Përkujtohet sot në ditën e lindjes Rrok Zojzi, “babai i etnografisë shqiptare”.
Rrok Zojzi u lind në Shkodër më 16 nëntor 1910 në një familje zejtare. Arsimin fillor dhe të mesëm e mori në vendlindje, ku më pas punoi edhe si mësimdhënës.
Gjatë viteve ’30-40 të shekullit të kaluar u bë i njohur me shkrimet në revistat e kohës, si “Hylli i Dritës”, “Vatra shqiptare”, “Drini”, etj.
Në vitin 1942 ai përgatiti për Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit 34 ligjërata gjeografiko-etnografike që u shfrytëzuan nga Radio Tirana, Radio Korça e Radio Kosova.
Në vitin 1947 u emërua në krye të Sektorit të Etnografisë, të cilin e drejtoi deri në vitin 1976 kur doli në pension. Historianët e etnografisë shqiptare e konsiderojnë Zojzin si “babanë e etnografisë shqiptare”.
I ndihmuar nga pasioni që kishte për alpinizmin, Zojzi u mor me studimin, mbledhjen dhe arkivimin e kulturës tradicionale shqiptare, e cila sot përbën fondin më të pasur të kësaj gjinie pranë Institutit Albanalogjik Tiranë (ish-Instituti i Kulturës Popullore). Nën drejtimin e tij u krijuan pjesa dërrmuese e muzeve etnografikë në të gjithë Shqipërinë.
Fushat e kërkimit, ushtruar nga Zojzi, prekin thuajse të gjithë gamën e kulturës tradicionale. Kontribut të vazhdueshëm Zojzi dha në mësimdhënie dhe në publikimin e dijes etnografike në shtypin e kohës. Nën drejtimin e tij u formuan pjesa më e madhe e brezit të etnografëve shqiptarë të periudhës së komunizmit.
Ai është një nga mbledhësit më të hershëm i të drejtës kanunore të Labërisë.
Por, pavarësisht punës kolosale që ai kreu në fushën e etnografisë shqiptare, fakti që e motra ishte pushkatuar bashkë me të shoqin në 1946 si pjesëmarrës në Kryengritjen e Postribës, e damkosën atë si njeri “me cen në biografi”, gjë që ia pamundësoi vendosjen e kontakteve të drejtpërdrejta me studiuesit e huaj të kohës në fushën e albanologjisë si dhe në mosbotimin e mjaft studimeve e kërkimeve shkencore, të cilave iu kushtoi jetën.
Rrok Zojzi vdiq në Tiranë më 1995.






















