E shtunë, 27 Korrik, 2024
Kontakt: info@usalbanianmediagroup.com

Buxhovi: Kosova në konceptim tim është histori e Shqipërisë së natyrshme

Profesori i njohur, Jusuf Buxhovi, tha se çdo gjeneratë ka të drejtë të rishqyrtojë historinë për t’u njohur me rrethanat e panjohura të saj.

I pranishëm në emisionin “Pushteti” me gazetaren Juela Meçani në Fax News, Buxhovi tha se historia është një certifikatë për shtetin dhe kjo sipas tij e ka shtyrë të shkruajë veprën e tij në lidhje me historinë e Kosovës.

Ai theksoi se historia e Kosovës është histori e natyrshme e Shqipërisë, si në konceptin e hapësirës ashtu edhe atë të kohës.

“Çdo gjeneratë ka të drejtë të rishqyrtojë historinë. Historia e një shtetit është certifikatë e atij shteti. Kosova në konceptim tim është histori e Shqipërisë së natyrshme në hapësirë dhe në kohë”, tha ai.

Profesori theksoi se Serbia e ka falsifikuar historinë në raport me shqiptarët, ndërsa vepra e tij shtoi ai ka hasur në kritika të forta nga Beogradi.

Ai kritikoi partitë politike të Kosovës, të cilat sipas Buxhovit e kanë pranuar të shpallin Kosovën shtet të pavarur pa histori.

“Serbia në 100 e sa vjet ka krijuar biblioteka me histori hegjemoniste. Ata e kanë falsifikuar historinë. Klasa politike që ka ardhur në pushet pas luftës ka qenë e papërgjegjshme në këtë drejtim. Janë bërë kompromise që ta shpallin Kosovën shtet pa histori”, shtoi ai.