Klarinetisti Josif Shukallari në festiovalin Ballkan Trafik 2012 Bruksel
Fundi i vitit po afron dhe me këtë rast edhe artistët krijues e interpretues të trashëgimisë sonë kulturore bëjnë bilancin e punës së tyre duke evidentuar e inkurajuar ato vlera që sollën në skenë apo në veprimtaritë kombëtare e ndërkombëtare. E ndërsa po mendoja të sillja në mendje disa prej tyre veçanërisht në ato veprimtari ku është pjesë edhe CIOFF Albania,më doli parasysh klarinetisti i Sazeve të Përmetit “ Mjeshtër i madh “, miku im Josif Shukallari, të cilin e kam parë të jetë shumë aktiv ne dhjetra veprimtari promovuese i cilësuar nga media e specialistë të muzikës si një ndër klarinetistët me të talenruar të Jugut shqiptar .Duke qënë se që të dy jemi disi larg nga Atdheu, telefoni në këto raste të sjell më afër e ta bën informacionin më konkret,andaj e ngrita smartfonin tim dhe shënova emrin e tij . Dëgjoja zilen që binte dhe parafytyroja se ku mund të ndodhej ai në këto ditë fund dhjetori, kur koha ka filluar të ftohet dhe erërat e forta që zbresin nga malet e Pindit gjer në fushë të Janinës apo luginën e Vjosës, mbase edhe ia vështirësojnë punën e tij të përditëshme. Sa dëgjova zërin e tij që po ekuilibrohej disi nga largësitë ,ndjeva nga afër atë të qeshurën e tij të shkujdesur dhe si gjithmonë nuk harron të përgjigjet i pari e të më thotë .
-Hë mo drejtor , ç’kemi ? ( këtë fjalën drejtor e ka nga kohët e herëshme që kur jemi njohur dhe ai erdhi dhe u bë pjesë e formacionit të sazeve të Shtëpisë së Kulturës në Përmet,kur unë isha drejtor i saj, dhe e ka të vështirë tani ta evitojë .
E pyes se ku eshte, nga bëhet e ku ndodhesh në këto ditë dhjetori.!? Dhe ai ca prej vërteti e ca si më të qeshur ma kthen . -Ku ndodhem thua ? Po në sinoret e Epirit jam, me punë e me halle, por dhe me klarinetën pranë .
-Po si ta kuptoj këtë tog fjalësh sinoret e Epirit , ma çkoqit sadopak .
Dhe ai më thotë me fjalët e tij që shkuan pak gjatë dhe unë po mundohem t’i hedh në këtë shkrim ashtu sikundër m’u përgjigj ai . – Dëgjo drejtor. Unë që këtu ku jam kur ngrihem në mëngjes dhe dal në oborrin e shtëpisë sytë pa dashur më shkojnë pak larg dhe e ndalin shikimin tek Melesini, mali i Leskovikut që ka edhe këngë për të ashtu sikundër ka për Leskovikun. Dhe sigurisht vetëtimthi më vinë në mendje e më sjellin shumë afër sazet e Leskovikut , Asllanin, Selimin, Ajdinin e bashkë me ta edhe Hafizeja e famëshme si këngëtare e madhe që kudo ku shkuan e kënduan mbajtën me vete si një gur të çmuar atë që u mungonte , emrin e qytetit të tyre, Leskovikun. Kabate Selim Leskovikut dhe këngët e Hafizesë më gjallërojnë shpirtin. Pastaj shikimi kalon majtas, merr rrugën e Vjosës që përplaset nëpër gryka e shkon drejt Përmetit dhe veç ujit e gurëve që zbresin nga malet e burimet e Pindosit,merr me vete edhe lavdinë e atyre sazeve të Leskovikut e duket sikur i thërret usta Laverit me shokë që të dalin e t’i mbledhin ato avaze e tua mësojë sazeve të Përmetit. Të duket si legjendë por kështu është e kështu ka ndodhur thonë edhe burra të tjerë të ditur e të mënçur. Nga mbrapa meje që qëndroj si statujë aty në oborin tim , janë grykat e majat e Nemërçkës të cilat tani i ka mbuluar bora, por prapa këtyre maleve është një sinor tjetër, është Pogoni, lugina e bukur e Pogonit me njerëz punëtorë e të mënçur por edhe me artistë të njohur e diku pranë tyre ndodhet edhe Delvinaqi, një qytezë e vogël por që ka nxjerë nga gjiri i tij një gërnetar të madh. Petro Lluka quhet, dhe besoj se e ke dëgjuar.?!
