Në fillim të viteve ’20, kur shtypi shqiptar po përjetonte një prej kohëve më të gjalla të historisë së tij, një nismë e veçantë do t’i shërbente jo vetëm shtypit, por edhe vetë kujtesës historike të kombit. Në mars të vitit 1924 u botua numri i parë i revistës “Dokumente Historike”, një botim i përmuajshëm i drejtuar nga Lef Nosi, që synonte të sillte në dritë dokumente origjinale të Rilindjes Kombëtare dhe të viteve të para pas shpalljes së pavarësisë.
Nuk ishte thjesht një revistë. Ishte një përpjekje për të shpëtuar nga harresa një pasuri dokumentare që rrezikonte të humbiste në duar private apo në kohë të paqarta arkivash. Vetë Lef Nosi, në parathënien e numrit të parë, e shpjegon këtë nismë si një detyrim ndaj historisë: dokumentet që i kishin rënë në dorë, theksonte ai, përbënin një “visar të paçmueshëm” të Rilindjes sonë Kombëtare dhe duhej të botoheshin para se koha t’i zhdukte.
Kështu, për rreth dy vite, faqet e kësaj reviste me 36 faqe u shndërruan në një arkiv të vogël publik, ku historianët dhe studiuesit mund të gjenin materiale të dorës së parë për një nga periudhat më vendimtare të shtetformimit shqiptar: vitet 1912–1914 dhe zhvillimet që pasuan shpalljen e pavarësisë. Në një kohë kur shtypi shqiptar po zgjeronte horizontin e tij dhe po fitonte identitet sipas standardeve evropiane, “Dokumente Historike” mbeti një ndër përpjekjet më serioze për ta lidhur gazetarinë me ruajtjen e kujtesës kombëtare.
Revista “Dokumente Historike”, drejtuar nga Lef Nosi, numri i parë i së cilës daton më 1 mars të vitit 1924. Për rreth 2 vite në këtë revistë me 36 faqe, u botuan dokumente origjinale të historisë së Shqipërisë gjatë Rilindjes dhe sidomos për peiudhën 1912-1914, pas shpalljes së pavarësisë, me një rëndësi të veçantë për historianët.
Në numrin e parë të revistës, Lef Nosi boton një parathënie, në të cilën rendit arsyet pse vendosi ta botojë këtë revistë.
“Dokumenta Historike. Për ti shërbyer historisë tonë kombëtare.
Parathënie:
Rastet e mira edhe kujdesi që kam pasun, u banë shkak me futë në dorë dal nga dalë, nji numër të madh dokumentesh, të cilat janë një visar i pa çmueshën i Rilindjes tonë Kombëtare.
Nga frika, se po të mos botohen me kohë mund edhe të humbasin, vendosa me i qitë në dritë, me anë të kësaj fletoreje të përmuajshme. Kjo mënyrë mu duk ma e arsyeshme, sepse besoj se kështu mund të dalin në dritë edhe dokumente të tjera, që gjenden ndër duar zotnijsh, të cilëve, edhe mos paçin qënë të interesuem si un, e ka sjellë puna me iu ranë në dorë.” shkruan Lef Nosi në editorialine n umirt të parë të revistës “Dokumente Historike”, në mars 1924.
Kjo revistë e përmuajshme u botua për rreth dy vite, duke krijuar një ndër fondet më të rëndësishme të arkivës së dokumenteve historike të Shqipërisë. Lef Nosi ishte firmëtar I pavarësisë. Ai do të ishte një ndër të shumtit firmëtarë të pavarësisë që do të shpallej armik nga diktatura komuniste. Lef Nosi u dënua me pushkatim dhe u ekzekutua në shkurt të vitit 1946, u sekuestra arkiva e tij për të zhdukur dokumente historike me vlerë dhe për ti manipuluar një pjesë tjetër në funksion të regjimit. /Përgatiti Luljeta Progni























