Veprimtaria politike dhe intelektuale e deputetit të Parlamentit të parë shqiptar, kryeministrit, gjuhëtarit dhe historianit Mustafa Merlika Kruja, vjen tashmë e dokumentuar në librin më të fundi dedikuar një personaliteti jo pak të kontestuar. Autori Eugjen Merlika sjell në këtë vëllim të parë disa nga momentet hitorike dhe të rëndësishme që shenjuan jetën e Mustafa Krujës: nga vitet e hershme të shkollimit dhe veprimtarisë studentore, te kthimi në Atdhe e përfshirja në politikën shqiptare, pjesëmarrja në shpalljen e Pavarësisë më 28 nëntor 1912, marrëdhëniet me personalitete të kohës si Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi e Esat Pashë Toptani, si edhe kontributi i tij në ndërtimin e shtetit modern shqiptar.
Në këtë shkrim po sjellim një pjesë nga libri “Mustafa Merlika – Kruja, Histori e dokumentuar e një jete në shërbim të kombit”, botuar nga UET PRESS, ku nga dokumentet e kohës zbulohet dënimi me vdekje dhe më tej falja e e Mustafa Krujës
***
Nga një dokument i nxjerrë nga Bisedimet Parlamentare, rezulton se Mustafa Kruja ka qenë i dënuar me vdekje nga Gjykata Ushtarake e Shijakut, së bashku me kolegët e tij në Parlament Leonidha Koja, Hysen Myshketa dhe Kapllan Deliallisi, të tre nga rrethi i Durrësit.
Mbledhja e 2-të, 3/01/ 1922
Z. Kryetari: Bisedim mbi ndalimin e të djegunit të shpijavet të t’arratisunvet.
Z. A. Këlcyra: Pse nuk bisedojmë për gjyqin e naltë?
Z. Kryetari: Mbas lutjes të Z. M. Krujës âsht vendosë qi kjo çashtje të bisedohet mâ parë.
Z. L. Gurakuqi: Si ja kena nisë po bâjmë nji zakon të çuditshëm kur se bisedohet mbi nji çështje dhe qeveria nuk ndodhet këtu për çështje q’i përkasin asaj; prandaj jam i mëndjes që qeveria të ndodhet këtu për me ndigjue mendimin e saj, pse mund të ndodhemi në nji konflikt si bie fjala për buxhetin.
Z. M. Kruja: Mocionin e dhanun për ndalimin e të djegunit të shtëpijavet të fajtorëvet të të arratisunvet due t’a zhvilloj me pak fjalë. Kur ka qenë rasa që kemi bisedue me ndokend mbi nevojën e zbatimit të kanunit të Lek Dukagjinit në Shqipní, kemi thanë se âsht nji kanun për kohë të mesme barbare e se në shekullin 20 nuk ka vend. Pika mâ barbare e këtij kanuni âsht kjo: kur nji bajrak vret ndokend dhe vrasa bâhet hyqëm prej bajrakut atij i digjet shtëpia, i konfiskohet gjaja e malli dhe fëmija e tij nxirret prej bajrakut për tri vjet. Qeveritë t’ona të ndryshme që kanë kaluar kët pikë e kanë dashtë me e përgjithsue në tërë Shqipërinë, por në ç’mënyrë? Vetëm me nji vendim të K. Ministruer dhe me ndonji dekret ligj. Sikurse dihet liria e pasunisë e personale janë nga parimet mâ të shenjta të nji populli qi duhet të respektohen në nji Shtet e se këto liri nuk mund të kufizohen veç me nji ligjë të pranueme nga ana e parlamentit. Nji gjë e tillë nuk ka dalë dhe nji dekret ligjë mbi djegiet e shtëpijavet të t’arratisunvet këtij Këshilli nuk i ka ardhë. Mbas rregullavet konstitucionale nji qever( ka të drejtë të bâjë nji dekret ligji kur parlamenti nuk vepron e âsht e detyrueme me të parën hapje të parlamentit t’a dërgojë këtë ligjë për shqyrtim e për vërtetim. Pra simbas parimeve konstitucionale ky dekret ligjë âsht i rrëzuem prej vetiu për arsye qi nuk âsht vërtetuar nga ana e parlamentit.
