E diel, 1 Dhjetor, 2024
Kontakt: info@usalbanianmediagroup.com

Edi Rama: “Latinët, grekët dhe deti në mes”

Nga Edi Rama

Ignorantia non est argumentum, padituria nuk është argument thonë latinët.

Por fatkeqësisht sot, në kohën kur informacioni filtrohet gjithnjë e më pak në sitën e të vërtetës; kur çdokush mund të hedhë çfarë t’i teket në rrjetin mediatik të ajfonit të vet dhe kur lumenjtë e informacionit sjellin me furi gjithëfarësoj lajmesh të vërteta e të rreme përzier; kur e vërteta dhe rrena e kalojnë njësoj lumin dhe kur për më tepër, mjedisi politik është infektuar keqaz, botërisht, nga virusi i shpifjes – fake news – padituria nuk luftohet më si më parë, po ushqehet gjithnjë e më shumë, sipas interesave të informatorëve të të gjitha niveleve e kategorive.

Rast tipik “falja e detit grekut”, “marrja e detit nga greku”, “ikja e detit tek greku”, që është kthyer si ato këngët e vjetra që ringjallin emocione sa herë na dalin në youtube, pavarësisht se është një sajesë e vjetër tanimë, qyshse negociatat tona me palën greke po materializoheshin në një dokument konkret, bazuar mbi normat ndërkombëtare dhe të drejtën e detit.

Deformimi skandaloz që iu bë asokohe një deklarate publike të Ministrit të Jashtëm grek për “zgjerimin nga 6 në 12 milje të ujrave detare të Greqisë” dhe sulmi i orkestruar kundër marrëveshjes së re për detin, ishte tipik rasti i ushqimit të paditurisë si argument me helmin e nacionalizmit. E njëjta deklaratë, krejt korrekte, e kryeministrit Micotaqis këto ditë, po ushqen përsëri padinë si argument tradhëtie të qeverisë sonë!

E vërteta është e thjeshtë. Kufiri detar nuk është si gardhi mes dy shtëpive dhe kur autoritetet greke thonë do zgjerohemi nga 6 në 12 milje, kjo nuk nënkupton se Greqia do gllabërojë ujrat territoriale shqiptare, por se thjesht shteti fqinj po ushtron të drejtën që buron nga Konventa e të Drejtës së Detit, miratuar në Montego Bay në vitin 1982. Sa për dijeni të njëjtin zgjerim, në ushtrim të së njëjtës të drejtë, Shqipëria e ka bërë dhe e ka depozituar në mars të vitit 1990 në Kombet e Bashkuara, çka nuk është kontestuar asnjëherë nga fqinjët tanë dhe qëndron në fuqi sot e përgjithmonë. Kjo e drejtë e jona, nuk është çështje negociate dhe negociatat për delimitimin e hapësirave detare nuk e cënojnë dot assesi të drejtën në fjalë. As për Shqipërinë, as për Greqinë.

Arsyeja pse nxitësit e sulmit kundër marrëveshjes sonë me Greqinë, e cila ende mbetet për t’u kryer në frymën e dialogut dhe të qasjes konstruktive nga të dyja palët, nuk e duan marrëveshjen, s’ka asnjë lidhje me të vërtetën e marrëveshjes. Ajo është thjesht, vetëm dhe mjerisht arsye lufte për pushtet.

Por një gjë është e sigurtë dhe nuk e luan as topi: Ignorantia argumentum non est. Padituria nuk është argument. Nuk është as faj për sa kohë nuk përdoret si argument. Prandaj kushdo që është i interesuar për këtë çështje, s’ka pse bëhet bashkëfajtor me ata që detin e duan kos për orekset e tyre politike dhe që pa pikën e turpit, ushqejnë paditurinë me helmin e nacionalizmit. Por duhet t’i referohet burimeve serioze të informacionit e jo gojës së sharlatanëve politikë e të karagjozëve digjitalë, duke u mbrojtur nga virusi i shpifjes me maskën e dijes. Dhe nëse do t’i bjerë shkurt, duhet ta mbledhë mendjen mirë për një fakt: Unë dhe Partia Socialiste, mund të kemi shumë të meta, mund të bëjmë plot gabime, por kurrën e kurrës nuk e përdorim pushtetin në dëm të interesit kombëtar! Ky virtyt e ka karakterizuar këtë parti qysh ditën e lindjes së saj dhe ndryshe nga të tjerët, të cilët nga padituria apo babëzia ose nga të dyja bashkë, e kanë cënuar më shumë se njëherë interesin kombëtar në këto 30 vjet pluralizëm demokratik.

Nga Edi Rama në profilin e Facebook

Të Ngjashme

Shkrimi Vijues

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Mirë se Erdhe!

Hyni në llogarinë tuaj më poshtë

Merrni Fjalëkalimin

Ju lutemi shkruani emrin e përdoruesit ose adresën e emailit për të rivendosur fjalëkalimin tuaj.

Add New Playlist