Atë e quajtën figura më provokuese dhe metodologjikisht rebele në historiografine e rajonit. Mllefi ndaj ti, ende sot eshte i papermbajtshëm, por e vërteta në pohimet e tij është verifikuar shkencërisht. Elias Petropoulos në veprën e tij monumentale “Fustanella” (1987) nuk mjaftohet me një përshkrim folklorik; ai kryen një “autopsi” politike mbi veshjen që sot konsiderohet “simboli suprem i helenizmit”. Teza e tij është sa e guximshme, aq edhe e dokumentuar: Fustanella nuk është një produkt i vazhdimësisë antike greke, por një trashëgimi e pastër arvanitase, e përvetësuar nga shteti modern grek përmes një procesi që ai e quan hapur “vjedhje kulturore”.
Djepi arvanitas: Nga veshja kombëtare te “mësymja” në More
Petropoulos është taksativ në përcaktimin e tij etno-kulturor. Në faqen 9 të veprës së tij, ai deklaron pa dorashka: “Për të qenë të saktë, fustanella është veshja kombëtare e arvanitasve.” Ky pohim godet në zemër narrativën zyrtare të Athinës, e cila është përpjekur ta paraqesë këtë veshje si një evolucion natyror të veshjeve helene.
Sipas autorit, përhapja e fustanellës në jugun e Greqisë, specifikisht në More (Peleponez), nuk ishte një proces organik asimilimi, por rezultat i drejperdrejte i “mësymjes arvanitase”. Ky migrim dhe dominim luftarak i elementit shqiptar bëri që veshja e tyre të kthehej në standardin e rezistencës dhe identitetit rajonal. Petropoulos citon ikonografinë e kohës (si ajo e vitit 1895) për të ilustruar se figurat mitike të “kleftëve” (luftaraktëve të malit) nuk ishin gjë tjetër veçse “kleftë arvanitas”.
Kirurgjia e shtetit: Si u shndërrua “Vjedhja” në simbol zyrtar
Një nga pikat më interesante të analizës së Petropoulos-it është procesi i institucionalizimit të fustanellës. Ai argumenton se shteti grek, në kërkim të një identiteti vizual pas pavarësisë, “vuri dorë” mbi veshjen kombëtare të arvanitasve.
Në faqen 13, ai e cilëson këtë si një akt të mirëfilltë rrëmbimi: “Siç thashë, fustanella është produkt vjedhjeje.” Ky transformim nuk erdhi pa ndryshime. Për të krijuar “Gardën Mbretërore” (Evzonët), elita greke e asaj kohe, e ndikuar nga modelet evropiane (si anglezët dhe korpusi Brunswick Black), e standardizoi fustanellën, duke i dhënë asaj një pamje artificiale dhe pompoze që ndryshonte nga varianti origjinal arvanitas.
Arvanitasit: Forca e padukshme pas gjuhës dhe identitetit
Petropoulos shkon përtej rrobës, duke depërtuar në strukturën e shoqërisë greke. Ai propozon një teori të “historisë së fshehur”, ku pas çdo fasade të shkëlqyer kombëtare, qëndron elementi shqiptar. “Historia e gjuhës sonë dhe e fustanellës është mjaftueshëm e qartë, sepse pas tyre janë të fshehur arvanitasit,” shkruan ai (f. 12).
Autori vëren me ironi se edhe vetë “pastërtia” e gjuhës greke që dëgjohej në rrugët e Athinës ishte e ndikuar nga ky element. Ai përmend se “mangët” (rrugaçët e vjetër dhe rebelët urbanë të Athinës) flisnin greqishten më të bukur fonetikisht, pikërisht sepse ishin me origjinë arvanitase. Ky paradoks tregon se arvanitasit nuk dhanë vetëm gjakun për pavarësinë, por edhe formën estetike dhe gjuhësore të shtetit që më vonë do t’i mohonte.
Masakra e Arachovës: Një Luftë “Vëllavrasëse” e përdorur nga politika
Në fragmentet më tronditëse të dokumentit, Petropoulos ndalet te Beteja e Arachovës. Përderisa historia zyrtare e glorifikon këtë si një triumf madhor grek nën udhëheqjen e Karaiskakis-it, Petropoulos e zhvesh atë nga miti. Ai e quan atë një “makabritet arvanito-arvanitase”, ku shqiptarët luftonin kundër shqiptarëve, një tragjedi që u shfrytëzua me mjeshtëri nga udhëheqësit si Karaiskaqi për të konsoliduar pushtetin e tyre.
Subversioni si mjet për të vërtetën
Elias Petropoulos në “Fustanella” nuk kërkon thjesht të bëjë historiografi, por të provokojë një reflektim mbi atë që ai e konsideron hipokrizinë e elitave greke. Duke treguar se si veshja e thjeshtë e fshatarëve dhe luftëtarëve shqiptarë u shndërrua në një uniformë oborri dhe simbol mbretëror, ai na kujton se identitetet kombëtare janë shpesh konstrukte të ndërtuara mbi harresën e qëllimshme.
Për lexuesin modern dhe studiuesin akademik, vepra e Petropoulos-it mbetet një udhërrëfyes i rëndësishëm për të kuptuar peshën e jashtëzakonshme të elementit arvanitas në formësimin e asaj që sot njihet si “Greqia moderne”. Përgatiti Elis Buba / usalbanianmediagroup.com
———————–
Sipas studimit: “Η φουστανέλα” Ηλίας Πετρόπουλος Elias Petropoulos, January 1, 1987







Year unknown.
