-Po e kam dëgjuar- i them -dhe para disa vjetësh isha me një grup të sazeve të Përmetit por jo me Laverin në Delvinaq, në një festival nga ato që organizon Aleksandër Llambridhis me titull “Karvani i Polifonisë” dhe veç të tjerash u takuam edhe me Petro Llukën e na foli fjalët më të mira për ustanë tonë, për Laverin. Është e vërtetë -vijon ai- ata janë e mbeten dy nga gërnetarët legjendarë të këtyre sinoreve , por sejcili në sinorin e tij që ashtu sikundër e ke shkruar edhe ti në atë librin e fundit “Virtuozi Laver Bariu “ muzika e tyre njihej e këndohej në të dy anët e kufirit, i dëgjonin dhe i pëlqenin ato këngë e ato kaba të dy mjeshtrave të mëdhenj.
– More, po me duket sikur u pashë një ditë tani afër ty me disa shokë të sazeve që kishit shkuar në Delvinaq e u ratë sazeve në një vorrezë, se veç vareve dukej mirë kisha dhe disa qeparisa- selvi .
– Po, ne ishim, isha edhe unë me ta, Shkuam dhe bëmë një klaba tek varri i Petro LLukës. Ai kishte pak ditë që kishte vdekur e la pas një pasuri të madhe në fushën e këngëve e kabave te vendit të tij . Petroja ishte mik prej vërteti me Laverin tonë. Në vitin 1985 ustai shkoi i pari me një grup sazesh në festivalin e Delvinaqit dhe aty u njohën më mirë dhe u bënë miq. Ishin miq edhe pse sinoret ishin zënë e kishte tela me gjëmba, por kënga , kabatë e tyre i kalonin këto pengesa dhe banorët e këtyre anëve i pëlqenin , i dëgjonin dhe i njihnin mirë . Ate ditë që Petroja ndroi jetë dhe po shkonte në banesën e fundit , Laveri nuk vajti dot. Nuk vajti se kishte gati 10 vjet qe kishte ikur nga kjo botë e shikonte nga Lart. Se po të ishte me siguri do kishte shkuar dhe ne plotësuam e nderuam ustanë tonë Laverin, se ne jemi Sazet e Përmetit post Laver Bariu!. Kush më mirë se ne mund ta bënte atë punë. !? Dhe ne atje tek dërrasa e varrit i dërguam nëpërmjet dy kabave usta Petro LLukës, mesazhin e miqësisë , dashurisë dhe respektit që gëzonte ai si një artst i këtyre sinoreve për trashëgiminë tonë kulturore. Pati sigurisht që u çuditën, ca hapën sytë e thoshin ç’janë këto saze, por pati edhe burra e artistë të mënçur që thanë Ju lumtë, artistët nderohen kudo që janë se arti i tyre ka qënë e mbetet për të çlodhur e kënaqur banorët e vendasit e tyre . Dhe se u zgjata shumë, por dua të të them edhe për anën e djathtë, që kur kthehem andej më ngelet shikimi tek malet e Pindit, nga burron Vjosa e ngarkuar me plot ngjarje e legjenda mijëravjecare. Nuk e di në se edhe ti e di që çdo mëngjes herët, po shumë herët, në majat e atij mali, dalin dy zanat e legjendave dhe tek hedhin shikimin në Luginën e Vjosës, u dërgojnë urime e mirësi banorëve të saj dhe vallzojnë atje majë malesh të mbushur me borë. Këto nuk i kam parë se janë larg, po legjendat e studjuesit kështu thonë . Pra ky ështe mjedisi që unë shikoj cdo mëngjes në ato sinore dhe pasi mbushem me frymezim nga aromat e luleve dhe këngët e zogjve të malit, marr klarinetën dhe i shkrij në një të tërë .
– Josif, po a mund të më thuash cila ka qënë një ndër veprimtaritë më të bukura dhe ku ti je ndjere mirë i këtyre muajve të fundit.
