Vritet nënkomisari i policisë në Lezhë. Saimir Hoxha dyshohet se u vra në momentin kur ishte duke kontrolluar në zonën e Kune-Vain për parcela të mbjella me kanabis.
kzekutohet në një kanal në zonën e njohur si Ishull Lezhë, nënkomisari i Policisë së Shtetit, Saimir Hoxha. Ngjarja e rëndë ka ndodhur paraditen e sotme. Burime për Dosja.al bëjnë me dije se 44-vjeçari ishte pjesë e një grupi që po patrullonte për të kontrolluar territorin nëse ishin mbjellë parcela me kanabis. Hoxha po kontrollonte për kanabis në zonën e mbrojtur Kune-Vain, në momentin që është qëlluar nga persona ende të paidentifikuar. Policia e Shtetit ka shpallur në kërkim si autorin e ngjarjes 21-vjeçarin Aldo Rama. I riu, i dënuar më herët për prodhim dhe shitje droge dhe mbajtje e armëve të ftohta, akuzohet se është personi që qëlloi për vdekje nënkomisarin Hoxha.
Si ndodhi vrasja? Një grup kontrolli i ngritur nga Policia e Shtetit është nisur drejt zonës së Mbrojtur të Kune-Vain pas disa informacioneve të verifikuara se në zonë ishte mbjellë kanabis. Bashkë me ta ishte edhe polici që mbeti i vrarë.
Ata kanë shkuar për kontroll dhe kanë rënë pre e një sulmi me të shtëna. Për pasojë është plagosur nënkomisari 44-vjeçar, Saimir Hoxha. Disa minuta pasi është qëlluar, kolegët e tij e kanë gjetur në kanal pranë Ishull Lezhë. Menjëherë është bërë transportimi i tij për në spital, por për fat të keq, nuk ka mundur të shpëtojë.
Sakaq, disa persona janë shoqëruar nga Policia e Shtetit në Komisariatin e Lezhës për tu marrë në pyetje si persona që kanë dijeni për ngjarjen. Në kërkim është shpallur Aldo Rama, ndërsa ende po hetohet për grupin e trafikantëve që kanë mbjellë kanabis në këtë zonë.