Nuk dua të gjykoj a âsht i nevojshëm apo jo ai parim i Lek Dukagjinit, që të shtrihet në tërë Shqipërinë, vetëm dua të them se nji veprim aq me randsí kundra lirisë e pasunisë personale nuk mund të vehet në veprim pa qenë i pranuem prej parlamentit. Prandaj parlamenti sot t’a api këtë vendim: tue qenë se dekret ligja për djegie shtëpijash të fajtorëve t’arratisun e për internim të fëmijëve qi ka qenë vue në veprim prej qeverivet të ndryshme të kalueme nuk i âsht paraqitun K. Kombtar për pëlqim e aprovim simbas zakonevet konstitucionale e tue qenë se liria e pasunisë e liria personale janë dy parime themelore që duhen të respektohen në nji Shtet, ky Këshill e quen dekretin e sipër-pëmendun të rrëzuem e ç’do qeverí qi të veprojë këtej e tutje pas tij, e quen responsable. Do t’i hiqet vrejtja qeverisë që në qoftë se sheh nji nevojë për nji gjë të këtillë, asht e detyrueme t’i paraqesë K. Kombtar nji projekt ligji për shqyrtim dhe vërtetim.
Z. A. Këlcyra: Shumë herë kur kemi bisedue në komision për projekte ligje e sidomos kanë biseduem për gjykatoren ushtriake edhe Z. M. Kruja sostenonte qi qeverisë t’i lehet nji dorë e lirë për me sigurue qetësin si për formimin e gjykatores së jashtëzakonshme si për shpalljen e Shtet-rrethimit. Me gjithë dashjen qi kam qi të ruhen “scrupuleusement” principet konstitucionale të parlamentit, nuk mund e mohoj nevojën qi qeveria në kohëra të jashtzakonshme të ketë të drejtë me aplikue ato nome qi ajo t’i shohë të nevojshëm se përpara të drejtës konstitucionale dhe të parlamentit janë interesat e Shtetit, pra nuk mund të bashkohem me mendimin e Z. M. Krujës. Vetëm bashkohem në nji pikë me Z. e tij, i cili thotë qi ky veprim duhet të njihet prej ligjit. Vetëm për me i dhanë qeverisë liri që në momente kritike që ndodhemi, qeveria të vazhdojë si ka vazhdue deri sot e të dërgojë me të shpejtë nji projekt mbi këtë çështje që të marrin sa mâ parë legalizimin nga ana e parlamentit, pse nji veprim ksi soji i korespondon plotësisht gjendjes që ndodhet Shqipnia. Pra un me gjithë që këto masa i quaj fare antikonstitucionale e antiqytetnore i shof të nevojshme për gjallninë e Shtetit Shqiptar, e cila gjallni predominon gjithë arsyet e tjera.
Z. A. Koprencka: Mbi ç’ka tha Z. Kruja që kjo ligjë të shikohet nga Parlamenti e se Qeverija nuk ka të drejtë me e vue në aplikim me dekret-loi nuk mund të bashkohem me te se kur u bâ pushimi i parlamentit i kemi dhanë të drejtë Qeverisë me e vue në zbatim ato ligjë që kanë dalë nga komisionet, sa për tjetër i kemi dhanë liri me nxjerrë dekret-ligje. Pra këtë të drejtë Qeverija e ka. Në pikën tjetër bashkohem me Z. M. Krujën që për sa t’i djegin më mirë t’i zaptojë, prandaj t’i shkruhet Qeverisë të ndalojë he për he djegien e pasunivet deri sa të legalizohet ligji nga ana e parlamentit.