– Po më impresionon kjo pyetja juaj pasi vërtet në fundshtatorin e këtij viti isha pjesë e Festivalit ballkanik të sazeve « Laver Bariu », që u zhvillua në qytetin e Beratit nga ana Juaj si president i shoqatës CIOFF Albania në bashkëpunim me Qendrën Kulturore “ M Tutulani “ Berat ,me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, ku morrën pjesë gati 10 grupe sazesh me reth 60-70 pjesëmarrës.Ishte një aktivitet shumë i bukur, me grupe sazesh që erdhën sa nga Lushnja, Fieri, Berati, Elbasani, Belshi, Librazhdi etj si dhe dy grupe nga jashtë një nga Prizreni i Kosovës dhe një nga Konitsa e Greqisë. Ishin grupe qe kishin klarinetistë shumë të mirë, grupe që ishin shumë aktivë në jetën e tyre sociale por edhe kulturore, që kishin një njohje të mirë në ato zonat ku punonin. Ketu dua të evcidentoj vecanërisht klarinetstin Marsel Gjino që vinte nga Fieri, Met Topin dhe Ardian Korec in nga Berati qe ishin pritësit tanë, klarinetistin Antonis Kakouris nga Konica që ishte nga më të mirët si në interpretim, në tingullin unikal por edhe si organizator i mirë i grupit.I mirë dhe i veçantë ishte edhe ai klarinetisti i Belshit Vathi,Vath Fejzo e quajnë që mori edhe cmimin e Laver Bariut, një artist i vërtetë që kishte goxha fansa në Shqipërinë e Mesme . Unë u bëra pjesë e këtij festivali si fituesi i parë i cmimit Laver Bariu , dhënë në festivalin e parë që u zhvillua në Permet, 3 muaj pas vdekjes së ustait në muajin Maj të vitit 2014. Mora pjesë edhe vjet në këtë festival të zhvilluar në Tiranë dhe nuk mund të mungoja këtë vit, ku isha edhe pjesë e Jurisë që do të jeptë Cmimin Laver Bariu, i cili ka dy edicione që ky çmim shoqërohet edhe me nje vlerë monetare, për te rritur edhe më angazhimin e pjesëmarrësve. Kryetar i Jurisë ishte Drejtori e Producenti i Festivalit Ndërkombëtar Ballkan Trafik në Bruksel, mr Nicolas Wieèrs, një mik I mirë i vendit tonë , i muzikës e polifonisë shqiptare e cila është e pranishme gjithmonë në atë festival. Qysh ditën e parë mr Nicolas u ngjit në skenë dhe dorëzoi dy vlerësime unikale për artistët shqiptarë në këtë festival, njera prej të cilave ishte për mua. Ishte një Urdhër i Miqve të Festivalit Ballkan Trafik për mua i cilësuar si klarinetisti më i mirë i Jugut shqiptar . Eshtë e vëtrtet se që nga vitit 2010 që shkuam së pari në këtë festival me sazet e Përmetit, unë si individ jam ftuar e kam shkuar edhe 6 herë të tjera në këtë festival ku kam interrpetuar muzikë, kryesisht kaba edhe me muzikantë të tjerë nga vendet e Ballkanit dhe kam qënë shumë i vlerësuar . Nicolla më dorëzoi këtë dhuratë , me të cilën ma bëri edhe më të mundur pjesëmarrjen në këtë event ndërkombëtar dhe unë që isha i përgatitur për këtë ndodhi, u ngjita në skenë dhe bëra një nga ato kabatw e Laverit. Kabaja ime shkoi shumë mirë, pati plot impresione dhe mora me vete shumë emocione e falenderime .
