PD-së për të prodhuar ide, fushatë, narracion etj.
Gjëja e parë shqetësuese e këtyre interpretimeve, sidomos i pari, është se ato pranojnë si normale blerjen e votës apo përdorimin e pushtetit, futjen në Parlament të njerëzve apo partive që botërisht kuptohet se kanë përdorur mjete apo fuqi të paligjshme. Për ta, në njëfarë mënyre, kjo gjë mund të tolerohet dhe zgjedhjet nuk e humbasin legjitimitetin nëse paraja apo krimi blen pak vota, blen aq sa nuk ndikon fitoren e njërës palë.
Kjo është e papranueshme. Këto vota janë blerë jo në mënyrë sporadike apo spontane nga individë që kanë dalë nga kontrolli vetvetiu dhe qeveria, shteti, institucionet kanë luftuar me ta. Këto vota janë blerë me dijeni dhe tolerim së paku nga qeveria dhe institucionet. Edhe vetëm për kaq të gjithë duhet të buçasin kundër këtyre zgjedhjeve dhe kundër pushtetit.
Gjëja e dytë e rëndë e kësaj analize është se ajo duket se qëllimisht e redukton manipulimin e zgjedhjeve në një masë të tillë, duke e quajtur atë pa ndikim në rezultat duke lënë mënjanë qëllimisht masën e vërtetë dhe argumentet për përhapjen masive të manipulimit.
Manipulimi i zgjedhjeve ka qenë masiv për disa arsye që janë të dhëna të dukshme për këdo. Partia Socialdemokrate ka marrë tri mandate, dy në Shkodër dhe një në Tiranë. Këto mandate duket se janë të blera sepse kjo parti nuk ka marrë asnjë të dhjetën e votave të Tiranës në Korçë apo Durrës, në Fier apo Vlorë. Kjo nuk është ndërkohë një parti me vokacion lokal. Sigurisht, as kombëtar. Partia nuk ka as ligjërim publik, as program, as njerëz të pëlqyeshëm nga populli. Pse u votua atëherë?
Veç kësaj, kjo parti ka marrë në mënyrë kirurgjikale 35-40 vota në çdo qendër votimi në Shkodër. Në çdo lagje nga Ajasëmi te Zdralja apo Gjuhadoli vihet re i njëjti rezultat. Ky rezultat vihet re edhe në zonën e nën Shkodrës apo në Malësitë e Kelmendit, Shkrelit, fshatrat e Koplikut etj. Pse ky uniformitet i thellë PSD-së, ndërkohë që PD, PS dhe LSI kanë luhatje të mëdha nga një qendër në tjetrën?
Edhe në Tiranë ka pellgje të mëdha ku kjo parti ka marrë në mënyrë kirurgjikale kuti pas kutie votimi 10-15% të votave, ndërkohë që ka pellgje ku ajo nuk merr fare vota. Për shembull, Zall Bastari apo Alliasi dhe zona e Shkozës kanë një prani të PSD-së shumë të lartë ndërsa njësia 8, njësia 4, njësia 7 , njësia 6 etj. nuk kanë fare.
Gjithashtu, edhe kandidati i renditur i 30- ti në listën e PS-së merr në mënyrë kirurgjikale vota në mënyrë të njëtrajtshme kuti pas kutie në Kavajë, Rrogozhinë, Vorë, Allias dhe zona të tjera në Tiranë. Një djalë i panjohur 27-vjeçar mundi gati të gjithë figurat e PS-së nga Majko te Kodheli. Ai nxori nga Parlamenti kryetarin e PS-së Tiranë, Ervin Bushati.
Të gjithë kandidatët e akuzuar për lidhje me trafikun kanë pasur rezultat shumë të lartë. Në Durrës, deputetët Cyrbja, Ndaxhi, vijon nga faqja 1 Rraja janë ndër kandidatët më të votuar në rang kombëtar. Edhe ata marrin vota në mënyrë kirurgjikale, në mënyrë të njëtrajtshme kuti votimi pas kutie votimi, ndërkohë që kandidatë të tjerë shumë politikë, përfshirë ministrat, marrin në pjesën dërrmuese shumë më pak vota se ata.
Në matematikë gjendet një ligj që njihet si ligji Benford ose ligji i numrave jonormalë. Ai mban emrin e matematikanit Frank Benford dhe përshkruan ose tregon frekuencën e shifrës së parë të të dhënave numerike të bashkësive apo ndodhive të ndryshme nga jeta e përditshme. Sipas këtij ligji, mundësia që shifra e parë e një numri apo e një vargu numrash që pasqyron një bashkësi ndodhish apo një fenomeni të jetë 1 është 30%, mundësia që kjo shifër e parë të jetë 2 është 17%, mundësia që kjo shifër të jetë 3 është 13% e kështu me radhë deri mundësia prej 5% që ajo të jetë 9. Ky ligj përdoret shumë, sidomos në SHBA, për të gjetur evazionin fiskal ose anomalitë në pagimin e taksave, në pastrimin e parave në banka. Nëse frekuenca e shifrave të para nuk është sipas ligjit të Benfordit, atëherë diçka e keqe ka ndodhur.