Z. S. Vinjau: Çështja që kena sot para sysh është shumë me rëndësi dhe shohim se vijnë kundërshtime me shoqi shoqin, te interesat e Shtetit dhe me ndjenjat humanitare. Për me mujtë nji njeri t’a hetojë këtë çështje me nji herë a është legale më duket se është nji gjë shumë e zorçme pse nuk jam i sigurtë a na është paraqitun projekti që i përket kësaj çështjeje. Neve duhet të mos ngutemi me dhanë nji vendim mbi këtë çështje pse Qeverija në ka nji kanun në dorë duhet t’a dijë responsabilitetin e ka a po nuk e ka dhe diskrecioni sjell nji responsabilitet për ministrin që e përdor. Pra neve deri sa të hetojmë këtë çështje e të caktojmë është legale apo ilegale të pështetemi mbi dijen e Qeverisë e këtë çështje t’a dërgojmë në komisionin që i përket, i cili të shkoqisë a është ilegale apo jo si edhe të shkoqisin a duhet të merret tash nji masë e këtillë apo jo.
Z. M. Kruja: Unë nuk desha të hyj e të bisedoj mbi oportunitetin e nji mase të këtillë, vetëm proponova që deri sa qeverija të mos ketë në dorë një ligjë të pranuem prej K. Kombtar Qeverija të mos mundi të verë në veprim nji masë të tillë; në qoftë se Qeverija ka ngut që të verë në veprim një masë të këtillë që sot t’i a paraqesë K. Kombtar për vërtetim e ky t’a dërgojë në komisionin që i përket, i cili t’a verë në gjana urgjente; e Qeverija deri sa K. Kombtar të mos e ketë vërtetuar të mos marrë të këtilla masa.
Këto ishin një pjesë e rëndësishme e Bisedimeve Parlamentare në të cilat ka marrë pjesë e ka diskutuar Mustafa Kruja në Parlamentin shqiptar të viteve 1921 – 1922. Këta diskutime mund t’i kisha shoqëruar me komente të miat për të nxjerrë më mirë në pah përmbajtjen e tyre dhe qëndrimin e tij në fazën e parë të shtetformimit shqiptar. Por meqë qëllimi im nuk është të marr në mbrojtje figurën e Mustafa Krujës, sepse ajo nuk ka nevojë për këtë dukuri, por për të zbuluar para lexuesit shqiptar të sotëm të vërtetën të varrosur e të shtrembëruar në mënyrë të përbindëshme nga historiografia e tetëdhjetë viteve të fundit të markës komuniste, po mjaftohem të paraqes faktet, për t’i lënë në dorë studjuesve e lexuesve të nxjerrin përfundimet e sakta mbi personalitetin e personazhit dhe rolin e tij në ngjarjet e rëndësishme të historisë shqiptare.
Në marsin e vitit 1922, në Shqipërinë e Veriut, shpërtheu një lëvizje kryengritëse kundër qeverisë së Xhaferr Ypit, që kishte si ministër të Brendëshëm Ahmet Zogun. Në atë kryengritje, veç të tjerëve, bënte pjesë edhe Mustafa Kruja, që disa muaj më parë, kishte drejtuar një grup prej dyqind vullnetarësh të Krujës, në ndihmë të Shkodrës që rrezikohej nga një ndërhyrje serbe. Më vonë, në kujtimet e tij, ai flet me ton vetëqortues, saqë arrinte deri aty sa të thoshte se ishte e drejtë edhe djegia e shtëpisë së tij në Krujë nga forcat qeveritare.
Madje nga një dokument i nxjerrë nga Bisedimet Parlamentare, rezulton se Mustafa Kruja ka qenë i dënuar me vdekje nga Gjykata Ushtarake e Shijakut, së bashku me kolegët e tij në Parlament Leonidha Koja, Hysen Myshketa dhe Kapllan Deliallisi, të tre nga rrethi i Durrësit. Besoj se këta dënime janë shprehje e luftës politike, që nuk kufizohej vetëm me debatet e ndryshme të saj, por si në Vendet me një demokraci të brishtë e në fazë fillestare, degjeneronte në dhunë t’armatosur.
