Ish-kryeministri Sali Berisha ka shpjeguar edhe njëherë tjetër incidentin e ndodhur një ditë më parë në Kuvend, mes tij dhe Enkelejd Alibeajt. Berisha tha se Alibeaj u përdor nga mazhoranca.
Ai shtoi se jo vetëm për së gjalli, por edhe për së vdekuri e mund Edi Ramën, për këtë arsye sipas ish-kryeministrit, kreu i qeverisë është në panik.
“Dua të sqaroj me ju dhe shqiptarët se ç’a ndodhi dje në parlament. Në një kurth banal, Edi Rama, për të më privuar nga e drejta e replikës, për diskutimin e tij, keqpërdori Enkelejd Alibeajn për të dytën herë në mënyrën më të pa mëshirshëm. Edi Rama foli dhe gjatë fjalimit të tij lakoi emrin tim me dhjetëra herë. Rregullorja e Parlamentit përcakton të drejtën e replikës. Ajo e drejtë, ushtrohet menjëherë pas folësit. Në këtë kontekst vetëkuptohej që e drejta e replikës, më takonte mua. Çfarë bënë? Nxorën me vrap veglën e tyre në një akt të turpshëm që quhet opozitar të bllokojë foltoren që të mos flisja.
Kush ndërhyri, ju e patë? Ndërhyri Tulant Begoja, haptas, në mbrojtje të një njeriu të keqpërdorur. Fjala, para atij që do të bëjë diskutimin i takon atij që ka replikën. I takonte Sali Berishës. Për të mbrojtur padronin e tij, Edi Ramën duhet ta merrte ai fjalën. Ai shkoi dhe zuri vendin. Njeriu që reagoi fuqishëm ishte Balla. Ai shkoi deri aty sa kërkoi 5 minuta pushim. Unë dua t’ju sqaroj se kjo s’ishte hera e parë. Para një muaji në mënyrë ë neveritshme u përsërit i njëjti skenar. Foli, m’u caktua emri dhe nisën të merrnin fjalën për replikë. Balla, i drejtohet drejtueses së seancës se fjalën e ka kryetari i grupit. Ky ran ë vështirësi dhe ia kalon Tabakut fjalën.
Ajo s’mori përsipër të shkelte. Unë e kalova, mendova që ai do të kuptonte. Cdo njeri ka sedër, dinjitetin e tij. Kur e bëri dje pastaj, natyrisht do i jepja përgjigje. Replika është replikë. Kryetarja e parlamentit duhet të drejtojë me rregullore parlamentin. Ka shkelur rregulloren, por e kam kursyer se është zonjë. Por nëse vazhdon të behet pjesë e kurtheve të turpshme edhe ajo do të marrë përgjigjen që meriton, gjë që s’dua. Ajo e dinë që pas folësit që ka cituar, kanë radhën ata dhe jo diskutanti.
Diskutanti merr fjalën pasi përgjigjen ata. Ajo në të dyja rastet mbajti këtë qëndrim. Parlamenti duhet të drejtohet duke zbatuar rregulloren. Asgjë s’më pengon mua t’i jap përgjigje të merituara Edi Ramës. Ngjyrë limoni i kishte rënë në fytyrë, i dridhej zëri, fliste sikur po dilte nga shtëpia e të vdekurve. Unë kundërshtar e kam, por prapë nuk humbas ndjenjat njerëzore. Uroj të gjej kurajo se atë e ka kapur një panik i vërtetë. E vërteta është që demokratët do e mundin. Jo për së gjalli, por edhe për së vdekuri e mund atë”, tha Berisha.