– Ky vit që po mbyllim për mua dhe shokët e mij ka patur dhjetra veprimtari unikale të luajtura sa nëpër skena festivalesh por edhe nëpër koncerte, në Teatrin e Operës e Baletit dhe në disa Televizione . E quajmë me fat e vlerë punën që bëmë si grup në rregjistrimin e këngëve të Hafize Leskovikut në një CD të interpretuara kryesisht nga diva e këngës popullore artistja Adriana Thanasi e cila ka një CV shumë të pasur në repertorin e këngëve te Hafizesë, të cilat i ka shëtitur në shumë skena të botës që nga Portugalia e Spanja e deri ne vendet nordike si dhe radio BBC Word, Prishtinë, Varshavë,Bruksel, Paris, Zvicër etj me kompaninë SazIso. Ne rregjistruam 18 këngë të saj dhe të Evgjeni Cullit e Luljeta Ilias në një studio dhe këtë vjeshtë bëmë të mundur me një projekt të Ministrisë së Kulturës t,i rregjistrojme edhe ne Televizionin Shqiptar dhe janë pritur shumë shumë mirë e kemi marrë mijëra e mijëra falenderime e vlerësime . Dhe këto nga dëgjues të thjeshtë sa në Shqipëri por më shumë në emigracion, si dhe nga muzikantë shumë të njohur si kompozitori i njohur Prof Aleksandër Peçi, Prof&akademik Vasil S Tole, Dr Eno Koço, Prof Josif Minga, Kosta Loli, Vladimir Kotani, Qamil Gjyrezi nga Shkodra e shumë të tjerë .
– Me një grup vallesh nga Tropoja ishim pjesë e një festivali të organizuar në Greqinë lindore, ku na pritën shumë shumë mirë dhe u befasuan si nga K’cimi i Tropojës por edhe nga këngët e kabatë tona .
– Dicka më herët aty nga pranvera isha pjesë e një koncerti në Teatrin e Operës e Baletit ku së bashku me disa kolegë të mij klarinetistët Aleks Xhelili e Telando Fete , prezantuam kabatë tona të cilat kanë zënë vend në botimin e Prof V S Tole “ 100 vjet kaba me saze “, ditën që u bë ky promovim libri në një auditor shumë serioz e kulturëdashës. Pas disa ditësh po me këta shokë e miq u bëmë pjesëmarrës i premierës “Nata e kabave,” bashkë me artistët e Asamblit Kombetar të Këngëve e Valleve po në Teatrin e Operës.
– Këto dhe shumë të tjera kanë qënë pjesë e këtij viti artistik,por në aspektin individual dua të evidentoj edhe një produkt unikal të cilin e kam punuar bashkë me grupin tonë të Sazeve ku bëjnë pjese muzikantet Ylli Muço, Qako Vangjeli, Andi Ponoçi, Genti Petro si dhe mjeshtri leskoviqar i violinës Jani Jorgo. Kam rregjistruar në studio digitale gati 23 kaba dhe valle , kabatë më të mira të interpretuara nga mjeshtrat e mëdhenj të kësaj gjinije në kufijtë e një shekulli. I kemi mbrojtur këto kaba nga vitet dhe i kemi sjellë të freskëta e u kemi shtyrë jetën e tyre nëpër CD digitale edhe për 100 vjet të tjera. Dhe këtu janë kabatë e Selim Leskovikut, Gaqo Lenës, Bilbil Vlorës, Medi Përmetit,Laver Bariut, Remzi Lelës,Vangjel Podës etj . Tani po presim që këtë material ta rregjistrojmë edhe në Televizion dhe ato do të jenë edhe pjesë e një libri që pritet të dalë së shpejti nga botimi, Edhe pse nuk kemi patur e gjetur mbështetjen e duhur instituciona-le , ne punojmë më shumë më kontributet tona individuale duke besuar e shpresuar se një ditë ata që merren me këto punë do ndjehen jo mirë. Gjej rastin të uroj gjithë dashamirësit e këngëve e kabave tona t’i kalojnë Gëzuar festat e fundvitit, Krishtlindjet dhe Vitin e Ri 2026 , shëndet e mbarësi !
Intervistoi : Niko MIHALI
President i Seksionit Kombëtar shqiptar të CIOFF

Juria e Festivalit Ballkanik të sazeve L Bariu Berat 25 & 26 shtator 2025 nga e majta në te djathtë : F Dervishi, J Shukallari, N Wieers, F Mimani dhe Bobby ( B Arifi )

Urdhri i Miqve të Mëdhenj të Festivalit I DHËNË ARTISTIT
Josif SHUKALLARI, – mjeshtër i madh i kabasë me klarinetë

Nata e dytë e festivalit ballkanik të sazeve L Bariu Berat shtator 2025

Bashkë me Ustanë në Përmet 2025





