“ Z. Kryetari: Bisedim mbi rrëzimin e dënimin e deputetve Leonidha Koja, Hysen Myshketa, Kapllan Deliallisi dhe Mustafa Kruja.
Këndohet raporti i komisjonit të posaçëm i cili âsht ky:
Raportë
Komisjoni i zgjedhur prej Parlamentit në seancën e tij më 4 – 9 – 1922 për të shqyrtuar aktet e nevojshme dhe mbasandaj t’apë vendimin e tij mbi çështjen e III të rendit të ditës të seancës parlamentare më datën 4 – 9 – 922 tue qenë se në quorum legal filloi nga bisedimi dhe pa t’arësyeshme qi çështjen e ngarkueme t’a ndajë trish.
a) A duhet përpara ç’do veprimi mbi kët pikë, qi Qeveria të vërtetojë në Parlament dekretin e deklarimit të shtetit të rrethimit në qarkun e Prefekturës së Durrësit a jo?
b) Deputetët M. Kruja, Hysen Myshketa, Leonidha Koja dhe Kapllan Deliallisi, të dënuar me vdekje në vendimet e gjyqevet ushtarake të Shijakut më datën 18 – 3 – 922 N. 10 e 12 dhe të Tiranës më datën 5 – 4 – 922 a janë dënuar nga gjyqe kompetente a jo?
c) A janë rrëzuar nga deputetësia deputetët e dënuar që u sipërtreguan a jo?
1. – Mbas kësaj ndarjeje fillojmë nga shqyrtimi i pikës së parë dhe mbi ekzaminimin e kësaj pike, komisioni u nda në dyshë dhe shumica e përbâme prej gjashtë vetave kundra 4 mendohet kështu:
1. – Me qenë se Statuti i Lushnjës pushon për çpalljen e shtetit të rrethimit dhe çpallja ndër disa raste âsht e domosdoshme, duke marrë para sysh ligjën vepruese simbas të drejtës që e jep artikulli 13 i ligjës administrative otomane, Qeveria ka të drejtë të çpallë shtetin e rrethimit dhe të verë n’aplikim kanunamen me datë 1293 bashkë me gjithë shtojcat e saja. Prandej âsht i mendimit qi dekreti për çpalljen e rrethimit në Prefekturën e Durrësit, nuk duhet të vërtetohet nga parlamenti, se dekreti nuk âsht nji ligjë e re, por ven në veprim ligjën qi âsht në zbatim.
Kjo shumicë zgjedh për relator Z. R. Babameton.
Pakica e përbame prej katër vetave mendohet kështu:
E drejta e deklarimit të shtetit të rrethimit prej Qeverís në gjithë Shtetin ose në një copë të tij, ndër Shtete konstitucionale i epet vetëm prej Statutit dhe ky i cakton të gjitha konditat e aplikimit të kësaj të drejte. Statuti i ynë në çashtjen e shtetit të rrethimit, heshton kryekëput. Âsht e vërtetë që çpallja e shtetit të rrethimit në disa raste âsht e domosdoshme, por asht dhe shumë e vërtetë qi rasat e kësaj nevoje çmohen dhe prej Këshillit Kombtar. Nuk mohohet fuqija ligjore e kararnamesë më datën 1293 sikundër u ndryshua me shtojcën nomi më datën 1325, por kjo kararname për me u vue n’aplikim, lypë dekretin e çpalljes së Shtet rrethimit, i cili duhet bazuar në nji të drejtë qi t’a japë Statuti. Art. i ligjës administrative qi parashron shumica nuk mundet të bâhet bazë e drejtë për çpalljen e Shtet rrethimit, se ai ka para sysh qeverinë Otomane dhe jo konstitucionale; kur Qeveria Otomane u bâ Shtet konstitucional, shohim se çështjen e Shtet rrethimit e rregullon me Statutin e saj në nenin 113, qi kështu ai nen i asaj ligje qi parashtron shumica , me hyrjen në fuqi të Statutit Otoman, ka mbetur pa fuqi dhe i rrëzuemun.
