Më 4 maj 1829, gazeta Pernausches Wochenblatt, në numrin 19, botoi një artikull që përmbante letra nga Korfuzi, ku njoftohej se shqiptarët, së bashku me grekët, ishin ngritur kundër osmanëve dhe kishin kërkuar, ashtu si grekët, të çliroheshin nga sundimi turk.
“Kufiri turk, 17 prill. Në Beograd, popullsia është e shqetësuar nga lajmet që vijnë nga Kostandinopoja, pasi mungesa gjithnjë e më e madhe e ushqimeve po e vështirëson paqen e kryeqytetit. Edhe dërgesat e mallrave drejt tij janë ndërprerë; askush nuk dëshiron të rrezikojë pasurinë e vet, sidomos që prej kohës kur emigrimi i hebrenjve nga Kostandinopoja ka lënë një përshtypje të keqe te bashkëbesimtarët e tyre. Trupa turke janë vendosur tashmë në Serbi dhe të tjera do të ndjekin.
Letrat nga Korfuzi raportojnë se kryengritja shqiptare po merr një karakter tepër serioz dhe se Shqipëria dhe Thesalia ndodhen në kryengritje të plotë. Paga e prapambetur, që shqiptarët pretendojnë, nuk është shkaku i vërtetë, por vetëm një pretekst nën të cilin ata kërkojnë të heqin zgjedhën turke.
Thuhet se ata janë në lidhje me grekët dhe madje përmendet një shqiptar, i cili ishte besniku i një prijësi fisnik grek, ndërsa shqiptarët kërkojnë lirinë e tyre dhe, njësoj si grekët, dëshirojnë të jenë të pavarur. Shembulli i tyre pritet të gjejë ndjekës, dhe Porta së shpejti nuk do të jetë më në gjendje të bëjë asnjë lëshim. Emir Pasha, djali i Vezirit të Madh të tanishëm, i cili u la nga Lenteremi për të ruajtur qetësinë në Thesali, thuhet se ka pësuar tashmë humbje të mëdha. Mendohet se trupat turke që po marshonin nga Epiri dhe Livadia drejt Danubit, do të marrin urdhër të kthehen në Thesali për të forcuar Emir Pashën.”
Author and translator: Petrit Latifi.
Balkan Academia
