Në zemër të Milanos, një shtëpi–muze mban gjallë kujtimin e Ibrahim Kodrës, mjeshtrit shqiptar që jetën e kaloi mes Italisë dhe Shqipërisë, por zemrën nuk e shkëputi kurrë nga atdheu.
“Recitonte përmendësh Gjergj Fishtën, gjuhën shqipe. Shpeshherë, kur uleshim të hanim bukë, fillonim njëherë njëri, njëherë tjetri. Edhe ajo mënyra që, megjithë defektet që kemi ne, Ibrahim Kodra kurrë nuk i përmendte, shihte vetëm anët pozitive të Shqipërisë dhe shqiptarëve,” tha miku i tij, Fatos Faslliu.
Në këtë vend ku arti takon historinë personale të mjeshtrit Ibrahim Kodra, Fatos Faslliu, miku i ngushtë i tij, na rrëfen se si ruhen veprat dhe trashëgimia e tij.
“Për ne shqiptarët më e rëndësishme është Shqipëria Fantastike. Jo vetëm për nivelin artistik, por edhe në kohën kur është bërë. Është bërë në vitin më të errët që ka kaluar historia moderne shqiptare. Është bërë në vitin ’97. Në atë kohë, që të gjitha revistat, gazetat e televizionet italiane ishin sheshuar për ngjarjet në Shqipëri, Kodra iu kundërvu me veprën e mrekullueshme Shqipëria Fantastike. Për ne shqiptarët është vepër shumë domethënëse”, tha ai.
Shumë prej veprave të Kodrës flasin për Shqipërinë, për rrënjët dhe kujtesën kolektive, të shndërruara në ngjyra e forma moderne, duke sjellë dashurinë e pakufishme për atdheun.
Kodra nuk e admiroi vetëm Shqipërinë, por edhe Italinë, që e nderoi me tituj të ndryshëm dhe vlerësime që e kanë shënjuar karrierën e tij, duke e mbajtur emrin gjallë edhe pas largimit nga kjo botë.
“Ka jetuar në Milano 68 vjet, kështu që ka qenë një nga yjet e kulturës milaneze. Medaljet e ndryshme që ka marrë… përmend ‘qytetar nderi i Milanos, i Palermos, i Positanos’. Kjo është një mirënjohje nga institucionet italiane. Është edhe ‘Nderi i Kombit’ në Shqipëri”, solli ndërmend ai.
Faslliu e sheh ruajtjen e veprave të Kodrës si një mision, dhe ëndrra është që Shqipëria të ketë një shtëpi–muze, ku brezat e rinj të njohin magjinë dhe gjallërinë e veprave të mjeshtrit.
“Dëshira ime është që të hapet një muze në Shqipëri. Mund të ketë edhe dy apo tre, por të paktën një, sepse vepra e Kodrës është e copëzuar. Njerëzit mendojnë që këtu janë të gjitha veprat e tij, por ai ka bërë shumë vepra. Shtypi shqiptar thotë 6 mijë, por unë jam i bindur që janë mbi 10 mijë vepra. Këto që kemi grumbulluar janë një bazë e mirë për të filluar procesin e muzeut. Pastaj do të ketë edhe dhurata, blerje, shkëmbime, në mënyrë që publiku të shohë kush është Kodra. Nëse arrihet një marrëveshje, mund të bëhen dy muze: një në Prishtinë, pasi në atë kohë ka qenë shumë i lidhur me Kosovën”, u shpreh Faslliu.
Një shembull i veçantë i lidhjes së veprave të Ibrahim Kodrës me rrënjët e tij shqiptare është një restorant i njohur shqiptar në Milano, i cili ka zgjedhur të zbukurojë ambientet e tij me disa nga pikturat më të njohura të Kodrës. Ky vend është bërë një pikë e rëndësishme për ata që duan të shijojnë jo vetëm kuzhinën, por edhe artin që pasqyron shpirtin dhe kulturën e Shqipërisë.
“Zgjidhja ishte fare e thjeshtë, duke qenë se piktori është krenari e shqiptarëve. E kam njohur edhe personalisht. Ideja ka qenë që të mbledhim sa më shumë vepra të Kodrës, që edhe për miqtë tanë, kushdo që vjen, sepse e kemi krenari. Shumëkush e ngatërron me Pikason”, tha drejtuesi i restorantit.
Veprat e Ibrahim Kodrës nuk janë thjesht tablo, ato janë një urë që lidh Italinë, ku ai jetoi dhe krijoi, me Shqipërinë, vendlindjen që e mbajti gjithmonë në zemër. Çdo ngjyrë dhe formë flet për rrënjët e tij, për kujtimet dhe shpirtin e një kombi, duke bërë që arti i tij të jetojë si një lidhje e gjallë mes dy botëve. – RTSH-