Pra mbasi gjindemi në nji heshtje të pa-dashur të Statutit të Lushnjës, Qeveria e jonë si e kanë të gjithë shtetet konstitucionale, duhet t’a kishte të drejtën e çpalljes së Shtet rrethimit në raste të jashtzakonëshme, por duhet t’a kishte me gjithë konditat e tjera e nji nga këto asht edhe kjo qi çpallja e Shtet rrethimit, duhet pranuar prej Parlamentit. Nga këto aryena jemi të mendimit qi Qeveria duhet t’a sjellë për vërtetim në Parlament dekretin e deklarimit të Shtet rrethimit në qarkun e Prefekturës së Durrësit.
Si relatorë të kësaj teze, pakica zgjodhi Z.Z. S. Vinjau dhe K. Tasi.
2. Për pikën e dytë Komisia me zana të përbashkëta mendohet kështu:
“Sado që kararnameja e Shtet rrethimit më datën 1293, në nenin e saj 4 thotë se, në gjendjen e Shtet rrethimit, çdo kualitet e çdo dinjitet qi të jetë, (her ne sifet ve hajsijet) dënohen prej gjyqit ushtarak por ky nen që llafoset në mënyrë absolute, e ka humbur fuqinë e tij absolute me nenin e parë të shtojcës së Nomit të ksaj kararnameje me datën 1329, i cili thotë se në gjendjen e shtet rrethimit, të gjithë dënohen prej gjyqit ushtarak, por për të ndjekur, të zënë, akuzuar dhe gjykuar Senatorë e Deputetë, nuk munden të prishen urdhnat e caktueme në Statutin. Sa do qi Statuti i jonë nuk cakton urdhna të këtilla, po për akuzimin e deputetve kemi ligjë të mâ të reja si ligja mbi të drejtat e veçanta të Këshilltarëvet të Kombit për fajra të ndryshme më datën 5 – 4 – 920 edhe si ligja për ndjekjen penalisht të Ministravet edhe të deputetënve, të cilat urdhnojnë gjykimin e deputetënve me nji mënyrë absolute në gjyqin e naltë të Shtetit Shqiptar, nga këto arsyena Komisija âsht e mendimit që vendimet e dhanuna për dënimin e deputetënve: l. Koja, H. Myshketa, M. Kruja e K. Deliallisi prej gjyqeve ushtarake të Tiranës e të Shijakut janë dhënë pa patur këta gjyqe kompetencën ligjore dhe kështu të pafuqishme.
3. Vendimet e gjyqevet ushtarakë për dënimin e deputetënvet: L. Koja, M. Kruja, H. Myshketa dhe K. Deliallisii, sikundër u sipërtregua, mbasi nuk janë dhënë prej gjykatoreve kompetente dhe kështu të pa-fuqishme, nuk mund të jenë të rrëzuar nga deputetësia, por duhen gjykuar në gjyqin e naltë tue u ruejtun proçedura e ligjës mbi ndjekjen penalisht të Ministrave e të deputetënve më datën 5 – 1 – 922.
KOMISIONI:
Dr. Kaçimbra (d. v. ), Sh. Daji (d. v. ), A. Hastopalli (d. v.), M. Tutulani (d. v.), R. Matja (d. v.), I. Xhindi (d. v.), K. Tasi (d. v.), S. Vinjau (d. v.), R. Babameto (d. v.), H. Gostivari (bashkohem formalisht) (d. v.)
Lexuesit dhe studiuesit do të kenë rastin të njihen me ndihmesën e Mustafa Krujës n’atë fushë deri në shkurtin e vitit 1922, sepse në mars t’atij viti ai mori pjesë në kryengritjen e Elez Isufit e të Zija Dibrës kundër Ahmet Zogut e së ashtuquajturës “klikë”. Me dështimin e asaj kryengritjeje ai u arratis në Sërbi, e më pas në Itali deri në qershorin 1924, kur u kthye në Shqipëri.