Po të shohim rezultatin e PS-së sipas çdo zone zgjedhore apo sipas çdo KZAZ-je, do vërejmë një çmenduri. Vetëm ligj të Benfordit nuk ka aty. Shifrat e para shfaqen në mënyrë krejt të kundërt. Më shumë ka shifra 2 dhe 3 se sa 1. Kur të zbardhë KQZ të dhënat për çdo qendër votimi, atëherë kjo do të duket më e qartë. Partia Socialiste në Tiranë, Elbasan Durrës ka zhdukur çdo koncept të ligjit Benford dhe ka ndërhyrë fuqishëm në rezultat me faktorë jopolitikë. Edhe në Shkodër, Lezhë, Dibër ka pasur ndërhyrje të forta nga PS-ja. Edhe këtu ligji Benford është shkatërruar nga blerja e votës.
Po të hedhim një sy të shpejtë, do shohim se në Durrës PS-ja është rritur me rreth 3 mijë vota krahasuar me vitin 2017, në Berat ka rënë me rreth 2 mijë 700 vota, në Tiranë është rritur me rreth 26 mijë vota, në Elbasan është rritur me 14 mijë vota, në Korçë ka rënë me 2 mijë vota, në Kukës ka rënë me 3 mijë vota, në Shkodër ka rënë me 9 mijë vota, në Lezhë ka rënë me 3 mijë vota, në Vlorë ka rënë me 6 mijë vota etj.
Pse PS-ja është rritur në Durrës me 3 mijë vota, aty ku ndodhi tërmeti, në Durrës që është një qark ku e djathta është gjithnjë mirë? Pse PS-ja ka rënë në Korçë me 2 mijë vota p.sh. apo pse ka rënë në Vlorë me 6 mijë vota, ku PS-ja gjithmonë shkëlqen? Sepse në Durrës kandidonin njerëz që u përmenden më lart, u ndanë para nga tërmeti, ishin në fushatë njerëz të botës së krimit. Si shpjegohet rritja në Durrës ku ka pllakosur mjerimi nga tërmeti dhe rritje me 3 mijë vota në Kukës ku Rama ndërtoi aeroport?
Por shifra më domethënëse është Elbasani. Në Elbasan PS-ja është rritur me rreth 14 mijë vota nga 72 mijë në 86 mijë vota. Elbasani jeton në mjerim dhe papunësi, nuk ka asnjë investim të huaj, asnjë gjallim të jetës ekonomike apo sociale. Në Elbasan kjo rritje vjen nga fuqia e pazakontë e krimit. Pse në Fier, në qarkun më të fuqishëm të PS-së, ku u ndërtua edhe një spital i madh dhe modern, PS-ja humbi në mënyrë dramatike 13 mijë vota? Në Fier, PS-ja nuk ka pasur kandidatë dhe mbështetje nga grupe si në Elbasan apo në Durrës. Është kaq e thjeshtë.
E gjitha kjo ndodh sepse Shqipëria është një autoritarizëm elektoral, një vend në të cilin, siç thotë Andreas Schedler i universitetit të Vjenës, zgjedhjet shërbejnë vetëm për të riprodhuar dhe legjitimuar pushtetin dhe jo si instrument demokracie. Ky autoritarizmi ynë ka ndërtuar një regjim neopatrimonialist, me anë të të cilit ka marrë jetë një marrëdhënie padron-klient apo një marrëdhënie hierarkike varësie nga Kryeministri te fshatari më i humbur i fshatit më të humbur. Kjo bëhet duke përdorur burime e shtetit, të mira publike, para të pista, njerëz me fuqi për dhunë, të cilat kontrollojnë, kërcënojnë apo shantazhojnë për bukën e gojës, për vendin e punës apo për mbijetesë shumicën e popullsisë. Kjo gjë te ne është dukshëm funksionale teksa PS-ja e Ramës nuk është më asfare një Parti Socialdemokrate, por një grupim pushteti pa ide dhe pa ideologji, ku një triadë interesash merr vendimet. Kjo triadë përbëhet nga një vijë e hollë politike që vjen nga “Mjaft” apo nga shoqëria civile, njerëz pa ideologji ose njerëz që zgjedhin çdo ideologji që iu duhet nga ekstremi liberal tek ekstremi socialist, por në tërësi relativistë, përbëhet nga një pjesë e krimit të organizuar dhe nga një pjesë e bizneseve klienteliste që marrin leje, favore, koncesione etj. Kjo triadë është PS-ja dhe kjo ka në dorë regjimin neopatrimonialist.
Ky mekanizëm i ka manipuluar zgjedhjet qartësisht dhe në masë dërrmuese. Përpjekja e qeverisë për të mos pranuar asgjë nga kjo, ose përpjekja e shumëkujt në jetën publike për të thënë se manipulimi ka qenë i vogël dhe pa ndikim dhe përpjekja për të gjetur arritje te Rama dhe dobësi te Basha në funksion të mbrojtjes së fitores së PS-së është vetëm normalizim i së pamendueshmes. Këtë koncept e përdorin sociologët dhe antropologët për të treguar atë që bëjnë regjimet kriminale e sidomos ato totalitare për të “normalizuar”, për të shndërruar në normale atë që ndodh në kampet e përqendrimit apo në dhjetëra akte të tjera krimesh. Në ato regjime edhe e keqja më e madhe normalizohej nëpërmjet një procesi të gjatë burokratik, por edhe nëpërmjet propagandës së pandalur./panorama